28 Janar, 2023

Foltorja e Saliut dhe halli i amerikanëve

 Foltorja e Saliut dhe halli i amerikanëve

Nga Dritan Hila

Sado të përpiqesh ta relativizosh vizitën e senatorëve amerikanë në zyrën e Bashës, vizitën e Riker apo ato të ambasadores Yuri Kim që tashmë janë rutinë, një fakt është i padiskutueshëm: SHBA po investohen thellësisht në mbajtjen e Bashës në krye të PD. Pa dorashka, ata janë në krahun e tij dhe kundër Sali Berishës. Dhe kjo shkon përtej betejës rutinë të politikës së brendshme.

Të gjithë tashmë jemi të vetëdijshëm se me rënien e Zaev në Maqedoninë e Veriut, erëra siberiane po fryjnë në Ballkan. Shkupi është në teh të shpatës. Ndërkohë në Mal të Zi kemi një qeveri aspak refraktare ndaj Moskës.

Kurse Serbia ka filluar rishtas të jetë aktive jashtë kufijve të saj zyrtarë. Bosnja është objekti i parë i Beogradit. Kurse Prishtina mbetet ende një enigmë nëse kryeministri i saj e percepton realisht përgjegjësinë që ka marrë dhe në krahun e kujt duhet të jetë. Dhe në këtë mes ishte mangut edhe Sali Berisha me Foltoren e tij.

Tashmë gjithkush është i qartë se njeriu që u damkos familjarisht, nuk shikohet si përfaqësues i interesave amerikane në Evropë. Asgjë nuk ndodh rastësisht dhe aq më pak damkosja e ish kryeministrit të një vendi aleat me të cilin ke bërë aleanca dhe pakte të rëndësishmë.

Tashmë Berisha në sytë e amerikanëve minimalisht është politikisht i paqëndrueshëm për interesat e tyre; kurse realisht është i dyshuar për aleanca fluide mes lindjes e perëndimit. Gjithsesi në shkallën e dënimit që i është dhënë nga Departamenti i Shtetit, Berisha nuk ka marrë ende penalizimin maksimal. Dhe shkaku është pikërisht qënia e tij si udhëheqës i një vendi aleat.

Për shqiptarët është e qartë e kaluara e gjithë këtij personazhi. Për amerikanët tashmë është imperative që ti presin krahët pasi e kanë kuptuar që njeriu që e përkrahën për 25 vjet është gati të bëjë pakt edhe me djallin për hir të interesave të tij familjare. Ndaj edhe janë investur tek Basha duke i bërë shpatullën mbështetës.

SHBA nuk mund të lejojnë që fronti i tyre në Ballkan të gërryhet në një pikë që ata e konsiderojnë nevralgjike dhe ca më pak të lenë Shqipërinë pa një opozitë reale dhe qeverinë shqiptare pa një kontroll të brendshëm.

Por natyrisht që si opozitë nuk kanë prasysh pjellën që do të dalë nga foltorja. Për ta Berisha dhe çfarë vjen prej tij është një njeri i rrezikshëm dhe i kompromentuar. Rrjedhimisht i pavlefshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *