Filmi shqiptaro-amerikan “The spark”, (“Shkëndija”) dhe ngjarjet e tij tronditëse

Nga Skifer Këlliçi
Deri vitin e kaluar, Erand Sojlin e kam njohur nëpërmjet ekraneve të kanaleve televizive kryesisht në role komike, ku është bërë shumë i dashur për teleshikuesit. Kështu që kur një ditë u takova me të këtu në Boston ku jetoj prej më shumë se dy dekadash dhe ai prej pesë vitesh, dhe nisëm të bisedonim për punët tona krijuese, u habita kur më tha se ishte në përfundim e sipër të një filmi artistik me metrazh të gjatë. Pandeha se mos ky film do të ishte në vazhdën e filmave të tjerë humoristikë të tij … por jo, ishte fjala për një film që pasqyronte ngjarje aktuale shqiptaro-amerikane, pra, të ditëve tona, dhe kur themi të ditëve tona, kam parasysh ngjarje nga më tronditëset të saj, të shoqëruara çdo ditë me fjalët ndjekje, grabitje, përdhunime, vrasje, por edhe me fjalën … drejtësi, ligj, simbolizuar me SPAKUN, që duhet t’i ndëshkojë autorët e saj, sidomos ata të sferave më të larta, veprimtaria e të cilëve në këtë film shtrihet deri këtu në Amerikë dhe në rastin tonë në Boston.
Filmi merr kështu përmasa shumëplanëshe, të harmonizuara mirë me njëra-tjetrën, realizuar nga regjisori Erand Sojli, që në këtë film është edhe skenarist, dhe një nga aktorët kryesorë, por krejt i ndryshëm nga Sojli që kemi parë në filma humoristikë. Drini i tij në film është një personazh në rolin e dëshmitarit që është bërë makth i disa politikanëve të korruptuar, sejmenët e të cilëve e ndjekin deri në Amerikë, e rrëmbejnë, e torturojnë, që të mos rrëfejë ato që ka parë me sytë e tij, të cilët duan që ai kurrsesi të mos kthehet në atdhe dhe të dëshmojë për bëmat e shëmtuara korruptive të tyre. Aktori Jul Neshati në rolin e Xhimit, është shumë bindës në interpretimin e tij, një personazh që lidh fijet e politikës me mafien, njeriu që i ka një borxh asaj dhe së fundi e pëson… Jason Reulet (aktor amerikan në rolin e Davidit) që ka për detyrë të mbrojë Drinin në situata të kompkuara arrin të zbulojnë rrënjët shumë të rrezikshëm mafioz. Ervis Dhima në rolin e Jurit, është emigrant pa dokumente, që pranon të bëjë çdo gjë për të mbijetuar.
Ndaj ndodhet në udhëkryq…Të dorëzojë Xhimin, që e ka atin e tij shpirtëror, që e ka strehuar me gjithë familje apo të mbyllë sytë përpara një padrejtësie të paparë që duhet dënuar? Hoger Ademi, në rolin e Enios, djalit të Drinit, fëmijë i dhënë pas kompjuterit, që merr përsipër të ruajë të gjitha dosjet e të atit, ku ruhen aktet e korrupsionit të atyre që i kërkojnë me çdo kusht. Këtij
Keti Jani luan rolin e Morenës, grua e sfilitur nga tronditjet familjare, që vendos të hidhet në krahët e Xhimit, armikut kryesor të Drinit. Greta Sojli, në rolin e Rinës, vajzës së vogël të Drinit, rritur nga një shtet në tjetrin, mbart mbi shpatullat e saj të brishta dramën e ankthshme që trondit pambarimisht familjen. Astrit Çerma, aktori i mirënjohur i ekranit, është ish-hetues komunist, vegël e pështirë e diktaturës, tashmë në emigrim, i shndërruar në një kapobandë shumëkombëshe. Asgjë nuk ndodh në Boston pa lejen e Don Titit të tij, motoja e të cilit është t’u kallë datën atyre që i quan armiq dhe më në fund t’i vrasë.
Megani, agjentja që merr përsipër të kujdeset për dëshmitë që ka mbledhur Drini, që të çojë përfundimisht kupolën e korruptuar në dyert e drejtësisë, interpretohet nga Erjeta Cufaj. Janë këta personazhe, pra, negativë dhe pozitivë, që në përplasjet midis tyre u japin ngjarjeve të filmit nga fillimi në mbarim ton gjithnjë e më shumë dramatiko-tragjik… Veç regjisë së Erand Sojlit dhe personazheve të mësipërme, meritë në ngritjen e nivelit të filmi kanë luajtur Aldo Toda, drejtori i fotografisë, bashkëskenarist dhe producent, Kostika Çerma, kompozitor, Eljodor Markja, montazhier, producent dhe kompania amerikane “Sojli&Production”, Nju Jork dhe Boston. Filmi është shfaqur me sukses në Boston dhe së shpejti do të shfaqet në Nju Jork dhe qytete të tjera, ku po pritet me shumë interes nga shqiptarët e diasporës sonë në Amerikë.