3 Dhjetor, 2022

Gjeneral Arben Imami përballë juristit Enkelejd Alibeaj

 Gjeneral Arben Imami përballë juristit Enkelejd Alibeaj

Nga Namir Lapardhaja

Kur Partia Demokratike delegoi pak kohë më parë juristin Enkelejd Alibeaj si drejtues politik të qarkut Shkodër, lexova disa reagime të nxitura në rrjet për këtë emërim, madje disa prej tyre ishin edhe stigmatizuese.

Nuk pashë të njëjtën gjë në prezantimin e kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë” në Shkodër, teksa vura re se në krahë të Sali Berishës qëndronte Arben Imami, i cili, siç mora vesh më vonë, qenka i deleguari i “Foltores” për zgjedhjet e 6 marsit në këtë bashki.

Meqenëse jemi në ditë ku dikotonimitë mik-armik, besnik-tradhëtar, demokrat-komunist…, janë më në modë se kurrë dhe meqenëse të dy personazhet janë ekuivalent të njërit apo tjetrit krahë në bashkinë e Shkodrës, po mundohem të heq një paralelizëm mes të dyve, duke u ndalur vetëm në faktet që ne njohim.

I vetmi akt “tradhëtie” që ne dimë për Enkelejd Alibeajn është se në prillin e vitit 2013 nuk votoi për dekretin e Presidentit Nishani (i zgjedhur nga Sali Berisha në atë post) për dy gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdarin dhe Besnik Imerajn.

Arsyeja e mosvotimit (në fakt, abstenim)?

Të dy kishin shërbyer gjatë regjimit komunist si hetues dhe prokurorë.

Ky veprim, praktikisht, e nxori përkohësisht nga politika, duke e lënë jashtë listët së deputetëve në vitin 2013.

Ndonëse nuk u vendos, ai nuk iku nga PD-ja, nuk shau hartuesin e listës, nuk doli në konferencë për shtyp që të kërkonte shkarkimin e kryetarit të partisë dhe të bënte thirrje për humbje të pushtetit…

Jo vetëm kaq, por mori përsipër të kandidonte në zgjedhjet lokale të vitit 2015 në bashkinë e Fierit, edhe pse rezultati dihej që pa nisur.

Nga ana tjetër, kur familja e zotit Alibeaj përpara viteve ’90-të vuante internimin në Seman të Fierit, zoti Imami vijonte studimet në Institutin e Arteve në Tiranë, luante si aktor në filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe ishte pedagog në Akademinë e Arteve.

Edhe pse është një ndër themeluesit e PD-së, zoti Imami u konfliktua që në fillim me linjën zyrtare të PD-së dhe kulmin e arriti në vitin e tmerrshëm 1997, ku u vetëshpall gjeneral dhe drejtoi bandat e jugut nën organizimin e Komiteteve të Shpëtimit kundër qeverisë qendrore të PD-së.

Për të mos mjaftuar kjo, zoti Arben Imami ka qenë tre herë ministër i disa qeverive socialiste nga viti 1997 deri në vitit 2002, ku ka shërbyer si ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Decentralizimit dhe Pushtetit Lokal.

Ndonëse kishte qenë një ndër kundërshtarët e mëdhenj të Sali Berishës, madje duke u akuzuar nga ky i fundit edhe si ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, zoti Imami në vitit 2005 u gjend shef kabineti i Kryeministrit Berisha dhe 4 vjet më vonë ministër i Mbrojtes.

Ironia në këtë emërim qëndron se gjeneralit të rebelizmit dhe të shkatërrimit të ushtrisë shqiptare në ’97 iu besua Ministria e Mbrojtjes, madje, tanimë, si vend i NATOS.

Kur Lulzim Basha e la jashtë listët për deputetë në zgjedhjet e vitit 2017, Arben Imami doli hapur kundër Partisë Demokratike, në dallim nga Enkelejd Alibeaj në zgjedhjet e vitit 2013, i cili shkoi në punë të vet dhe nuk bëri asnjë reagim publik.

Nëse do t’i qëndrojmë fakteve dhe nëse do të arsyetonim dhe analizonim me logjikën e inspiruesit dhe drejtuesit të “Foltores”, koalicioni “Shtëpia e Lirisë” paska emëruar si drejtues shtabi të fushatës në Shkodër një tradhëtar të Partisë Demokratike, një njeri që ka dalë me kallashnikov kundër kësaj partie, një të shitur që ka qenë 3 herë ministër i socialistëve, një njeri me të kaluar të errët në ish-regjimin komunist etj., etj.

Demokratët e arsyeshëm, që i lexojnë faktet me mendjen e tyre, do ta kenë më të lehtë për të zgjedhur edhe mes këtyre dy alternativave.

Për të tjerët që shohin ëndrra me armiq imagjinar, të shitur dhe tradhëtarë, përpara se të akuzojnë duhet të shohin nga vetja dhe të skuqen.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *