Enigma e çiftit nga Rubiku: Kush janë Marika dhe Arben Përlala që morën 9 milion euro nga inceneratorët

Ditën e djeshme, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi bëri nëj tjetër denoncim të fortë, në lidhje me atë që ajo e quan ‘afera e inceneratorëve’. Këtë herë nën shënjestrën e Kryemadhit ishte një çift nga Rubiku, që sipas saj, kanë përfituar 9 milion dollarë nga kjo aferë, ndërsa shtoi se, në tenderët e inceneratorëve ka abuzime të mëdha
Kompania e quajtur AM Co&Co është krijuar nga Marika dhe Arben Përlala që sipas znj. Kryemadhi janë paguar nga Klodian Zoto me 9 milionë dollarë, pa specifikuar se për punimet e cilit incenerator bëhet fjalë. Pagesa është bërë për të kryer punime për inceneratorët dhe sipas kryetares së LSI, kompania nuk ekziston e regjistruar si biznes.
POR KUSH JANË BASHKËSHORTËT PËRLALA QË PËRMENDI KRYEMADHI?
Nëse bën një kërkim të thjeshtë në Google rezulton se asnjë nga bashkëshortët dhe madje as kompania e tyre AM-CO&CO nuk figuron askund, duke rritur edhe më shumë dyshimet për rastin e denoncuar nga kryetarja e LSI.
Nuk dihet se kush janë këto dy persona përveç emrave të tyre dhe të kompanisë përfituese të miliona eurove. Ata nuk figurojnë në asnjë vend të punësuar, ndërsa sipas Kryemadhit, ata jetojnë në Lezhë.
Shkelja që kanë bërë është se, edhe pse kanë marrë 9 milion dollarë, ata nuk kanë shlyer detyrimet e TVSH-së.
DENONCIMI I KRYETARES SE LSI, MONIKA KRYEMADHI
Kryemadhi shprehet se e njëjta skemë është përdorur për të tre inceneratorët, ku janë paguar kompani fantazmë, të cilët nuk i kanë paguar shtetit as TVSH.
Akuza për abuzim me paratë publike, Kryemadhi bëri për të tre inceneratorët, duke thënë se është kapur në flagrancë kryeministri, Edi Rama dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetarja e LSI tha se drejtësia nuk vepron pasi “SPAK mbahet peng për të mos vepruar”, ndërsa shtoi më tej se, skema e vjedhjes dhe pastrimit të parave është ngritur nga kryeministri Edi Rama.
Kryetarja e LSI tha se për inceneratorët janë paguar 130 milionë euro ndërsa tatim mbi vlerën e shtuar nuk është paguar asnjë qindarkë.
“Nuk është kundër ish-ministrit Lefter Koka, është kundër Edi Ramës, skemës së tij të mashtrimit të parave, vjedhjes së parave dhe të pastrimit të parave. Do ta vazhdoj deri në fund deri sa kjo gjë të zbardhet. Nuk mund të ecim me të njëjtën metodologji siç ecën me Saimir Tahirin.
Ju e mbani mend në 2017, Saimir Tahiri u kërkua nga Krimet e Rrënda dhe Parlamenti shqiptar dhe Edi Rama e mbrojtën dhe nuk e pranuan. Sot që nuk është askushi, sot nuk është as deputet, as politikan, as anëtar i PS, asgjë, e arrestojnë me një dosje të nisur nga Krimet e Rënda, pra jo nga SPAK-u.
Dosja e inceneratorëve, qoftë e Tiranës, Fierit e Elbasanit por e Tiranës një herë. Kanë kaq shumë, për tu futur për tu hapur dhe për tu faktuar jo vetëm grabitjen, jo vetëm korrupsionin por dhe rënien e shtetit dhe kthimin e një skemë të pastrimit të parave të gjithë strukturës shtetërore. Kjo është skema e inceneratorëve që janë 130 milionë euro të paguara për inceneratorët.
Kjo është një kompani, një çift që jetojnë në Rubik, me shtëpi me qira në Lezhë dhe Klodian Zoto i ka dhënë 9 milionë dollarë punë. Këta nuk bëjnë asgjë, a janë lavazhierë, a janë fermerë, nuk ekzistojnë asgjëkundi. Këta kanë marrë 9 milionë dollarë nga inceneratori dhe nuk kanë paguar 20% e TVSH-së. Si puna e kësaj kompanie janë të gjithë kompanitë e tjera” – tha Kryemadhi në denoncimin e saj.
DENONCIMI I AFERËS SË INCENERATORËVE, NGA LEFTER KOKA, TE KLODIAN ZOTO E STELA GUGALLJA:
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi denoncoi në mars të vitit të kaluar atë që ajo e quajti aferën korruptive të inceneratorëve, më saktë të inceneratorit të Qarkut të Tiranës. Kryemadhi deklaroi asokohe se këtë aferë do ta dërgojë në SPAK për të parë dhe identitetin e këtij institucioni, ndërsa shpjegoi të gjithë procedurën e ndjekur, nga momenti kur ‘Integrated Energy’ shpreh letër interesi për ndërtimin e një landfilli, te fakti që Ministria e Mjedisit i kthen përgjigje për 4 ditë dhe deri te ngritja e komisionit të përbashkët me Bashkinë e Tiranës.
Në kuadër të këtij denoncimi, SPAK do të vinte në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili u arrestua në datë 14 dhjetor të vitit të kaluar me akuza për disa vepra penale në lidhje me hetimet për procedurën mbi kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë në Qarkun e Elbasanit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka njoftuar se dyshohet se Koka ka konsumuar veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit, nga hetimet është provuar se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit në fjalë.
Më tej, theksohet se veprimet dhe mosveprimet, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka.
Ndërkohë, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, dy pronarët e kompanive të lidhura me aferën e inceneratorëve, që çoi në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Stela Gugallja kërkohet në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k kurse Klodian Zoto, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Por si përfunduan në arrati Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, ndërkohë që kanë ende në menaxhim kompani që qarkullojnë qindra miliona euro me inceneratorët?
Pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, Prokuroria e Posaçme, SPAK shpjegoi se në cilësinë e ministrit, Koka ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit. Stela Gugallja e Klodian Zoto, sipas SPAK, akuzohen se kanë dhënë rryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro. Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 milion eurosh i është dhënë në formë rryshfeti pikërisht Lefter Kokës.