5 Dhjetor, 2022

“Forbes”: 12 arsyet pse duket i pashmangshëm një sulm rus ndaj Ukrainës

 “Forbes”: 12 arsyet pse duket i pashmangshëm një sulm rus ndaj Ukrainës

Nga Sebastien Roblin “Forbes

Zyrtarët e administratës së Biden, deklaruan të premten se Rusia ka të ngjarë të ndërmarrë një aksion ushtarak kundër Ukrainës përpara fundit të Lojërave Olimpike Dimërore. Prandaj Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar tërheqjen e diplomatëve dhe 150 trajnuesve ushtarakë amerikanë në Ukrainë,teksa u ka thënë aleatëve se një sulm mund të fillojë që të mërkurën më 16 shkurt.

Meqë disa nga vlerësimet e Shtëpisë së Bardhë bazoheshin në të dhënat e shërbimeve sekrete, përfshirë përgjimet e sinjaleve, zyrtarët e administratës kanë refuzuar të ofrojnë prova mbështetëse për këtë pretendim nga frika e ekspozimit të mjeteve të përdorura.

Por videot dhe imazhet e postuara në mediat sociale ofrojnë prova të mjaftueshme, me të cilat mund të arrihet tek një sulm rus.

A do të thotë kjo se lufta është absolutisht e sigurt? Jo. Putini mund t`i tërheqë forcat e tij përpara se të fillojnë armiqësitë, dhe më pas të pretendojë se ishte Uashingtoni që po provokonte. Por gati të gjitha zhvillimet këtë vit, tregojnë se ushtria ruse po vepron sikur po përgatitet vërtet për të pushtuar Ukrainën. Ja cilat janë 12 arsyet që e mbështesin këtë skenar.

1.Diplomacia po vazhdon të dështojë në uljen e tensioneve

Mjerisht, takimet e shumta diplomatike që nga janari nuk kanë sjellë asnjë përparim. NATO është gati të zbatojë së bashku me Rusinë masat e kontrollit të armëve për raketat me rreze të mesme, të reduktojë patrullimet dhe stërvitjet ushtarake pranë Ukrainës, si dhe të përmirësojë transparencën dhe komunikimin.

Por këto nuk i plotësojnë kërkesat thelbësore të Putinit që kanë të bëjnë me angazhimin zyrtar të aleancës për mos-anëtarësimin e Ukrainës, ndaljen e zgjerimit të mëtejshëm në lindje, dhe largimin e trupave ndërkombëtare në vendet anëtare të NATO-s të Evropës Lindore. As biseda e fundit telefonike Biden-Putin të shtunën nuk solli asgjë të re.

2.Parlamenti rus, Duma, do të votojë për të njohur zyrtarisht pavarësinë e separatistëve pro-rusë në Ukrainën Lindore

Pavarësisht luftës së vazhdueshme midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë në Ukrainën Lindore, ushtria ukrainase ka qenë e kujdesshme për të shmangur incidentet që mund të shërbejnë si pretekst për pushtimin e Rusisë. Gjithsesi këtë javë Duma pritet të miratojë njohjen zyrtare të republikave separatiste të vetëshpallura të Luhanskut dhe Donjeckut.

3.Rusia po evakuon pjesën më të madhe të ambasadës së saj në Kiev

Moska ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka ndërmend ta pushtojë Ukrainës, por ndonjëherë veprimet flasin më shumë se sa fjalët. Shumica e stafit të ambasadës së saj në Kiev është këshilluar tëlargohet. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha“Nga frika e provokimeve të mundshme, ne vendosëm të reduktonim stafin e misioneve të huaja ruse në Ukrainë”.

4.Më shumë se gjysma e fuqisë luftarake të Rusisë është e dislokuar në kufirin rreth Ukrainës

Moska ka zhveshur rrethet ushtarake në të gjithë Rusinë deri në kockë për të lëvizur njësitë e mekanizuara të quajtura Grupet Taktike të Batalionit (BTG) me hekurudhë në Bjellorusi dhe për të përforcuar trupat ruse të dislokuara rreth Ukrainës.

Nga 30-35 Grupet Taktike të Batalionit (BTG) që janë me bazë të përhershme afër Ukrainës, analisti ushtarak Konrad Muzyka vlerëson se Rusia ka vendosur 90-95 nga 170 BTG-të e saj pranë Ukrainës, një shifër që ka të ngjarë të jetë rritur.

5.Personeli është i pajisur me të gjithë arsenalin që duhet për një sulm

Ushtria ruse është fokusuar në transportimin e pajisjeve të rënda (që duhet të bëhet përmes linjës hekurudhore dhe që mund të zgjasë më shumë se një javë). Trupa shtesë mund të dërgohen me shpejtësi me avionë në Rusinë Perëndimore apo Bjellorusi.

6.Ushtritë ruse po lëvizin nga bazat e tyre drejt kufirit me Ukrainën

Ushtria e 41-të që ishte grumbulluar në Jelnija në tetor, 150 milje në veri të Ukrainës, u pa duke lëvizur drejt jugut për t’u bashkuar me njësitë e tjera ruse shumë më afër kufirit në Klinci dhe Novozibkov, në pozicionin për të përparuar drejt Kievit. Po kështu po veprojnë dhe disa armata të tjera.

7.Forcat ajrore të Rusisë janë vendosur në pozicione sulmi

E ndarë nga Forcat Tokësore të Rusisë, Moska ka 4 divizione ajrore elitare në një degë të veçantë të quajtur VDV, të cilat ndryshe nga ato amerikane apo britanike, kanë mjetet e tyre të blinduara me parashutë luftarake (BMD dhe BTR-D) për lëvizshmëri, mbrojtje dhe fuqi zjarri. Dhe javët e fundit, shumë helikopterë luftarakë janë parë të mbështesin stërvitjet në Bjellorusi apo afër kufirit Rusi-Ukrainë në Belgorod.

8.Flota ruse e Detit të Zi e përforcuar, është larguar nga porti për“stërvitje”

Flotat ruse të Baltikut, Paqësorit dhe Veriut, kanë dërguar të gjitha mjetet e zbarkimit dhe anijet luftarake në Mesdhe dhe Detin e Zi. Më e rëndësishmja, gjashtë anije për transportin dhe zbarkimin e tankeve nga flotat e Rusisë Veriore dhe Baltike kanë hyrë në Detin e Zi, duke pasur me vete të paktën një BTG nga Brigada e Këmbësorisë Detare 336 në Kaliningrad.

9.Artileria ruse me fuqi të madhe, po pozicionohet gati për qitje

Pesë qarqet ushtarake të Rusisë kanë secili të paktën 4 brigada speciale zjarr-mbështetëse. Brigadat e artilerisë së rëndë të raketave numërojnë 24 sisteme të fuqishme raketahedhëse “BM-30 Smerch” me një rreze veprimi prej 90 km. Njësi të shumta BM-30 janë parë në Bjellorusi dhe në kufirin e Rusisë me Ukrainën.

10.Edhe policia ushtarake e Rusisë është në lëvizje

Rosgvardia (“Garda Kombëtare”) janë trupat ruse me mbi 300.000 trupa të sigurisë së brendshme. Edhe ato janë parë duke u mobilizuar pranë kufirit të Ukrainës. Për shkak se Rosgvardia është e trajnuar për policimin e popullatës civile, ato mund të jenë më të përshtatshme sesa forcat e rregullta tokësore për kontrollin e civilëve në zonat e pushtuara rishtazi, dhe mund të çlirojnë njësitë luftarake për misione sulmuese.

11.Është në gatishmëri logjistika për një luftë të vërtetë

Analistët ushtarakë janë shumë të impresionuar nga logjistika e ushtrisë ruse e vendosur në kufi. Ato përfshijnë edhe spitale fushore që mund ta bartin deri qindra të plagosur në fushën e betejës

12.Fuqia ajrore ruse është gati të mësyjë drejt Perëndimit

Për të shoqëruar 30.000 trupat e dislokuara në Bjellorusi, Rusia ka vendosur atje 2 skuadrilje: një me avionët luftarakë Su-35S, dhe një nga 15 avionët Su-25 Frogfoot të specializuar në misionet e sulmit tokësor. Dislokimi i tyre edhe në Kaliningrad synon të pengojë ndërhyrjen e NATO-s në emër të Ukrainës.

*Marrë me shkurtime

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *