9 Qershor, 2023

Dumbabistët dhe dumbashistët, shënim pas një debati mes Dumës e Shehajt

 Dumbabistët dhe dumbashistët, shënim pas një debati mes Dumës e Shehajt

Nga Bedri Islami

Gojëtar pasionant, njeri që beson lehtë dhe mashtrohet nga besimi i tij, Sali Berisha, është nga ata figura të politikës që, papritmas, përmes fjalës së pakontrolluar, ditën ta tërhiqnin pas vetes një pjesë të rëndësishme të popullit për ta çuar drejt greminës. Asnjëherë ai nuk ka synuar një zgjidhje të moderuar, përmes arsyes, sidomos kur ka pasur forcën. Atë nuk e brente asnjëherë ndërgjegjja dhe as që ishte i shqetësuar, duke pasur moton e tij politike, tashmë të njohur, “pas meje u bëftë qameti”.

Përjashtues i gjithmonshëm, befas ai u bë i përjashtuar. Kërcënues i përhershëm, ai u bë i kërcënuar. I rrezikshëm për të vetët, ai u bë, pikërisht nga të vetët, i rrezikuar. Njeriu që ua përkëdhelte shpatullat militantëve të tij dhe ata ngazëlleheshin, tani është i padëshiruar.

Krisja e tanishme në PD nuk është as e rastit dhe as e habitshme. Kaluar përmes krizave të herë pas-hershme, kur gjithnjë në anën fituese ka qenë Berisha, tani ai mund të jetë humbësi. Dhe do të jetë: ai mund ta mposhtë ndoshta Bashën e Bardhin – ky i fundit mposhtet lehtësisht, sapo të zbërthehen pasojat e vrasjes në Elbasan, gjë që nuk po e bën asnjë institucion i drejtësisë, por nuk mposht dot Departamentin e Shtetit dhe kohën e tij që ka shkuar.

Asnjëra nga palët brenda llojit nuk është as demokratike dhe as e reformuar. Të dyja janë të deformuara, qoftë edhe për shakun e vetëm të daljes së tyre nga i njëjta fillesë. Asnjëra nuk është perëndimore dhe pak prej tyre besojnë sinqerisht se përmes mendimit liberal e perëndimor, sidomos amerikan, mund të vijë fillimi ndryshe dhe ngritja e opozitës. Disa nga mbështetësit e Berishës, ndoshta edhe për shkak të vendndodhjes së tyre dhe të luajalitetit njerëzor, mbështetin një kauzë që e dinë fare mirë se nuk është e tyre. Të tjerë, nuk e dinë as vete se çfarë duan, duke hyrë në një lëvizje “ dumbabiste”, e cila lehtësisht mund të quhet tani “dumberishte”. Përmallimi i Berishës ndaj reformave, kundër të cilave ishte deri në asht, më kujton një pjesë të letrës së Karlit të Parë të Anglisë drejtuar princit të Uellsit, se, “Djalli i kryengritjes merr shpesh pamjen e engjëllit të reformës”.

Nëse pjesa tjetër do të ishte ndryshe, liberatore dhe e emancipuar, larg frymës që ka mbërthyer partitë politike, sidomos opozitën e tanishme, kjo do të ishte e keqja më e vogël. Një e keqe që do të kalohej. Nëse ka ende njerëz që ndjekin e, ndoshta besojnë verbërisht te lëvizja e tanishme e Berishës, kjo ndodh sepse përballë tyre kanë një kastë njerëzish thellësisht të pabesuar; më shumë përulës, se sa të mendimit; lëpirës dhe zhvatës më shumë se sa paraqitje njerëzore e njeriut të politikës; dallkaukë dhe të pavlerë në kreun e opozitës, që, megjithatë, janë të aftë të ngritin struktura thellësisht të rrezikshme dhe që e kthejnë forcën e tyre politike në një bandë.

Nëse dikujt i duket e tepërt ky cilësim, e përsëris, e kthejnë në një bandë, e cila duket e llahtarshme përballë bëmave të Edi Ramës dhe i japin hapësirë Berishës.

Nëse dikush në opozitë mendon se mund të ketë mendim racional dhe tolerancë, vizion apo ide që ia vlen të mbrohen, është e mjaftueshme të shikojë se cilët janë thirrur të mbrojnë këto ide: Basha, Bardhi, Salianji, Duma, Alibeaj, të cilët, më shumë se politikanë, janë një skotë e politikës, që, edhe sikur gjithë Departamenti i Shtetit të shkojë tek ato, as i bën liberalë, as mendimtarë, e as perëndimorë.

Janë disa dukuri që të bëjnë të saktësosh se njerëzit me të cilët opozita mendon të ngrihet në vlerat e domosdoshme, as nuk janë të duhurit e as nuk do të mund të jenë të duhurit. Ata janë mbështjellja e jashtme e Bashës, i cili vetë, nga ana e tij, ishte dikur mbështjellja e jashtme e Argita Malltezit; janë amalgamë politike pa ide dhe mendim, harbutë kur janë në pushtetin e opozitës, të përkulur kur janë nën hyqmin e dikujt tjetër, të thirrur për të qenë të mëshiruar, por që, në një ditë të ardhshme, nuk do të mëshirojnë askënd. Të gjithë kanë fillesën në mësimet e Berishës, por që morën pas vetes edhe Jago-izmin e Bashës. Të shartuar mes tigrit dhe kunadhes.

Disa ditë më parë media publikoi një takim formal ose jo të shefave të partisë me drejtues të degëve dhe deputetë, mes të cilëve ishte edhe Agron Shehaj, krijesë e Bashës, që katër vite më parë, përmes pagesës apo jo – kjo nuk ka rëndësi, e vendosi të parin në listën e deputetëve të Vlorës, e, më pas, në një vend të sigurtë në Tiranë, përsëri, përmes pagesës ose jo- kjo edhe një herë nuk është e rëndësishme. Këto janë “dobësi” që i di më mirë kunati i Lulit.

Çfarë të tërheq vëmendjen në këtë debat spektakolar, që dëshmon cektësinë e baltovinën ku opozita po shkon vullnetshëm. Një fragment: Grida Duma, nënkryetare e partisë, i drejtohet deputetit Agron Shehaj, menjëherë pas debatit që ky i fundit kishte me Bashën.

Grida Duma: Po, sepse një njeri që për protagonizmin e vet personal, ka përdor lekët  për të blerë vota për kryetar duke përdorur më llumin e shoqërisë, meriton që ti them këto që po them, që je një hiç. Politika nuk është biznes. Leje pastaj meritokracinë dhe sa i njeh ti demokratët që s’ke lidhje fare.  Se je akoma te situata që demokratët të kanë dhënë dhe ti i ke marrë dhe nuk mund të bësh sikur e njeh partinë. Duhet të mësosh akoma.

Në mesoren e lartë të PD-së, sipas deputetes Duma ka figura të rëndësishme, të promovuara nga vetë kryetari që, 1. Blejnë vota; 2. Përdorin llumin e shoqërisë; 3. Janë një hiç; 4. Nuk kanë asnjë lidhje me partinë.

Isa Sakja, nuk e di se çfarë funksioni ka në opozitën e Bashës:

Isa Sakja: Ky është turp që po bën ti. Unë kam prova filmike dhe fizike për ty ku ke përdor lekët me çunin e tezes tënde dhe me llumin që ke përdor për të ndërhyrë në fushatë brenda partisë. Turpin që ke bërë ti se ka bërë askush në Partinë Demokratike që të fus lekët për të blerë garën e brendshme dhe të përdor njerëzit që na kanë qenë kundër në fushatë. Ke shku në lokalet e tyre që dihen qartë se kush janë.

Lexojeni me vëmendje: një figurë e opozitës pranon se ka prova filmike dhe fizike për blerjen e votave…pra e ka ndjekur, regjistruar dhe arkivuar si prova ndaj kundërshtarit të Bashës, ka mbledhur fakte se deputeti përdor llumin e shoqërisë, se turpin që ka bërë ai nuk e ka bërë askush tjetër në Pd, – këtu Basha do të jetë ndjerë keq se ai votat i ka blerë gjithnjë, dhe se deputeti përdor njerëzit që janë kundër tyre.

Për t’i vënë kapakun gjithçkaje ndërhyn sekretari i përgjithshëm, një krijesë politike krejtësisht bashiane, i cili, duke ndërhyrë, saktëson:

Gazment Bardhi: Ka video të tuat ndaj mos aktro këtu. Kemi video ndaj po aktron këtu.

Kush është ky njeri që grumbullon video, që bën seleksionimin e tyre si të jetë një institucion i luftës kundër krimit, i cili, ndaj një deputeti të tij, nuk e ka për gjë të pranojë se „ kemi video të tuat“, duke ndjekur të njëjtën rrugë shantazhi që ndiqte dikur Berisha me dosjet e deputetëve të tij.

Është e lejueshme të përgjohet, ndiqet, filmohet, të ketë prova filmike dhe fizike ndaj një deputeti?

Këto njerëz do të drejtojnë nesër shtetin, kur sekretari i përgjithshëm, disa muaj, ka qenë edhe ministër drejtësie?

Le të shkojmë më tej: para 25 prillit, në qytetin e Elbasanit u vra një militant i shumicës qeverisëse. Vrasja, si do të justifikohen sot strukturat hetuese, ka qenë e përllogaritur dhe e saktësuar se ndaj cilit do të qëllohet. Pra, një vrasje e paramenduar dhe e caktuar.

Bardhi, atë ditë, në ekstazë për vrasjen, deklaroi se këto njerëz, një bandë nga ish policë dhe drejtues të policisë, nuk janë asgjë tjetër, veçse struktura për mbrojtjen e votës së lirë.

Një thënie që i shkon për shtat banditëve. Edhe kur janë me syze. Edhe kur duken gjynahqarë. Të tillë ka pasur gjithnjë. Por, kjo vrasje politike, mbështetur nga presidenti, ishte veçse fillimi i asaj që do të shfaqej më pas: banditizmi i shtetit.

Të formosh një strukturë për mbrojtjen e votës, të armatosur, që lëvizin me mjete të veçanta, si eskortë vrastare, nuk e bën asnjë forcë politike të ketë përfytyrim perëndimor dhe të ndjekë një politikë të hapur e qytetare.

Vetëm një të drejtë ka Berisha në lëvizjen e tij: kjo bandë nuk do të reformohet kurrë. Dhe ai e di mirë, sepse janë nxënësit e tij, të ushqyer me frymën e urrejtjes, meskinitetit dhe dhunës.

Për deri sa ballë tij Edi Rama do të ketë një opozitë të tillë ai do të vazhdojë të mbretërojë pa qenë i shpallur mbret.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *