27 Nëntor, 2022

Fitorja e Bashës ndaj Berishës do ishte vdekjeprurëse për të gjithë ne, vetëm fitorja e Saliut na shpëton

 Fitorja e Bashës ndaj Berishës do ishte vdekjeprurëse për të gjithë ne, vetëm fitorja e Saliut na shpëton

Nga Andi Bushati

Mënyra se si Lulzim Basha po e zhvillon betejën brenda forcës së tij politike po përçon mesazhin më të keq të mundshëm edhe tek ajo pjesë e shoqërisë që nuk ndihet pranë PD-së. Duke mos njohur firmëtarët për mbledhjen e një kuvendi nga poshtë lart, duke mos dëgjuar klithmat e foltores, duke shpërfillur anketat e opinioneve që e dëshmojnë si një minorancë të dukshme, duke ndryshuar natën bravat e zyrave që kontrollohen nga kundërshtarët, ai po sillet si një sundues që kërkon ti imponhet përdhunshëm shumicës.

E vetmja e drejtë legjitime e kreut zyrtar të PD-së ishte ajo për mos fshehjen e delegatëve pas ilegalitetit, por tani, kur ata po dalin njëri pas tjetrit me emër dhe mbiemër, duket sikur loja ka marrë fund.

Lulzim Basha është pakicë në PD dhe këtë nuk e pranojnë vetëm ata që janë në konflikt interesi me të.

Mjafton të shohësh gjuhën dhe argumentat që pëdorin vartësit apo propagandistët e Bashës: ato janë tipike për një minorancë. Ata rëndom nuk flasin për mungesë shumice, por për moszbatim rregullash që e konstituojnë atë. Ata stigmatizojnë llumin e qeverisjeve të së shkuarës. Ata fshikullojnë anti-amerikanët që duan të shkëpusin të djathtët nga vlerat e euro atlantizmit. Ata tallen me njerëzit që votojnë pa tru, por me emocione. Ata tregojnë me gisht të gjithë militantët që duan të bëhen bunker për të mbrojtur krimet e Saliut dhe bëmat e fëmijëve të tij.

Pra, po ta vëzhgosh me kujdes, të gjithë idhtarët e PD-së zyrtare duan ta zhvendosin debatin nga realiteti i numrave, në gjoja mbretërinë e vlerave. Dhe ne emër të këtij kapërcimi ata duan ti japin legjitimitet një “pakice të ndritur” e cila paskësh të drejtën ti imponohet mazhorancës.

Kjo “pakicë e ndritur” dashkërka të këpusë kërthizën nga mëkatet berishiste, ajo qenkësh vetëpastruar nga llumi dhe çertifikta e saj më e madhe e virgjërisë, u vuloskërka nga mbështetja që i japin diplomatët e rrugës së Elbasanit.

Pikërisht këtu konsiston dëmi më i madh që qasja e Bashës po i bën kësaj shoqërie.

Sepse edhe Edi Rama ka ndjekur të njëtën rrugë. Pa qenë kurrë shumice reale në këtë vend, ai i’a ka arritur ta sundojë atë në emër të një “pakice të ndritur”, ku vlerat kishin më shumë rëndësi se numrat.

Në emër të saj ai kapi drejtësinë, duke propoganduar pastrimin dhe rilindjen e saj. Në emër të saj, ai pengoi dy palë zgjedhje me radhë koalicionet, një herë me marëveshje dhe një herë me kushtetutë, duke argumentuar se morali e donte që ai ta mbante tepsinë i vetëm.

Me justifikimin e këtij “legjitimiteti moral”, Edi Rama kontrollon 55% të parlamentit, duke pasur vetëm 48% të votave. Pikërisht krijimi i kësaj aureole e ka justifikuar çdo mjet të përdorur (ndryshimi i ligjit themeltar të shtetit, përdorimi i SPAK-ut, blerja e votës me para publike, kapja e mediave dhe aleanca me bandat), në emër të qëllimit të lartë të triumfit të së mirës.

Por deri më tani, ndonëse me eksplorimin e rrugëve që di ti çajë vetëm ai, Edi Rama ka arritur të imponohet, shoqëria shqiptare ia kishte dalë të ruante një farë ekuilibri. Sepse një front shumë më i madh se ai i opozitës zyrtare ka treguar se është gjithmonë i gatshëm të kundërshtojë sundimin e “pakicës së ndritur” mbi shumicën numerike.

Por, me qasjen aspak burrërrore që Basha ka zgjedhur për të vazhduar betejën në PD, ky front riskon të thërmohet. Nëse fraksioni i bravave arrin ta mbajë drejtimin e PD-së edhe pas dhjetorit, kumti që do të na përcillej të gjithëve do të qe dekurajues. Prej tij do të kuptonim se jetojmë në një “demokraci” ku mazhoranca nuk ka më vlerë dhe asaj i takon vetëm të nënshtrohet.

Për sa kohë që ky qe mesazhi që tentonte të përcillte pushteti, ndaj kësaj sfide ia vlente të rrezistohej, por kur ajo rrezikon të bëhet edhe kredoja e partisë kryesore të opozitës shoqëria shkon drejt asfiksisë.

Ky pra është kërcënimi më i madh i vijësjelljes që ka vendosur të ndjekë Lulzim Basha: ai se, në këtë vend, mund të sundosh edhe duke qenë pakicë. Prandaj një fitore e tij e mundshme nuk i bën dëm vetëm PD-së, por mbarë shoqërisë. Sepse më shumë sesa gjithçka kjo është ajo që i duhet sot regjimit të Edi Ramës.

Më kot Lulzim Bashën e akuzojnë se ka bërë pakte humbëse me kryeministrin, se ka flirtuar fshehtas me oligarkët e tij, se tani organizon nga halli skena femijënore lufte në parlament. Të gjitha këto do të shumëzoheshin me zero, nëse në fund të procesit të PD-së, triumfon kredoja e tij, se në këtë vend vota nuk ka më vlerë. Asgjë më shumë se kjo nuk do ti leverdiste pushtetit. Asgjë më tepër nuk do e zhyste çdo lloj rrezistence në një letarigji të pa llogaritshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *