28 Janar, 2023

Gazment Bardhi sfidon Berishën: Ti s’je burrë dhe s’ke moral, mbron vrasësit dhe Taulant Ballën

 Gazment Bardhi sfidon Berishën: Ti s’je burrë dhe s’ke moral, mbron vrasësit dhe Taulant Ballën

Një nga përplasjet më të ashpra brenda PD-së që pas largimit të Lulzim Bashës nga kreu i PD, ka qenë ajo mes Sali Berishës dhe Gazment Bardhit.

Teksa ishte i ftuar “Në Intervistë me Merita Haklaj”, Bardhi u shpreh se Berisha është i përqendruar te nevoja për pushtet brenda PD-së, duke hequr dorë nga opozitarizmi. Ai theksoi se do ta duartrokasë Berishën sa herë ai do të bëjë betejë me regjimin e Ramës.

“Berisha thotë, çdo gjë që nuk e bëjmë ne është e shitur, është e keqe. Do ta shikoni, tani do të ngrihet komisioni për investitorët strategjikë, nuk do t’i bien aferave të Ramës, por do të akuzojnë deputetët e opozitës. Ky është mentaliteti dhe për këtë jam gati të vendos bast. Në këtë rast është i parashikueshëm.

Ai nuk ka betejë me regjimin e Ramës, por me demokratët. Ai duhet të heqë dorë nga shtyrja përpara e një beteje mes demokratëve, pasi kështu nuk fitojnë as demokratët as Shqipëria. Ne kemi një betejë, atë me regjimin e Ramës.

Sa herë Berisha të bëjë betejë me regjimin e Ramës, unë do ta duartrokas, pa asnjë diskutim. Për fat të keq, ai ka hequr dorë nga opozitarizimi, është përqendruar te nevoja për pushtet brenda PD-së”, tha Gazment Bardhi.

Bardhi foli dhe në lidhje dhe me akuzat e fundit të Berishës, se së bashku me Tauland Ballën, ai mban përgjegjësi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Bardhi shpreh keqardhjen për transformimit të qëndrimit të Sali Berishës për këtë ngjarje të rëndë dhe e akuzoi ish-kryeministrin se ai ka bërë gjithmonë politikë me vdekjen, duke e quajtur këtë gjë të pamoralshme.

“Mbajtja qëndrim për atë ngjarje. Ndjej keqardhje për humbjen e jetës së një qytetari, por dhe për faktin që një tjetër person, babai i 4 fëmijëve qëndron në burg për këtë ngjarje. Kam bërë thirrje që kjo ngjarje të zbardhet.

Uroj që dhe Berisha ta ketë thirrjen që ngjarja të hetohet. Keqardhje për transformimin e qëndrimit të Berishës. E kuptoj që ai ka një betejë me Bardhin sepse ai mendon ndryshe. Mund ta bëjë atë përgjegjës për çdo lloj gjëje.

Demokratët e dinë që nuk jam shoqëruar kurrë me grupe kriminale, i kam pasur ata përballë. Për atë ngjarje nuk ka përgjegjësi jo unë, por asnjë demokrat i Elbasanit, që Taulant Balla kishte si shtab elektoral një strukturë të mirëfilltë të krimit të organizuar.

Ka deklarata të këtyre individëve që thonë që jemi pjesë e shtabit të Taulant Ballës. Unë kam bërë gjithçka për të mos pasur asnjë konflikt gjatë fushatës. Jam përpjekur të jem në ballë të betejës për të shmangur rrezikshmërinë.

Berisha e di mirë që individët që përfaqësonin PD në atë konflikt ishin njerëz që vinin nga radhët e policisë së shtetit, profesionistë. Ata njoftuan policinë dhe kur ka ndodhur ngjarja e rëndë aty ka qenë prezentë policia. Kjo ishte një porosi e lënë prerazi. I vetmi person i armatosur me armë ishte Arbër Paplekaj, i cili sot ndodhet përpara drejtësi.

Mirëpo asnjë tjetër nga stafi i PD nuk ishte i armatosur, ndërkohë që përballë kishin një grup të strukturuar kriminal, me makina të blinduara. Nuk dua të dal në konkluzione.

Çështja është në hetime paraprake. Ajo nuk po hetohet nga SPAK, kjo është një tjetër gënjeshtër e Berishës. Berisha bën politikë mbi vdekjen, e ka bërë gjithmonë, është e rëndë, jo e moralshme”, u shpreh Bardhi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *