5 Dhjetor, 2022

Është ky vendi ku Zogu fshehu pasuri? Historia e sekuestrimit të 3 milionë dollarëve flori në Egjipt dhe ndërhyrja amerikane

 Është ky vendi ku Zogu fshehu pasuri? Historia e sekuestrimit të 3 milionë dollarëve flori në Egjipt dhe ndërhyrja amerikane

Një banor në Long Island të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zbuluar vendin ku Mbreti Ahmet Zogu I, thuhet se ka fshehur pasurinë e tij në rezidencën e quajtur Knollwood. Ky banor nuk e kishte idenë se kush ishte Ahmet Zogu, por pas hulumtimeve të shumta, ai e kuptoi se dikur ishte “mbreti” i arratisur i Shqipërisë. Kureshtja e tij për këtë vend, çoi atë në rrënojat e këtij pallati që u ndërtua në mes të viteve 1906 – 1920. Rrugëtimin e tij, ai e ka publikuar në faqen scoutingny.com.

Ahmeti shpresonte të shkonte në Shtetet e Bashkuara, së bashku me një numër të konsiderueshëm të pasuesve të tij. Kjo është arsyeja pse ai kishte blerë këtë pallat prej 60 dhomash pranë Nju Jorkut, që megjithatë nuk u banua kurrë nga familja e tij që duhej të vinte nga Egjipti por hasi në probleme.

Sipas një shkrimi të Vanilla Magazine qarkulloi një legjendë se mbreti shqiptar e fshehu thesarin e tij në këtë kështjellë misterioze, që me kalimin e kohës u shkatërrua, ndoshta nga dikush që besohet se ka gjetur kushedi sa pasuri.

“Zogu I, e shiti më pas shtëpinë e madhe në SHBA në vitin 1955, për t’u transferuar në Francë. Nuk ka gjasa që ai të ketë fshehur një thesar në shtëpinë e tij në Amerikë, që pastaj u rrënua pjesërisht. Ai vdiq në Francë në vitin 1961, për një sëmundje që nuk u bë kurrë e njohur. Por ndoshta nuk ishin pa faj, 200 cigaret që mbreti pinte çdo ditë” – shkruan Vanilla Magazine.

Sidoqoftë, në vitin 1953, Mbreti Zog vazhdonte të jetonte në Egjipt.

Në dokumentet e deklasifikuara të CIA-s gjendet edhe dokumenti i mëposhtëm.

Prej disa muajsh, miku i tij, mbreti Faruk kishte rënë nga pushteti dhe një tjetër linjë politike drejtonte Egjiptin.

Ndryshimi i kursit politik solli dhe pasojat e para për Zogun. Fillimisht, autoritetet egjiptiane e vendosën nën hetim Zogun për evazion fiskal.

Më pas ata i sekuestruan atij një sasi floriri që Zogu e kishte marrë nga Shqipëria. Kjo sasi asokohe vlerësohej në 3 milionë dollarë.

Dokumentet e de-klasifikuara tregojnë se ky veprim i tyre vuri në lëvizje amerikanët.

Një dokument i CIA-s zbulon se ka pasur një takim mes zyrtarëve amerikanë dhe zyrtarëve egjiptianë për këtë çështje.

Amerikanët i kanë thënë palës egjiptiane se nuk dëshironin që ndaj Zogut të ushtrohej presion pasi ai përfaqësonte një aset që po u shërbente amerikanëve dhe CIA-s në operacionet sekrete të diversionit kundër Shqipërisë komuniste.

Egjiptianët sugjeruan një skemë: që vetë CIA të blinte këtë sasi floriri që ata ia kishin sekuestruar Zogut.

Detajet mbi këtë propozim gjenden të sqaruara në dokumentin e përkthyer pjesërisht të CIA-s:

SEKRET – 20 Tetor 1953 

Siç edhe na ka raportuar kontakti ynë më datën 17 Tetor, ka pasur disa takime formale dhe informate me autoritetet Egjiptiane dhe Zogu është shumë i shqetësuar për akuzat që mund të ngrihen kundër tij…

Zogu ka dërguar ish-ministrin e tij në Kajro, për të informuar Ministrin e Jashtëm që Zogut i duhet një pjesë e parave të ngrira për të siguruar jetesën dhe për të kërkuar që të bëheshin të qarta akuzat ndaj tij.

Personi (i fshirë emri) sugjeroi që këto lëvizje të Egjiptianëve ndaj Zogut mund të jenë një “gjueti peshqish”  për të gjetur më parë faktet dhe më pas për të ndërtuar akuzën. Ai shprehu besimin e tij se nëse Zogu do të tregonte vullnet për të bashkëpunuar atëherë një rrugëdalje mund të gjendej.

Raportojmë se dosja e (emër i fshirë) i është kthyer atij që më datën 17 Tetor. Kontakti i Zogut ka kontaktuar një oficer egjiptian policie i cili i ka thënë se pritet që brenda datës 22 Tetor policia t’i bëjë një kontroll fizik Zogut.

Më datën 16 tetor Zv.Kryeministri i Egjiptit, Gamal Abd al Nasr, i tha një oficeri të ambasadës sonë se Egjipti ka bërë përpjekje që t’i marrë taksat e papaguara Zogut, por Zogu ka refuzuar.

Oficeri i ambasadës i bëri të qartë Naserit se Zogu e ka ndihmuar shumë perëndimin në fushatën anti-komuniste dhe çdo përndjekje ndaj Zogut nuk do të pritej mirë në SHBA.

Naseri i sugjeroi Shteteve të Bashkuara që t’ia blinin florinjtë  Zogut me dollarë, e më pas t’ia shisnin këtë sasi Bankës së Egjiptit e cila do e blejë në paund-egjiptianë dhe me sasinë e fituar, amerikanët të përballonin shpenzimet e tyre qeveritare në Egjipt.

Ambasadori nga ana e tij shprehu dëshirën që CIA të merrte në shqyrtim këtë propozim.

Personi (emër i fshirë)  pasi u njoh me këtë propozim, vuri në dukje se as çështja e taksave dhe as çështja e floririt nuk ishin një problem aq i lehtë sa dukeshin. Ai tha se rekomandimet e tij do të vinin pas bisedimeve të fundit që do të zhvillonte me Zogun në Aleksandri (Egjipt). Këto rekomandime ne ende nuk i kemi marrë

(dokumenti vijon më tej me detaje për çështjen e taksave të papaguara dhe të floririt të Zogut)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *