3 Dhjetor, 2023

Drejtësi edhe në komunizëm? Pafajësia e agjentit Andrea Varfi, si një rast i rrallë

 Drejtësi edhe në komunizëm? Pafajësia e agjentit Andrea Varfi, si një rast i rrallë

Paskan ekzistuar nën regjimin komunist raste kur një i dënuar me akuzë politike qenka shpallur më pas i pafajshëm. Së paku është fjala për një të tillë, i cili lidhet me një emër nga Bregu, qepariotit Andrea Varfi.

Në një biografi për të me rastin e ditës së lindjes, publikuar nga Arkiva Shtetërore, evidentohet dhe ky fakt, duhet thënë i rrallë.

Ai paska kontribuuar fillimisht për regjimin, më pas është dënuar si agjent, por që ka marrë pafajësinë dhe ka vijuar jetën normale.

“Më datë 21 shkurt 1914, u lind në Qeparo shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi, Andrea Varfi.

Mësimet fillore do t’i merrte nga mësuesi i së parës shkollë shqipe të fshatit, mentori i tij i përhershëm, i ati Epaminonda Varfi. Prirjen për të shkruarin, e zbuloi në mbarim të shkollës së mesme tregtare të Vlorës, në vitin 1932.

Mbaroi degën klasike të gjimnazit në Tiranë, në vitin 1935. Studimet e larta i ndoqi në Universitetin e Peruxhias, në Fakultetin e Shkencave Agrare. Pas përfundimit të angazhimit të tij akademik, në vitin 1941, u kthye në atdhe.

Varfi ka kontribuar në Luftën Nacional-Çlirimtare. Në vitin 1945, u emërua në krye të nënndarjes për çështje kulturore dhe propagandistike, në dikasterin e Bujqësisë.

Në vitin 1947, vuajti për dy vjet dënimin e dhënë nën akuzën e bashkëpunimit me agjenturën angleze. Pas shpalljes së pafajësisë, nisi të punonte në shtëpinë botuese ‘Naim Frashëri’ dhe më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Krahas krijimtarisë artistike gjatë kohës së luftës, Varfi lëvroi edhe në poezi e prozë satirike, në intervalin e vjetëve 1952-1960.

Në letrat shqipe, ka lënë gjurmë edhe përmes përkthimeve dhe studimeve të tij të shumta. Varfi përshtati në gjuhën e sotme veprat kryesore të De Radës, sikurse ishin: ‘Serafina Topia’, ‘Rrëfime të Arbërit’, ‘Këngët e Milosaos’ etj.

Ndërrroi jetë më 18 shtator 1992.

Në kartën postale që shihni bashkëngjitur, Prof. Mario Marinucat nga Peruxhia, i lutet Varfit t’i dërgojë sa më shpejt dokumentet e tij për pjesëmarjen në konkursin mes diplomatëve më të mirë”, shkruhet kështu për Andrea Varfin.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *