2 Shkurt, 2023

Gjobëvënia në medie, pse Kastrati, Mane dhe Allajbeu po blejnë televizione?!

 Gjobëvënia në medie, pse Kastrati, Mane dhe Allajbeu po blejnë televizione?!

Nga Poli Hoxha

Ndërkohë që Thesari i Shtetit (SHBA) futi në “listën e zezë” pronarin e Radio Televizionit, “Ora News”, Ylli Ndroqi, duke e akuzuar hapur se e ka përdorur median e tij, (tashmë e sekuestruar nga SPAK), për gjobvënie, kohët e fundit në tregun mediatik janë vënë re lëvizje të forta shit-blerjesh.

Pak kohë më parë, manjati i rrjetit “Spitali Amerikan”, Klodian Allajbeu, goditi duke blerë “ABC News”. Së fundmi paralelisht me shtrirjen e biznesit të tij mjekësor në Kosovë ai bleu edhe një nga mediat aktraktive aty; portalin e madh “Experes” dhe televizioni T7.

Nga ana tjetër “papritur” në fillim të këtij viti, supergrupi “BALFIN” i biznesmenit të madh, Saimir Mane, bleu nga “Credins Bank”, televizionin me natyrë ekonomike “SCAN”. Të dhënat tregojnë se ky i fundit është aksionier edhe te “Tv Klan”.

Por lëvizjet në markaton mediatike, nuk kanë mbaruar këtu. Një nga kompanitë më të mëdha në vend, “Kastrati grup”, nuk kishte si të rrinte prapa në këto zhvillime.

Vetëm 2 ditë më parë u mësua se bleu 60% të aksioneve të brandit ndërkombëtarë, “Euronews Albania”, duke hyrë fuqishëm në këtë fushë.

Nga ana tjetër edhe për biznesmenin, Tom Doshi, në qarqet gazetareske po përflitet se është përfshirë në një operacion për të marrë nën kontroll “News 24”, ose televizionin e ri që ende nuk ka startuar “Panorama TV”. Ende “fjalë” janë, por se çfarë po ndodh në të vërtet ende nuk është e qartë për këtë rast.

Gazetari i njohur i ekonomisë, Klodian Tomori, në një shënim të shkurtër në faqen e tij në FB këtë situatë e sheh kështu:

“Gjithsesi këto lëvizjet e reja në tregun mediatik janë interesante. Balfin tek Scan. Kastrati tek Euronews. Më parë Allajbeu tek ABC News. Të gjitha grupet e fuqishme të biznesit po hyjnë në tregun mediatik. Por shkaku është, edhe më interesant.

Shkaku ishte njëri me rrogë të madhe, që herë pas here rriste tarifat e reklamave. D.m.th mblidhej bordi aty, si këto bordet e çmimeve të Ramës, caktonte tarifat e reja të reklamave dhe lëshonte faturat përkatëse. Ndaj në një aspekt, kjo ngjan me luftën e ftohtë. Kur armatoset dikush me armë bwrthamore, je i detyruar të armatosesh dhe ti. Teoria e mutual destruction. Eshte ajo që ruan paqen në botë. Po ma hodhe bombën bërthamore, ta hedh dhe unë ty”.

Pra mes rreshtash gazetari Tomori nënkupton se mediat janë kthyer në armë “vetëmbrojtëse”, “balancuese”, por edhe “kërcënuese”, të cilat në këtë situatë ju duhen me patjetër biznesmenëve të mëdhenj.

Ai, “njëri me rrogë të madhe” i cili vendoste çmimet e “reklamave” (nënkupto gjobave) të cilit gazetari nuk ja përmend emrin është Baton Haxhiu, i cili paguhej në borderonë e “Spitalit Amerikan” plot 1.797.317,00 lekë në muaj (14.800 Euro).

Analisti Haxhiu që nuk mungon çdo natë në emisionet “Prime Time” njihet edhe si këshilltar i ngushtë në hije i kryeministrit Edi Rama dhe këtë fakt, e kanë pohuar publikisht që të dy.

Pra roli i Haxhiut i cili ka hapur në Tiranë edhe një portal të vetin, “Albania Post” (Në pak muaj është dëng me reklama), duket se është ndërmjetësi mes kryeministrit dhe biznesmenëve të mëdhenj për “reklamat”.

Që një pjesë shumë e madhe e medies shqiptare gjobëvënien e ka sport normal, këtë tashmë e dinë të gjithë pasi edhe vetë ja kanë nxjerrë të palarat njëri tjetrit.

Para pak kohësh në një takim me dhomën e amerikane të tregtisë, një funksionar i lartë i ambasadës amerikane në Tiranë bëri një deklaratë të fortë kur denoncoi publikisht se në Shqipëri ka media që përdoren për gjoba dhe shantazh. Ai foli për tre letra-denoncime që ju kishin mbërritur nga një biznesmen i farmaceutikës, i cili ankohej ndaj një media të madhe.

Në atë kohë u raportua se bëhej fjalë për Top Channel, në kohën që drejtohej nga Ben Blushi. Vetë ky TV Kombëtarë, së fundmi e pranoi “biznesin” e gjobëvënies gjatë një debati që u hap mes drejtuesve të rinj të këtij televizioni (Sokol Balla) dhe ish-kryeredaktorit të “Top Story”, Endri Habilaj. Ky i fundit shënjestroi për gjobëvënie të përsëritur, vetë pronaren e TCH Vjollca Hoxhën!

Gjithmonë është folur nën zë për këtë fenomen të ndyrë, i cili ka shkatërruar (ndoshta pa kthim) medien shqiptare deri në palcë. Së fundmi këtë realitet, e certifikoi edhe urdhri ekzekutiv i Thesarit të Shtetit të SHBA.

Problemi është se nuk kemi të bëjmë me një rast sporadik, por me një malarje që ka infektuar çdo qelizë mediatike, duke vrarë gazetarinë profesioniste dhe dinjitoze.

Mbi 800 portale, natyrisht jo të gjithë, ekzistojnë dhe mbijetojnë vetëm në Shqipëri duke u marrë me këtë “biznes”. Nuk kanë as staf të publikuar, as adresë, as emër drejtuesi dhe as status juridik. Qindra e qindra gazetarë punojnë të pasiguruar e në të zezë, me paga skllevërish. Shteti nuk ndërhyn, madje nëpërmjet politikanëve dhe zyrtarëve të vet i financon dhe i ndërsen ndaj çdo kundërshtari.

Nuk po flasim në këtë shkrim për rolin e “sekserit” (biznes-shtet, kriminelë-shtet, etj) që bëjnë veçanërisht drejtuesit dhe analistët e këtyre medieve. Kjo është bërë normalitet.

Ndaj në këtë situatë që Klodian Tomori e quan “bërthamore dhe luftë e ftohtë”, biznesmenët po detyrohen që të blejnë e hapin medie.

Përse ju duhen “armët bërthamore”?! Nga kush duhet të ruhen; pushteti, USA, gjobëvënësit mediatik?!

Gjithsesi mirë po bëjnë sepse me fuqinë e tyre ekonomike mundet që gazetarët do ti kenë rrogat më të mira dhe të sigurta, por gjobëvënia nuk ka për tu mbyllur dot kështu.

Jo përderisa kjo situatë toksike e medias, i intereson më së shumti pushtetit dhe gjithë klasës politike. Ata janë burimi nga vjen gjithë ky lum fekalesh në media. Ai duhet mbyllur sa nuk është vonë.

Deri atëherë, mjerë gazetarët profesionistë dhe të ndershëm!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *