“E dashura e babait”, Rita Petro ndez sërish rrjetin

Një vjershë e Rita Petros e titulluar “E dashura e babait” ka tërhequr vëmendjen e shumë vetëve në rrjetet sociale, ku ajo është publikuar prej Dashnor Kokonozit, shkrimtar i njohur me banim në Francë. Është një poezi e shkurtër që i dedikohet, siç tregon edhe titulli, të dashurës së babait. Rita është pyetur edhe më herët për këtë vjershë, dhe interesi ka qenë për të ditur nëse vjersha është autobiografike, por ajo ka dhënë një përgjigje evasive. “Nuk ka rëndësi; rëndësi ka mesazhi që poeti përcjell” është përgjigjur ajo.
Poezia është si më poshtë:
E dashura e babait na zbukuroi jetën
Vetëm unë e ndjej këtë të fshehtë
Me nënën s’ka qenë kurrë më i dashur
Dhe aq i gatshëm në punët e shtëpisë
Mua më ngacmon shpesh për të dashurin
Syrin ma shkel, ndihemi miq
Veç vëllai grindet ndonjëherë
Kur me xhupin e tij del babai
E dashura e babait na zbukuroi shtëpinë
Por pse ta fsheh, më mundon një frikë.
Dashnor Kokonozi që e ka publikuar foton nuk e fsheh që është gjendur i befasuar nga “mungesa e vetkontrollit” që sipas tij është karakteristikë e poezisë shqipe. Dhe shkruan mes të tjerash: “Poezia nuk është një mësim a gjykim morali apo rregullash mirësjelljeje, por një “etat d’ame”, një emocion që kalon nëpër shpirt dhe që jo gjithkush arrin ta kapë në ajër dhe ta hedhe në letër.”
Të tjerët janë tërhequr gjithashtu prej poezisë, por të shumtët syresh janë ngacmuar negativisht. Bien në sy komentet kritike. Vetëm dy a tre komente, mes rreth 50 sosh, janë mirëkupturese e vlerësuese.
“Perversitet” shkruan dikush. “Poezi e dobët” ia bën një tjetër. Një i tretë u referohej poezive të tjera “shthurura” të Rita Petros të përfshira në librin me titullin provokativ “Vrima”. E kështu me radhë.
Dashnor Kokonozi shtroi rrugën për mendime pozitive me shënimin e tij, por nuk ndodhi kështu. Kritikat ishin edhe artistike, dhe kjo është ok, por ca të tjerë e hidhnin në kosh për punë namuzi. Të befason kjo vrazhdësi morale në gjykimin e një poezie. Sidomos kur mendon se komentuesit formonin një si “forum intelektual”.