5 Dhjetor, 2022

Edi Rama: Albin Kurti do dështojë me turp, duhet t’i bashkohet nismës sime

 Edi Rama: Albin Kurti do dështojë me turp, duhet t’i bashkohet nismës sime

Kryeministri Edi Rama thotë se qasje që po ndjek Kosovë për “Open Balkan” është e destinuar të dështojë. Në një intervistë për News24, kreu i qeverisë shqiptare tha se kjo është çështje e politikbërjes në Kosovë.

Sipas tij Open Balkan është një domosdoshmëri, por është edhe një qasje në funksion të çlirimit të shumë potencialeve dhe dera për Kosovën është e hapur.

Rama po ashtu tha se Kosova nuk duhet të harrojë nga vjen, pasi si shtet  është krijuar si rezultat i një lufte çlirimitare të mbështetur nga fuqi të mëdha.

“Mendoj që nga ana e Kosovës, ose më saktë e politikbërësve një qasje e cila është thellësisht e ndryshme dhe është e drejta e tyre. Nga ana tjetër unë kam bindjen që kjo nismë është jo vetëm një domosdoshmëri, por është edhe një qasje në funksion të çlirimit të shumë potencialeve të ndrydhura të këtij rajoni dhe të lehtësimit të dialogut dhe zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Nuk dua të hyj në polemika me Albinin, ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën, prandaj dua të them që qasja është e destinuar të dështojë. Kjo qasje e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë pozitive në një problem të tyre dhe kjo nuk është pozitive.

Kosova është sot një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran që ka problemin e hapur të domosdoshmërisë për t’u njohur nga të gjithë dhe për t’u ulur me të drejta të plota në kombet e bashkuara dhe në të gjitha instancat e tjera dhe që ka të gjithë autoritetin e nevojshëm demokratik për të marrë vendime për veten, por që nuk është në pozicionin që të harrojë se nga vjen.

Nuk është në pozicionin se është si rezultat i një lufte çlirimtare të mbështetur fuqimisht nga fuqitë e mëdha mike të shqiptarëve dhe nuk është në pozicionin që të marri rrugë të reja pa u konsultuar me askënd dhe për më tepër rrugë të reja që askush nuk i mbështet siç është edhe në rastin konkret.

Ne nuk kemi fuqi të ndryshojmë mënyrën si funksionon bota, ne nuk kemi fuqi për të marrë vendime për të mëdhenjtë e kësaj bote. Ne kemi vetëm mundësinë të shfrytëzojmë fuqinë tonë për të marrë vendimet e duhura për vete, pa harruar që nuk jemi vetëm por që kemi të tjerë me të cilët duhet të konsultohemi dhe këto janë aleatët tanë strategjik. Kështu që këto janë ide që absolutisht janë legjitime, mund të diskutohen, por që janë humbje kohe përsa kohë askush nuk i sheh me interes në tryezat ku merren vendime, që do të thotë në Bruksel, Berlin, Paris, Washington.

Kështu që për çfarë duhet ta humbasim kohën. Dhe sigurisht që gjithkush është në të drejtën e tij të përdorë fuqinë që i ka dhënë populli siç e mendon, por unë nuk mendoj që fuqia nga populli mund të përdoret për të hyrë në rrugë ku je vetëm”, tha Rama.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *