3 Shkurt, 2023

Fiton mbi 70 mln euro në vit, por Shefqet Kastrati detyron ARRSH-në që t’i ndërtojë rrugën ‘private’ për biznesin

 Fiton mbi 70 mln euro në vit, por Shefqet Kastrati detyron ARRSH-në që t’i ndërtojë rrugën ‘private’ për biznesin

Nga 2004, kur u miratua dhënia me koncesion për herë të parë të Aeroportit të Rinasit, ata që kanë gëzuar fitimet marramendëse të tij kanë qenë të shumtë, ngagjermanë te kinezët dhe tashmë te Kastrati.

Kontrata e kopsitur në atë kohë nga qeveria “Nano” i jepte koncesionarit disa favore, mes të cilave edhe ekskluzivitetin e fluturimeve në Shqipëri.

Megjithatë, gjermanët e Hochtief nuk i morën të gjitha me vete. Ata investuan në zgjerimin e terminalit, të pistës dhe deri edhe në rehabilitimin e rrugës nga Qafa e Kasharit drejt Aeroportit.

Rruga u bë me dy korsi të plota dhe në kohën që u krye ky investim, rreth 17 vite më parë ishte ndër segmentet me standardet më të larta. Sigurisht, paratë e shpenzuara në këtë investim kompania gjermane i ka marrë mbrapsht shumëfish prej koncesionit të majmë që mbajti për vite me radhë.

Por, ishte meritë e tyre që aeroporti dhe rruga që lidh atë me kryeqytetin mori një pamje më europiane. Tani çfarë ndodh? Koncesionari shqiptar, pra Kastrati, me një fluks të rritur fluturimesh, që do të thotë rritje fitimesh për të, jo vetëm që nuk vë dorë te rruga, por detyron gjithë aparaturën shtetërore që herë të eksperimentojë me rrugën duke e shndërruar me një korsi dhe herë të paguajë nga paratë e qytetarëve ndërtimin e një rruge të re.

Për këtë qëllim, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender me vlerë 33.3 milionë lek dhe parashikon rehabilitimin e rrugës së ish-repartit ushtarak për në aeroportin e Rinasit. Rruga ka një gjatësi 6.7 kilometra.

Në një distancë rreth 1280 metrash përpara se të shkosh te rrethrrotullimi i Rinasit, në afërsi të repartit ushtarak, mendohet të ndërtohet një rampë dalëse e cila do të lidhë segmentin rrugor mbikalimi i Kasharit – Aeroporti i Rinasit me rrugën ekzistuese reparti ushtarak – sheshi i parkimit të Aeroportit. Ndërtimi i kësaj rruge alternative, shkruhet në dokumentet e tenderit, do të lehtësojë sado pak trafikun e rënduar, pasojat e të cilit reflektohen më shumë në rrethrrotullimin e Rinasit.

Pra, Shefqet Kastrati që bleu koncesionin e aeroportit nga kinezët për një shifër prej rreth 70 mln eurosh dhe që prej vendimit të Qeverisë për heqjen e tarifës së kalimit të kufirit do të përfitojë përgjatë viteve të koncesionit miliona euro të tjera, detyron ARRSh që të investojë për rrugën e biznesit të vet.

Aktualisht, Aeroporti i Rinasit realizon fitime rreth 90 mld lek në vit, ose rreth 75 mln euro fitime që janë të destinuara të rriten bashkë me rritjen e numrit të udhëtarëve, për shkak se kontrata e lejon rishikimin e tarifave të shërbimeve vetëm në rritje, jo në ulje.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *