27 Nëntor, 2022

Fati i Ilir Metës, në dorë të Vitore Tushes dhe Marsida Xhaferllarit

 Fati i Ilir Metës, në dorë të Vitore Tushes dhe Marsida Xhaferllarit

Nga Adriatik Doçi

Fati i Ilir Metës në Gjykatën Kushtetuese është një nga zhvillimet e pashmangshme që do të shënjojë vitin 2022. Në 18 janar, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Ilir Metës, për shkeljen e 20 neneve të Kushtetutës, provokimin e cenimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cenim të sigurisë publike, thirrje për veprime të dhunshme etj. Që presidenti Ilir Meta të shkarkohet nga detyra, duhet të votojnë pro vendimit të Kuvendit të paktën 5 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhet të kishte.

Ndonëse nuk përjashtohen surprizat, duket se vetmja votë e paqartë dhe e lëkundur është ajo e anëtares Marsida Xhaferllari, e emëruar nga Ilir Meta në vend të Arta Vorpsit, pa Veting dhe në mënyrë të diskutueshme. Deri kur Lulzim Basha u nda nga Berisha dhe Meta në 9 shtator 2021, Xhaferllari konsiderohej si një votë nën influencat e Enkelejd Alibeajt, Ilir Metës dhe Sali Berishës. Me ndarjen e Bashës nga Meta dhe Berisha, mbetet për t’u parë pozicioni i Xhaferllarit, pasi siç dihet Alibeaj është pozicionuar në krah të Bashës dhe SHBA-ve.

Në 13 dhjetor 2021, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar me shumicë votash në dhomë këshillimi Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, duke lënë në fuqi ndryshimet në ligjin për vetëqeverisjen vendore të vitit 2015. Marsida Xhaferllari bashkë me Sonila Bejtjan votuan pro Kryemadhit. Por, nga ana tjetër, Marsida Xhaferllari, është bashkuar me shumicën kundër Ilir Metës, duke i rrëzuar kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërinësë zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Në fillim të muajit prill 2021, Ilir Meta akuzoi Gjykatën Kushtetuese për ndikim politik, pas vendimit për të rrëzuar disa ndryshime në ligjin për financat vendore. Edhe në këtë rast, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja votuan në linjën që donte Meta. Këto tre prova të forta konfirmojnë paqartësinë e votës së Marsida Xhaferllarit për fatin e Ilir Metës. Megjithatë, vota e Marsida Xhaferllarit nuk është vendimtare për fatin e Ilir Metës.

Vota vendimtare është e Vitore Tushës. Në të tre rastet, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, ka votuar kundër Ilir Metës, duke u bashkuar me shumicën. Madje, vota e zonjës Tusha ka qenë vendimtare në të gjitha vendimmarrjet e Kushtetueses, në rastet kur Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja kanë dalë kundra. Vitore Tusha ka dhënë një tjetër sinjal kundër Ilir Metës.

Vitore Tusha është emëruar në Kushtetuese në vitin 2008 me votat e Sali Berishës, ndërsa përflitet për një raport të afërt me të bijën e Berishës, Argitës. Zonjës Tusha i ka mbaruar mandati që në vitin 2017, pra prej 4 vitesh, por Berisha dhe Meta, ndryshe nga sa është vepruar me Ardian Dvoranin, nuk kanë kërkuar largimin e saj. Madje, Meta e propozoi zonjën Tusha edhe për të drejtuar KLSH.

Në qershor të vitit 2020, KLGJ-ja me kërkesë të Ilir Metës shkarkoi nga detyra kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin, me argumentin se i kishte mbaruar mandati si anëtar i Gjykatës së Lartë. Disa javë më pas, Vitore Tusha, pjesë e KED, i darkoi një letër Dvoranit për t’u kthyer në KLD, me argumentin se mandati i tij mbaronte në fund të vitit 2020. Një lëvizje e tillë nuk u prit mirë nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, të cilët i kishin shpallur luftë Dvoranit, që kur ky i fundit votoi kundër pafajësisë së Metës në janar 2012, kur prokuroria kërkonte 2 vite burg për korrupsion.

Ilir Meta ka një votë të sigurt në Gjykatën Kushtetuese: Atë të Sonila Bejtjat. Kjo e fundit ka votuar në linjën e Metës në të gjitha rastet vendimtare në Gjykatën Kushtetuese. Sonila Bejtja është bashkëshortja e Andi Bejtjas, një analist pranë LSI-së, mbështetës i kauzave të Berishës dhe Metës, si dhe themelues i një televizioni të Familjes Berisha. Sonila Bejtja u emëruar nga Ilir Meta në Kushtetuese në mënyrë tejet të diskutueshme.

Mes arsyeve të Kuvendit për shkarkimin e Ilir Meta është edhe shpërthimi i paprecedentë natën e 23 prillit kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim. Në këto kushte, më shumë se në mes të Metës dhe Kuvendit, anëtarët e Kushtetueses duhet të pozicionohen mes SHBA dhe Ilir Metës.

Akuzat e Kuvendit për Ilir Metën

1.      Thirrjet publike për veprime të dhunshme (neni 223 i Kodit Penal)

2.      Thirrja për urrejtje nacionale (neni 266 i Kodit Penal)

3.      Kërcënim dhe intimidim të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

4.      Cenim i figurës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

5.      Përpjekje për të krijuar krizë dhe incidente diplomatike me SHBA-në

6.      Tentativë për të denigruar aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë (SHBA)

7.      Rrezik për të krijuar kriza apo incidente diplomatike me vende të tjera

8.      Shantazh dhe sulme ndaj ambasadorëve të tjerë për t’u diktuar se çfarë qëndrimesh duhet të mbajnë

9.      Deklarata të kundërta nga qëndrimi zyrtar e Shqipërisë për aleatët strategjikë

10.    Cenimi i imazhit dhe reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë

11.    Përkrahje e strukturave paralele shtetërore si struktura paramilitare e PD-së për mbrojtjen e votës.

12.    Cenim i sigurisë dhe rendit publik

13.    Ndërhyrje të paligjshme në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese (neni 124 i Kushtetutës)

14.    Ndërhyrje të paligjshme në veprimtarinë e Gjykatës së Lartë (neni 135 i Kushtetutës)

15.    Ndërhyrje të paligjshme në veprimtarinë e Gjykatave Speciale (neni 135 i Kushtetutës)

16.    Ndërhyrje në veprimtarinë e gjykatave dhe gjyqtarëve (neni 145 i Kushtetutës)

17.    Ndërhyrje në veprimtarinë e SPAK (neni 148 i Kushtetutës)

18.    Ushtrim i kompetencave që i takojnë Kuvendit (Neni 2/2 Kushtetuta)

19.    Uzurpim i kompetencave të kryeministrit (Neni 102/2 i Kushtetutës)

20.    Ndërhyrje dhe pengim i qeverisë (Neni 100/1 i Kushtetutës)

21.    Ka vepruar në kundërshtim me parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë (neni 4 Kushtetuta)

22.    Ndërhyrje dhe shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor (neni 7 Kushtetuta)

23.    Ndërhyrje dhe shkelje të autonomisë vendore (neni 13 Kushtetuta)

24.    Diskriminim në bazë bindjesh politike (neni 18 Kushtetuta)

25.    Ndërhyrje në të drejtën për t’u zgjedhur të subjekteve politike, duke cenuar barazinë e konkurrimit politik (neni 45 Kushtetuta)

26.    Shkelje e betimit si Presidentit dhe akte në kundërshtim me formulën e betimit (neni 88/3 i Kushtetutës”

27.    Përfshirje në lojën politike, dalje nga roli si përfaqësues i unitetit të popullit, angazhim në krah të një force politike (Neni 86/1 Kushtetuta)

28.    Ushtrim i detyrave të tjera përveç funksionit si President (neni 89 i Kushtetutës)

29.    Ushtrim i kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të (neni 94 i Kushtetutës)

30.    Shkelje e parashikimit të Kushtetutës, sipas të cilit qeveria merr vendime me propozim të kryeministrit ose ministrit përkatës (Neni 100/2 i Kushtetutës)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *