EKSKLUZIVE: Vangjush Dako përfshihet në një aksident të rëndë, policia fsheh ngjarjen

Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është përfshirë me mjetin e tij në një aksident të rëndë, por fatmirësisht e gjithë ngjarja ka kaluar pa lëndime serioze.
Burimeve të sigurta brenda drejtorisë së Policisë Durrës, kanë thënë për Alfapress.al se ngjarja ka ndodhur 3 ditë më parë, por drejtuesit e policisë me “urdhër nga lartë” e kanë fshehur duke mos e pasqyruar në komunikatat ditore.
Mësohet se Dako ka qenë duke udhëtuar si pasagjer në mjetin personal “Range Rover” me targa, AA 230, i cili drejtohej nga shoferi i tij në momentin e aksidentit. Burimet të cilat na vunë në dispozicion edhe fotografinë e mjetit menjëherë pas aksidentit thanë se Vangjush Dako po udhëtonte në autostradën Tiranë- Durrës drejt qytetit bregdetar dhe afër Maminasit ka përplasur një mjet tjetër pasi ai ka frenuar papritur.
Vetë Vangjush Dako nuk ka pësuar dëmtime, por është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, me një mjet tjetër drejt Durrësi. Kurse shoferi dhe personi që ka qenë në mjetin tjetër janë dërguar në spital, por pa ndonjë problem shqetësues për shëndetin.
Ajo që ka rënë në sy pas mbërritjes së policisë ka qenë fakti se mjetit të Dakos “i mungonin targat” të cilat dyshohet se janë hequr menjëherë pas aksidentit.
Edhe pse është bërë një raport për këtë aksident, blutë e Durrësit kanë vendosur që ta mbajnë të fshehtë nga opinioni publik.
Kujtojmë se Vangjush Dako, edhe pse person “non grata” nga SHBA për korrupsion domethënës, po shfaqet publikisht mjaft aktiv në fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e bashkiake të datës 6 Mars, duke kërkuar vota për ish-zëvendësen e tij, kandidaten Emirjana Sako.