Erion Braçe përplaset publikisht me Ramën: Unë nuk gënjej

Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu ironitë në lidhje me kritikat që bëhen ndaj qeverisë sa i takon sektorit të bujqësisë.
Teksa prezantoi sot buxhetin e ri për bujqësinë për vitin 2022 që e konsideroi më të madhin në histori, Rama iu përgjigj komenteve negative duke thënë se kush shkruan në facebook se bujqësia ka marrë fund, janë ‘out’.
Kryeministri shtoi se sot punohet dyfishi i tokës krahasuar me 2013 dhe se eksportet janë rritur ndjeshëm.
“Atyre që nga smartphone-i bëjnë komente në Facebook që bujqësia ka marrë fund, fshati ka marrë fund, gjithçka ka marrë fund, u them që jeni “out” nuk dini se çfarë flisni. E kundërta është e vërtetë. Mjafton të shikojmë faktet dhe nuk ka nevojë të humbasim në shumë shifra. Mjaftojmë të shikojmë eksportet.
Rritja e përvitshme e eksporteve bujqësore tregon vetë, nuk ka nevojë të diskutojë gjërë e gjatë. Eksportet bujqësore rriten sepse rritet prodhimi. Eksportet bujqësore rriten sepse rriten kapacitetet grumbulluese.
Eksportet bujqësore rriten sepse rriten kapacitetet tregtuese të vendit. Ashtu sikundër, mjafton të shikojmë tokën që punohet. Si paska shkuar mbrapsht kjo punë kur në 2013 punoheshin 120 mijë hektarë, sot punohen 255 mijë hektarë?
Jemi në kushtet ku punojmë dyfishin e tokës në Shqipëri.Pse e punojmë dyfishin e tokës në sot?Sepse kemi investuar fuqishëm në 230 mijë hektarë sipërfaqe, duke rihabilituar ujitje dhe kullim. Pse nuk punohej toka deri disa vite më parë? Sepse nuk kishte as ujë, as kullim”, tha Rama.
Duke se përgjigja e Ramës për kritikët i drejtohet edhe ish-zëvendëskryeministrit Erion Braçe, i cili ka qenë kritiku më i madh për paketën fiskale për Bujqësinë. Ai disa herë ka kërkuar politika të qëndrueshme fiskale për fermerët, ndërsa iu përgjigj sot edhe kryeministrit Rama.
Sipas ish-zëvendëskryeministrit me skemën aktuale të TVSH-së në bujqësi, humbet blerësi dhe për pasojë nuk ka interes të blejë prodhimin në vend. Situatë që sipas Braçes do të thellohet më tej në rast se rimbursimi i fermerëve nga 6% që është aktualisht do bëhet 0%. Sipas tij duhet barazim i TVSH-së në shitje dhe në blerje
Gjatë prezantimit të buxhetit, Rama tu ndal edhe te protesta e fermerëve pak ditëve më parë në Lushnjë që lidhej me heqjen e rimburismit prej 6 %. Sipas Ramës, fermerët ishin keqinformuar në mënyrë të qëllimshme, teksa shtoi se bujqësi është i vetmi sektor që nuk paguan asnjë taksë për shtetin. Paketa fiskale u miratua në parim ditën e djeshme në Komisionin e Ekonomisë dhe parashikonin heqjen e subvencionit me 6% të TVSH-së, rivendosejen e taksës 10% për inputet bujqësore dhe vendosjen e tavanit të ri për investimet në bujqësi që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së. Kjo është refuzuar nga fermerët që kërkojnë barazim të TVSH-së në shitje dhe në blerje si dhe rivendosjen e TVSH-së me 6%.
Kritikave të kryeministrit Edi Rama se fermerët janë keqinformuar dhe ndaj protestojnë iu është përgjigjur deputeti i PS-së Erion Braçe. Një nga kritikët më të mëdhenj të paketës fiskale dhe buxhetit për bujqësinë brenda PS-së është Erion Braçe i cili shkruan se nuk është keqinformuar dhe as nuk i ka keqinformuar fermerët.
Sipas ish-zëvendëskryeministrit me skemën aktuale të TVSH-së në bujqësi, humbet blerësi dhe për pasojë nuk ka interes të blejë prodhimin në vend. Situatë që sipas Braçes do të thellohet më tej në rast se rimbursimi i fermerëve nga 6% që është aktualisht do bëhet 0%.
Për të shmangur thellimin e humbjeve Braçe thotë se duhet të TVSH-ja në blerje e në shitje, siç ndodh për produktet e tjera apo siç veprohet me sektorin e peshkimit.
“Të gjithë kemi shqetësimin e prodhuesit, unë, ministrja, kryeministri; Por shqetësimi nuk zgjidhet duke thelluar dëmin, pra duke thelluar humbjen e blerësit, shkatërruar interesin e tij për të blerë nga bujku, për pasojë prodhimin e pashitur nga bujku! Ato që kërkohen nuk janë para më shumë; Kërkohet barazimi i tvsh në blerje e në shitje si kudo në këtë vend, kudo jashtë këtij vend; siç tek peshkimi xhanëm”, shkruan Braçe mes të tjerash.