30 Nëntor, 2022

Fehmi Abdiu: Pse Ilir Meta po shantazhon Gjykatën Kushtetuese, njësoj si Berisha

 Fehmi Abdiu: Pse Ilir Meta po shantazhon Gjykatën Kushtetuese, njësoj si Berisha

Ka bërë mjaft përshtypje, se nga konferenca për shtyp e Ilir Metës të premten, nuk është komentuar fare një pjesë e rëndësishme e saj, ku sulmohet Gjykata Kushtetuese.

“Konstatuam se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, kryesisht barra bie mbi relatoren, ka të dhëna se kanë kryer disa shkelje të rënda profesionale dhe etike, që cenojnë veprimtarinë e gjyqtarit”, tha Meta.

Për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, kjo deklaratë është e rrezikshme, me qëllim të caktuar, por nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore.

Meta foli për “hetim disiplinor” ndaj një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese, që për konstitucionalistin e njohur, është një skandal i madh.

“Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përgjigjen vetëm përpara Kushtetutës, e për këtë nuk ka asnjë organ që mund të kontrollojë veprimtarinë e tyre”, deklaroi Abdiu në një prononcim telefonik.

Ai thekson se edhe sikur të kishte ndonjë problem ose shqetëesim në lidhje me praktikën e institucionit, Ilir Meta nuk mund të prononcohet, ngase është në konflikt të pastër interesi, sepse Kushtetuesja ka në duar një çështje ku kërkohet shkarkimi i kreut të shtetit.

“Ato deklarata nuk janë asgjë tjetër veçse shantazh i hapur për dy qëllime. I pari për të justifikuar dhe mbuluar anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, që u rrëzua nga Gjykata.

Ndërkaq, qëllimi tjetër është që të shantazhohet në mënyrë të qartë një anëtar i Gjykatës Kushtetuese, për çështjen ku Meta është pjesë, pra për shkarkimin e presidentit.

Synohet që nëpërmjet kësaj deklarate të bëjë tërheqjen e një anëtari nga çështja, ç’ka e dëmton rëndë situatën.

Pasi sot, Gjykata Kushtetuese ka pak anëtarë sepse nuk është kompletuar e tëra, ndërsa me tërheqjen për një çështje të një anëtari bëhet një trupë gjykuese e cunguar që nuk mund të marrë vendim, ngaqë mund të arrihet shumicë e ngushtë 3 me 4.

Gjykata Kushtetuese është sulmuar egërsisht që në kohën e Sulltan Mehmetit”, thëkson Abdiu, duke ironizuar Sali Berishën, i cili e shantazhoi rëndë institucionin që intepreton ligjin themeltar të shtetit në vitet 2001-2005.

“Nuk ka asnjë mundësi që të cënohet apo apelohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Këto shantazhe të Ilir Metës nuk do të arrijnë asnjë synim, siç nuk kanë arritur ata të para disa vitesve nga ana e Sali Berishës”, deklaron Fehmi Abdiu.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *