28 Janar, 2023

Gazetari amerikan: Berisha është viktimë e ndikimit të Sorosit në SHBA, prej tij e shpallën “non grata”

 Gazetari amerikan: Berisha është viktimë e ndikimit të Sorosit në SHBA, prej tij e shpallën “non grata”

Nga Matt Palumbo, BONGINO

Para se të prezantoja librin tim ‘Njeriu pas perdes: Brenda rrjetit sekret të George Soros’ në mars, me mua u bashkua Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë (1992–1997) dhe ish-kryeministër (2005–2013), i cili udhëhoqi vendin në daljen nga komunizmi dhe betejat e të cilit me Sorosin i kam hasur në kërkimin tim.

Berisha ishte presidenti i parë jokomunist i vendit që nga vendosja e demokracisë dhe u ndikua fort nga programi ekonomik i Ronald Reagan në ringritjen e vendit të tij. Ai ka qenë kreu i Partisë Demokratike, parti e krahut të djathtë (një post që mund ta rifitojë), e cila aktualisht është në opozitë me Partinë Socialiste në pushtet.

Siç shpjegon Berisha për takimet e para me Sorosin, miliarderi kërkonte të shfrytëzonte Shqipërinë e lirë dhe fillimisht u paraqit si filantrop, duke financuar ndërtimin e shkollave e spitaleve, midis aktiviteteve të tjera të financuara nga OJQ-të e tij. Sigurisht, Soros e bën gjithçka për të fituar pushtet për vete, çka Berisha e mësoi shpejt.

Si kritik vokal i Sorosit, Berisha është viktimë e ndikimit të Sorosit në Shtëpinë e Bardhë të Bidenit. Në maj të vitit të kaluar, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken i ndaloi Berishës hyrjen në SHBA, duke e sanksionuar për akuza të pretenduara për korrupsion që daton mbi një dekadë më parë.

Vlen të pyetet se pse një President Demokrat i kohëve të fundit si Barack Obama nuk e kishte ndërmarrë një aksion të tillë nëse kishte prova për akuzat. Asnjë detaj për të mbështetur akuzat nuk u dha nga Blinken dhe Berisha këmbëngul që ka ‘zero prova’ pas akuzave për korrupsion, duke deklaruar se sanksionet amerikane u bazuan mbi informacionin e rremë nga organet e medias të mbështetura nga Soros.

Përgjegjës për akuzat për korrupsion të Berishës është East-West Management Institute. Instituti drejtohet nga një grua e quajtur Delina Fico, e cila ka titullin Drejtore e Shoqërisë Civile. East-West Management Institute është një nga grupet e financuar nga Soros (tjetri është Central European University) për të cilët thotë se i sheh si institucione të përhershme. Fico dikur ka qenë e fejuar me kryeministrin Edi Rama dhe më pas u martua me Bledi Çuçin, një nga aleatët më të afërt të Ramës.

Kongresmeni Zeldin (PR) iu referua lidhjeve me Sorosin kur i bëri pyetje Blinkeni gjatë një mbledhjeje të Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Ulët të Kongresit në qershorin e kaluar rreth sanksioneve drastike që dolën ‘me sa duket, nga hiçi’.

‘Çfarë informacioni specifik mund të ndani me Komitetin për të përligjur këtë lëvizje dramatike?’, e pyeti Zeldin. Blinken mohoi të kishte komunikim me Sorosin, por tha se nuk mund të fliste për këdo tjetër në Departamentin e Shtetit. Kur u këmbëngul te provat për korrupsionin, Blinken tha se ishin ndjekur të gjithë protokollët e duhur, por sërish pa dhënë prova për korrupsion.

Me sa duket, Blinken nuk mund të flasë në emër të askujt tjetër në Departamentin e Shtetit kur bie fjala për lidhjet e tyre me Soros, madje as në emër të vetë babait të tij.

I ati i Antony, Donald Blinken, dhe gruaja e tij Vera financuan Arkivat e Shoqërisë së Hapur Vera & Donald Blinken në Universitetin e Evropës Qendrore (ECU), e cila përmban një koleksion dixhital të dokumenteve historike hungareze. Në një raport të Soros Foundations Network më 2002, babai i Blinken renditet i treti në listën e Bordit të të Besuarve, pas kryetarit Soros dhe Aryeh Neier.

Donald Blinken ka qenë Ambasador i SHBA në Hungari nga 1994 deri më 1998, pikërisht kur Soros po përgatiste terrenin atje, dhe ai e gruaja e tij kishin lidhje të ngushta me qeverinë socialiste.

Blogu i përditshëm Hungarian Spectrum, i cili përmend Sorosin midis donatorëve të tij, ishte entuziast për Blinken si Sekretar Shteti i mundshëm pas zgjedhjeve më 2020, sepse ‘Hungaria nuk do të lihej në harresë gjatë katër apo ndoshta tetë viteve të ardhshëm në Washington’.

Pasi Blinken u konfirmua si Sekretar Shteti, gazeta hungareze Magyar Nemzet e quante ‘lajm i madh për George Soros’.

Për ta përmbledhur, kemi një kritik të Sorosit që i rezistoi ndikimit të tij, i sanksionuar nga një mik familjeje i Sorosit të cilit iu ofruan akuzat nga bashkëpunëtorja e Sorosit, ish e fejuar e kreut të Partisë Socialiste që Berisha e kundërshton. Kaq e dukshme është e vërteta këtu sa që vetëm një liberal mund ta refuzojë si ‘teori konspirative’.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *