Dueli i një humbësi të shumëfishtë dhe ‘kostandinit’

Nga Edona Llukaçaj
Botuar në DITA
Vëmendja që po i kushtohet “luftës” brenda Partisë Demokratike duket se ka lënë çdo zhvillim tjetër në vend në hije dhe kjo është e kuptueshme.
Fillimisht, zgjon kureshtjen fakti se pasi u largua nga çdo post me votë ose u dorëhoq gati një dekadë më parë, tani z. Berisha shpreh gatishmërinë dhe aspiratën e tij për t’u rikthyer dhe rimarrë gjithçka mrapsht.
Për më tepër, foltoresh e rrjetesh sociale, ish-kryeministri ka një qëndrim që herë të kujton ata pronarët që iu është mohuar e drejta (si për shembull me ligjin 7501) e herë atë zonjën plakë që kur të bëhej nuse sërish do nusërontë si askush.
Po aq kërshëri ndjell rishfaqja e sa e sa figurave të së shkuarës, të hidhëruara në kohë, që kanë përveshur mëngët e pluhrosura për një betejë fjalamane me një tufë të papjekurish individualisht e politikisht, të vetëshpallur e tashmja dhe e ardhmja e një force politike në grahma.
Loja me pika statutore e oportunistëve që shpresojnë që era t’ju fryjë në vela, padyshim, është interesante për t’u ndjekur.
Nga ana tjetër, nuk ka si të mos tërheqë vëmendje kthimi në një trofe, tashmë të mpakur, të një partie që edhe na ka udhëhequr. Lideri i saj historik dhe pinjolli i tij politik përplasen pamëshirshëm duke e demaskuar njëri-tjetrin dhe duke i lënë në derë përgjegjësinë për gabimet që, në fillim, e kthyen partinë në një grupim që pushon çadrash e më pas në mandat-djegur që çirren rrugëve.
Dueli i një humbësi të shumëfishtë, që, çfarëdo ka, ia kanë vënë në prehër, dhe i dikujt që, pasi paska humbur shumë kredite përtej oqeanit, ka nevojë të ripërtërihet, është interesant. Ndonëse tashmë është e qartë, se cilido syresh mund tjetrin, një ‘fitore si të Pirros’ do marrë.
Është edhe disi komike gjithë kjo tymnajë. Teksa hedhin shashka për kompromise të fshehta me Ramën, as PD-ja e foltores e as ajo që preferon dyert e pasme të selisë nuk duan ta kuptojnë se Rama s’ka pse të lodhet me të tilla marrëveshje.
Paaftësia e partisë në fjalë për të bërë të paktën rolin e vet si opozitë i ka dhënë Ramës një mundësi të pashoqe për të forcuar pushtetin e vet, çka ai hapur po e bën.
Por, mbi të gjitha, zhvillimet brenda Partisë Demokratike janë kaq shumë në vëmendjen tonë sepse nisma, krejtësisht për interesa personale e dikujt, që shqiptarët ndër vite i kanë besuar mjaft, mori përmasa më të mëdha. Dikush që është ulur në thuajse të gjithë postet drejtuese të vendit, u rishfaq qytet më qytet për të mbledhë firma e mbështetje dhe, deri diku, ia doli.
Përtej aftësive të ish-kryeministrit të regjur me gënjeshtrën, ekzistencës së një turme që ka qenë kurdoherë e gatshme të japë e të bëjë gjithçka për mitin, dhe mundësisë se numri i publikuar i firmave për mbledhjen e kuvendit të PD-së mund të jetë inkonsistent me shifrën reale, fakti se një ‘kostandin’ i politikës ende gjen përkrahje tregon shumë.
Ideja se dikush i shpallur non grata në Shtetet e Bashkuara dhe i shënjestruar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend shihet si shpresë nga një fraksion i shqiptarëve vë në dukje se sa pak të besueshëm i kemi liderët aktualë.
Besimi te z. Berisha, edhe pse i larguar nga pushteti, i moshuar, i lodhur, i shpallur i padëshiruar dhe me barrën e krimeve mbi supe e ndërgjegje, shfaq si ne drejtohemi sot. Hedh dritë mbi nivelin e mjerueshëm që një kastë po aq e mjerë politikanësh parasheh si të denjë për ne.
Perceptimi i z. Berisha, prej disave, ‘si një e keqe më e vogël’ se pasuesit e tij në pushtet është provë e mjaftueshme e veljes kolektive nga elita e sotshme politike.
Prandaj, pak rëndësi ka se ç’rrjedhë merr ‘foltorja’, nëse ajo e mbledh kuvendin e demokratëve, apo nëse firmave iu fshihet boja në kasafortë. Për sa kohë ajo ka shërbyer për t’i treguar shqiptarëve se politika jonë nuk mund të bëhet më as nga ideuesi i saj dhe as nga pasuesit e tij në parti, në poste e në qasje, vëmendja ia ka vlejtur.
E nga kjo perspektivë, ndoshta ‘foltorja’ është shërbimi më i madh që doktori ka bërë vendit në tre dekada pluralizëm.