28 Nëntor, 2023

Fatos Klosi: E vërteta e rrahjes së Ramës nga shikasit me xhupa të zinj të Gazidedes. S’donim hakmarrje

 Fatos Klosi: E vërteta e rrahjes së Ramës nga shikasit me xhupa të zinj të Gazidedes. S’donim hakmarrje

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka sqaruar të vërtetën e rrahjes së Edi Ramës në vitin 1997.

Ish-kreu i SHISH i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh se rrahja e Edi Ramës në 97 ishte krim pasioni dhe jo krim politik.

Berisha përfshiu Klosin në këtë histori, duke deklaruar se Klosi nuk mori masa më vonë pasi e dinte se Rama u rrah për çështje pasioni, duke aluduar për një femër.

Fatos Klosi deklaroi se Edi Rama është rrahur nga SHIK-u i Gazidedes dhe i Sali Berishës, pasi kryeministri aktual në atë kohë guxoi të shkruante dhe të fliste kundër atij pushteti dhe vetë Berishës.

Klosi pohoi se alibia e Berishës nuk qëndron. Sipas Klosit, përpos Edi Ramës janë rrahur edhe intelektualë të tjerë që kishin guximin të thonin atë që mendonin, nga shikasit e Gazidedes, të cilët ishin individë me xhupa të zinj dhe me gjuhë të trashë.

“SHIK-u rrahu sa mundi jo vetëm Edi Ramën. Unë gjysmën e SHIK-ut nuk e kam gjetur aty. Si t’i largoja ata që rrahën politikanët? Ishte shumë qartë që ajo dhunë që u përdor, ishte vepër e SHIK-ut.

Mua më kërkuan që t’i ndryshoja emrin institucionit. Ata që rrahën Edi Ramën ishin individë me xhupa të zinj, njerëz me një gjuhë të ashpër.

Rama u rrah se foli kundër pushtetit të Berishës. E njëjtë gjë ndodhi edhe me Ndre Legisin. Ai ishte SHIK-u i Gazidedes dhe i Sali Berishës, të cilët urdhëruan sulmet ndaj Edi Ramës dhe intelektualëve të tjerë”, deklaroi Klosi.

Ish-kreu i SHISH, shprehet se Berisha me bëmat e tij e ka merituar që në atë kohë vendin që i takonte.

“Të gjitha ata djem që kishin guximin të thonin hapur atë që mendonin, e pësuan duke u goditur, ashtu siç ndodhi edhe me Teodor Kekon.

Asokohe qe një frymë që nuk mund të merrje hak, se do na quanin djem të komunizmit.

Berisha e meritonte që atëherë vendin që i takonte, sepse e dogji këtë vend. Por ne nuk donim hakmarrje!”, u shpreh Klosi.

Fatos Klosi e ka cilësuar shpifje deklaratën e Berishës dje në Kuvend se rrahja e Edi Ramës ishte krim pasioni, duke u shprehur se ish-kryeministri kërkon të gjejë alibi për të mbuluar dhunën ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

“Kur Berisha thotë se ai ishte krim pasioni dhe ko krim politik, ai shpif. Berisha i shet shpifjet për të vërteta. Kjo është një metodë e vjetër e të bërit politikë. Më habit fakti që Berishën e lejojnë të flasë pa pushim në Parlament.

Ai po krijon alibi për të mbuluar dhunën ndaj kundërshtarëve politikë. Me atë sigurinë e tij që e karakterizon kur flet, përpiqet që t’i imponohet atyre që e dëgjojnë. Klosi për Berishën”, u shpreh Klosi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *