Drama e nevojtarit Palokë, historia e një shqiptari në pension që në fund mendoi të ikte nga kjo jetë

Nga Viktor Malaj
Paloka është një shqiptar i thjeshtë, i sapodalë në pension, i cili, për shkak të problemeve që i pati shkaktuar regjimi politik i para vitit 1990, u bë përkrahës i zjarrtë i ndryshimit të sistemit politik në fillimin e viteve ’90.
Mirëpo, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, gjatë këtyre mbi tri dekadave ka ndeshur në shumë situata dhe përjetuar ngjarje që s’i priste dhe që kanë ndikuar fort në botën e tij shpirtërore dhe gjykimin mbi realitetin shqiptar.
Tek mjeku
Disa herë i kishte takuar të dëgjonte nga të afërmit dhe shokët për degradimin e një pjese të personelit tonë mjekësor deri në çnjerëzim, por u bind më shumë kur i erdhi radha të ketë nevojën e tyre. Mori me vete gruan e tij, e cila kishte pak muaj që ishte operuar, dhe vajti tek spitali i qytetit për ta vizituar.
E la në korridor përpara klinikës ku shërbente mjeku përkatës Gjon Dorasi. I thanë se mjeku ishte duke pirë kafe tek lokali që ndodhej brenda rrethimit të spitalit. Shkoi atje dhe, meqë në tryezë me mjekun ishin edhe disa të tjerë duke pirë kafe dhe raki, Paloka u ul në ndenjëset e tryezës ngjitur që ishte e lirë. Porositi kafe për vete.
Mjeku Gjon dhe shokët e tij nuk e pushonin gazin që dukej se nxitej nga avujt e rakisë. Palokës prej kohësh i kishte bërë përshtypje të keqe fakti që shteti lejonte tregtimin e pijeve alkolike brenda territoreve të spitaleve. Ndërsa pinte kafenë e vet, dëgjon doktor Gjonin që iu mburrej bashkëpirësve se vitin e kaluar i kishte bërë pushimet në Ibica ndërsa këtë vit planifikonte të shkonte në Dubai.
Kur pa që mjeku po ngrihej nga karriga për të shkuar tek klinika, edhe Paloka u ngrit dhe priti në radhë për të vizituar gruan e tij. Pasi hynë brenda dhe e përshëndeten mjekun, Paloka e pyeti:
– Si jeni doktor Gjoni? Si po e kaloni?
– S’ka më keq! – u përgjigj mjeku me sy pak të skuqur dhe vazhdoi,- Nuk shtyhet me këtë qeveri që na paguan vetëm 70 mijë lekë në muaj. Po të mos ishit ju klientët, as për bukë s’do na mjaftonin.
– Eh, more z. Gjon, po si t’ia bëjmë ne të tjerët që jetojmë me 10-20 mijë lekë në muaj?!- u përgjigj Paloka.
– Ju jeni mësuar me këtë mizerje,- reagoi doktori,- pastaj, fundja, ju s’keni pretendimet dhe shpenzimet tona, apo jo?
Pasi doktori mbaroi vizitën e të shoqes, Paloka po rrëmonte nëpër xhepa për të gjetur ndonjë kartmonedhë si “shpërblim” për mjekun. Pasi ia hodhi paratë në tavolinë, mjeku e pa me mospërfillje dhe i tha se po i jepte një recetë ilaçesh për gruan por, me kusht që ilaçet t’i blinte tek farmacia ngjitur me murin rrethues të spitalit.
Paloka dhe e shoqja dolën dhe vajtën tek farmacia e rekomanduar. Kur hynë brenda, dy zonja të hijshme argaliseshin ndërsa njëra, farmacistja, po i fliste shoqes për biznesin e vet. Kur hyri Paloka brenda ato u stepën për momentin dhe pastaj e kthyen bisedën në italisht, duke besuar se pensionisti Palokë s’hante pyka nga ajo gjuhë.
Mirëpo Paloka, që kishte punuar nja dy vjet në Itali në vitet ’90, arriti të kuptonte se farmaciatja po i tregonte shoqes se “vetëm vitin e kaluar i kam shitur rreth 50 mijë euro ilaçe të skaduara…”. Sapo e dëgjoi, Paloka i futi krahun të shoqes dhe e tërhoqi drejt derës nën klithmat e farmacistes: Zotëri, si mund t’ju shërbej, zotëri? Urdhëroni, kthehuni ju lutem! Na falni për vonesën. Këtu mund të gjeni gjithçka ju nevojitet, dhe ilaçet më të mira…
Paloka vazhdoi rrugën pa kthim duke sjellë ndërmend kohën kur e shoqja ishte e shtruar në spital dhe i kërkonin të sillte nga shtëpia çarçafët e larë si dhe t’i joshte infermieret me para për t’i shërbyer në kohë e si duhet të shoqes. Ndërsa tërhiqte nga krahu të shoqen, pëshpëriste me vete: Sa e edukuar dhe e sjellëshme në ligësinë e saj kjo farmacistja biznesmene!
Tek gjyqtari
Kishte mbi dy dekada që nuk ia kthenin pronat e trashëguara nga stërgjyshërit e tij. Edhe pak tokë që e kishte me dokumente pronësie po kërkonte shteti t’ia merrte për t’ia dhënë një “biznesmeni të suksesshëm” për të ndërtuar një fshat turistik.
Nga halli që kishte, një ditë vendosi të takonte gjyqtarin e çështjes civile të pronave të tij. Edhe pse i thanë se gjyqtarit nuk i lejohej takimi me palët ndërgjyqëse, Paloka nuk hoqi dorë dhe mori rrugën drejt pallatit ku dikur kishte jetuar gjyqtari Selami Ryshfeti.
Tek hyrja e pallatit, një banore u çudit që qytetari i panjohur Palokë po e kërkonte gjyqtarin aty ku kishte jetuar para dhjetë vitesh, prandaj iu përgjigj Palokës: Zotëri, gjyqtar Ryshfeti ka kohë që e ka shitur apartamentin e tij në katin e katërt.
– Po, ku jeton tani?- pyeti sërish Paloka.
– Ehuuu!- tha banorja e pallatit,- Ai, more zotëri, nuk është si unë e ti. Ai ka një vilë në Tiranë, një në Lalëz dhe një tjetër në Theth për verim.
Paloka u kthye dhe vendosi t’i dilte përpara gjyqtarit sapo të dilte nga kafja e tij e preferuar jo larg gjykatës. I zuri pritë dhe, pa i marrë leje, iu afrua duke i thënë: Zotni gjyqtar, quhem Palokë Fatkeqi, dhe kam nevojë t’ju takoj.
– Zotëri, mua nuk më lejohet të takoj qytetarët,- u përgjigj gjyqtari,- megjithatë thuaje shpejt çfarë kërkon.
– Çështjen e pronave të mija e keni ju dhe unë kërkoj vetëm pronat që më ka lënë gjyshi,- u përgjigj Paloka ndërsa i rrinte 3-4 metër larg gjyqtarit që vazhdonte ecjen e ngadaltë për të mos rënë në sy.
– Ah, po më kujtohet kjo dosje,- ia ktheu gjyqtari,- por ju duhet të vini vetë në gjykatë, ose avikati juaj. Atje janë të gjithë të barabartë përpara ligjit.
– A thue?- ia priti Paloka,- Po të jem i barabartë përpara ligjit, unë e kam të sigurt se ju do m’i ktheni pronat.
Duke e vështruar Palokën nga xhepat, gjyqtari Ryshfeti u përgjigj: Të gjithë janë të barabartë përpara meje, por gjyqin e fiton ai që ka më shumë “prova” dhe “mend”.
– Zotni gjyqtar! Unë provat i kam të plota por mendt nuk ndodhen në xhep por në kokë.- Reagoi Paloka si me “shaka”.
– Mendt vërtetë ndodhen në kokë,- u përgjigj gjyqtari me cinizëm, duke shpejtuar hapat,- por janë xhepat ata që provojnë ekzistencën e tyre. Nuk bëhet gjë pa gjë. Si u marrkan pronat ashtu, lehtë fare, badihava?! Hajt, mirupafshim!
Tek biznesmeni
Meqë e kishte djalin pa punë, vendosi t’i kërkonte ndihmë biznesmenit Sulë Sherri, të cilin e njihte pak qysh në rini, si një individ i prapë dhe i shkathët, i cili s’e kishte fort me qejf shkollën. E ndaloi në rrugë dhe e pyeti nëse mund t’i gjente një punë çfarëdo në firmën e tij.
Sula, i cili kishte shtuar shumë në peshë, me barkun shakull nga mirëqënia e tepërt, e pa Palokën me njëfarë përçmimi për “besdisjen” që po i sillte dhe iu përgjigj: O zotni Palokë! Ne po mendojmë përditë si t’i pakësojmë punëtorët dhe të automatizojmë prodhimin, ti më thua m’i gjej punë djalit.
Meqë Paloka po këmbëngulte në kërkesën e tij duke iu lutur, biznesmeni Sherri iu kthye: O zotni! Nuk kam kohë me humbë me ty, se mua më kushton ora një mijë euro.
Duke iu larguar i pezmatuar, Paloka iu përgjigj: Heu bre burrë, po unë takohem me Zotin falas çdo ditë nga pesë minuta duke iu lutur, e t’i dashke një mijë euro në orë?!
– Mirë, mirë,- u dëgjua zëri i biznesmenit, ndërsa hypte në makinën e tij luksoze,- shko se tash të ndihmon Zoti…
Shumë i zemëruar me sjelljen e Sherrit, Paloka ecte rrugëve të qytetit duke kujtuar klithmën e Migjenit, që i kishte mbetur në mendje nga shkolla e mesme: O, si nuk kam një grusht të fortë, t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë, ta dij dhe ai ç’domethanë i dobët!
Tek deputeti i pushtetit
Një miku i tij i rekomandoi të takonte deputetin e zonës që i përkiste pushtetit. Shkoi një ditë në orarin e pritjes. Deputeti e priti shumë ngrohtë dhe, pasi dëgjoi hallet e Palokës, filloi “oratorinë” e tij të zakonshme: Siç e din zotni Palokë, ne kemi bërë për popullin gjatë këtyre viteve më shumë se të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku, kemi bërë Reformën në Drejtësi…
Pastaj, siç mund të kesh dëgjuar, ne kemi filluar një konsultim me popullin rreth nevojave dhe mendimeve të tij për problemet kryesore që shqetësojnë vendin si korrupsioni, lejimi i kanabisit, Ballkani i Hapur…etj. A e ke plotësuar pyetësorin dhe çfarë mendimi ke rreth pyetjeve?
Ndërsa mendonte me vete se të tjera halle kishte ai vetë dhe tjetërkund i rrihte deputetit, i cili s’mori përsipër zgjidhjen e asnjë halli të Palokës, me pretendimin se “politika në këtë sistemin demokratik nuk mund të ndërhyjë as në probleme gjyqësore dhe as në konfliktet civile ndërmjet qytetarëve dhe midis qytetarëve e biznesit”, Paloka ia ktheu i nervozuar: Zotni deputet, ja ku e ke përgjigjen time të shkurtër për të gjitha pyetjet e “konsultimit” tuaj: S’i duheni as dreqit një lek, as ju dhe as ata të tjerët që duan t’ju zënë vendin!
Ndërsa u nis të dilte jashtë, Paloka dëgjonte zërin e deputetit tek i thërriste: Po dale z. Palokë, dale një minutë, unë për popullin punoj, dua t’ju ndihmoj por s’kam asnjë mundësi, pa dale, dale një minut!
Tek deputeti opozitar
Hajt, tha me vete Paloka, ta provoj njëherë edhe deputetin e opozitës se mos njeh dikë dhe më ndihmon. Vajti dhe e takoi, i paraqiti problemet e veta dhe filloi ta dëgjonte, ndërsa deputeti shprehej zëlartë dhe me pasion:
Eh, i dashur Palokë, është fatkeqësi që vendin e drejton Mafia dhe oligarkët. Vetëm me ne në qeverisje populli mund t’i rifitojë të drejtat e veta dhe të ketë liri e drejtësi…
– Po, unë kam tridhjetë vjet që s’po i gjej të drejtat e mija zoti deputet, as tani as kur ishit ju në drejtim…,- ndërhyri Paloka.
– Arritja më e madhe është liria e fjalës, pluralizmi politik. Tani të gjithë janë të lirë.- vazhdoi deputeti.
– Po more zotni,- ia ktheu Paloka,- por disa duket se janë shumë më të lirë se unë e sëra ime. Pastaj, populli ynë thotë se “Aty ku flet e s’të dëgjojnë dhe ku hanë e s’të japin, nuk është vendi yt”.
Deputeti s’i dha kurrfarë shprese, por i premtoi se kur të rikthehen ata në pushtet çdo gjë do të rregullohet dhe i kërkoi Palokës një nder që t’i përgjigjej negativisht të gjithë pyetësorit qeveritar.
– Mos druaj fare, u përgjigj Paloka duke dalë nga zyra e deputetit,- sepse ua kam dhënë tashmë përgjigjen për ta dhe për ju. Mund ta marrësh tek deputeti i pushtetit.
Tek prifti
Si besimtar që është, Paloka shkoi një ditë dhe iu rrëfye priftit, duke i kërkuar edhe mendim si me iu shpëtua halleve të veta. Prifti, pasi e dëgjoi, i tha: I bekuar Palokë! E shoh që je i mërzitur dhe i revoltuar, por Zoti na mëson të jemi të duruar dhe paqësorë.
– Pse, a pak të duken tridhjetë vjet durim Padre?- ndërhyri Paloka.
– Ke të drejtë, por i duruari fiton. Zoti do t’i ndëshkojë të padrejtët dhe do të përfundojnë në ferr.- vazhdoi prifti,- A e di si thotë Bibla se “aq sa mund të hyjë deveja në vrimë të gjilpërës, aq mund të shkojnë të pasurit në parajsë”?
– Po more Padre, e di atë por di edhe këtë tjetrën që, tash dy mijë vjet, këta të pasurit s’po duan t’ia dijnë thënies së mësipërme dhe, në vend të pakësohen, po shtohen dita-ditës, ata vetë dhe pasuritë e tyre. A nuk do të ishte më mirë ta gjenin ferrin në këtë botë sepse në atë tjetrën askush nga ne s’e di çfarë bëhet dhe kështu asnjë i etur për pasuri s’ka frikë nga ndëshkimi që e pret?
– Duhet durim i bekuar Palokë. Zoti vonon por nuk harron.- përfundoi prifti.
Tek hoxha
Një miku i tij i fesë islame i rekomandoi Palokës të takonte hoxhën e qytetit të cilin e mbanin si njeri të drejtë e të mençur. Paloka shkoi një ditë dhe e takoi. Hoxha u çudit si ishte e mundur që një i krishterë i kërkonte atij ndihmë dhe mendim.
Pasi i dëgjoi hallet e Palokës, i tha: I bekuar Palokë! Allahu na mëson se pasuria fitohet me mjete të ligjshme, se të padrejtët do të digjen në xhehenem dhe se i pasuri nuk mund të hyjë në parajsë pa kaluar të paktën 500 vjet.
– Gjithësesi, ju i pranokeni edhe të pasurit në parajsë, ndonëse pak me vonesë hoxhë efendi,- ndërhyri Paloka,- prandaj, ndoshta kjo qenka arsyeja që këta pasanikët tanë nuk po druhen hiç prej ferrit pasi kanë durim të presin 500 vjet për hir të luksit dhe rehatisë së tyre 50 vjeçare në këtë botë.
– Kurani na mëson,- vazhdoi hoxha,- se, për hir të Allahut duhet të ushqejmë nevojtarët, jetimët, të uriturit, pra të japim lëmoshë…
– Hoxhë efendi,- u përgjigj Paloka,- unë s’kam nevojë për lëmoshë. Dua drejtësi. Nuk dua të më falë kush asgjë por të më japin pronën time dhe të mos më kërkojnë bakshishe kudo ku hyj.
– Të jesh i sigurt se Zoti i do njerëzit si ti Palokë, prandaj kij saber dhe prit!- tha hoxha ndërsa po e përcillte Palokën tek dera e jashtme.
Deri kur kështu ma! – iu kujtua përsëri poeti Palokës.
Tek psikologia
I vëllai e shihte Palokën shumë të mërzitur prandaj e bindi të shkonte të takonte psikologen Evgjeni Përralla. Psikologia i kërkoi Palokës t’ia tregonte i shpenguar hallet e tij.
Paloka i tregoi çfarë kishte hequr gjatë jetës dhe i tha se tani ndjente një dhimbje të vazhdueshme koke, të dridhura, natën mbushej me djersë të ftohta, nuk flinte as 3-4 orë dhe shihte ëndërra të bukura sikur ishte shëndosh e mirë, sikur mjekët i telefononin 2-3 herë në javë për të ditur ecurinë e shëndetit të tij dhe të gruas, sikur të gjithë fëmijët kishin gjetur punë, pronat ia kishin kthyer, kudo ku shkonte zyrtarët e prisnin me buzëqeshje dhe ishin të gatshëm t’ia zgjidhnin hallet që kishte.
Mirëpo,- vazhdoi Paloka,- sapo më fanepsen në ëndërr politikanët duke lëshuar parulla e thirrje me zë të lartë për demokraci, drejtësi, liri, lumturi etj., më del gjumi shpejt dhe shoh se asgjë s’është si në ëndërr. Prandaj dëshpërohem dhe i lutem lumit: “dil o lumë e merr mejdan, ja më mbyt, ja më nxirr në anë!”, nën shembullin e një hallemadhi, shok imi i burgut.
– Më fal zoti Palokë,- ndërhyri psikologia,- por më duhet të të them se e ke gabim. Nuk duhet të mbyteni në lumë. Duhet shijuar kjo jetë, me të mirat dhe të këqijat e saj.
Duke i vënë përpara një gotë të mbushur përgjysëm me ujë, psikologia vazhdoi: Varet shumë si e shikon njeriu jetën. E shikon këtë gotën këtu? Po të më pyesësh mua, unë them se gota është gjysëm plot dhe nuk ndihem e dëshpëruar, por, jam e sigurt se po të pyesësh ty, ti do të thuash se gota është gjysëm bosh. Duhet të jesh optimist, t’iu gëzohesh atyre që ke: jetës, familjes, lirisë demokracisë…
Pasi e rrëmbeu gotën nga tavolina dhe e derdhi ujin në dysheme, Paloka thirri: Po tani zonja psikologe, si mendon ti, kjo gotë është plot apo bosh?
– Tani është bosh,- u përgjigj psikologia.
– Kështu pra, jam edhe unë zonjë,- reagoi Paloka,- sepse në çdo zyrë që trokas ndesh në veshë të shurdhër ose në duar të shtrira që në heshtje më thonë: Më jep ndonji send zotni, në daç me fitu të drejtën tënde! Paraja është çelësi kopil që hap sot çdo derë zyre dhe e bën zyrtarin me të buzëqeshë me ngërdheshje dhe me të dhënë çfarë të takon e, më së shumti, atë që s’të takon.
– Gjithçka mund t’ju them,- i tha psikologia,- është se diagnoza nga e cila ti vuan quhet post tempora*.
– Çfarë don me thanë kjo, moj zonjë, se unë s’marr vesh nga këto fjalët e huaja?- pyeti Paloka dhe vazhdoi: Unë e di që jam përpjekur të jem i ndershëm, i drejtë, të mos i marr kujt gjë, të mos mashtroj njeri dhe as të mos i bëj kujt keq.
– Pikërisht këto janë simptomat e diagnozës tënde i nderuar Palokë prandaj bëj çmos të ndryshosh,- u përgjigj psikologia.
– Është shumë vonë për t’u bërë ai që s’jam dhe që, ndoshta, s’duhet të jem kurrë.- tha Paloka duke dalë nga zyra.
Tek gazetari
Po sikur ta provoj njëherë ta bëj rastin tim publik, pyeste veten Paloka dhe i vajti ndërmend të takonte gazetarin Viktor për të cilin kishte dëgjuar se e ngrinte ndonjëherë zërin për nevojtarët. E takoi në një kafe dhe ia shpjegoi të gjitha problemet e veta, duke i kërkuar t’i bënte publike.
Viktori e dëgjoi duke tundur kokën dhe i tha: Dëgjo Palokë! Ti ke të drejtë. Si ti, fatkeqësisht, janë shumë që po i vuajnë këto probleme. Unë do të shkruaj për rastin tënd por, veç me leh kot se këtyre u hyjnë në njërin vesh dhe iu dalin nga tjetri.
– Po ti, leh bre burrë sa të mundësh,- u përgjigj Paloka,- a po ke frikë se po iu prish rehatinë zotnive?!
– Po të jetë puna për rehatinë e tyre, unë do i dërgoja gjysmën e “zotërinjve” në hotelet e Reçit apo Burrelit të kalonin pjesën e mbetur të jetës,- vazhdoi gazetari,- por puna është se këta s’pyesin për lehjet, shqetësohen dhe reagojnë vetëm po i kafshove, domethënë po u preke statusin e tyre social, politik dhe ekonomik.
– Po, t’i kafshojmë atëherë!- bërtiti Paloka.
– Po i kafshuam,- tha Viktori,- ata reagojnë me të gjitha mjetet e pushteteve që zotërojnë sepse “kafshimi”, thonë ata, cenon kushtetutën dhe rendin demokratik, domethënë rendin e tyre, atë rend që iu jep atyre mundësi të kafshojnë dhe helmojnë të tjerët ndërsa të tjerëve iu lejon vetëm lehjet pa pushim dhe pa rrezik kundrejt tyre. Ata zgërdhihen me lehjet tona dhe majmen me pësimet tona.
Paloka doli nga kafeneja dhe u nda me gazetarin, duke menduar me vete: Hall me vdekë, gjyq me jetua! Nga letërsia e shkollës së mesme i kujtohej thënia e Shekspirit: Të rrosh apo të mos rrosh! Donte të vriste veten por nuk donte t’i linte fëmijët në borxhe. Pas disa ditësh shkoi të pyeste sa kushtonte një vend për varr dhe sa shkonin gjithsej shpenzimet funerale.
Përgjigjja që mori ishte trishtuese. Të gjitha bashkë mund të mbërrinin rreth njëzet mijë euro. Vetëm dy metra katror tokë për varr, i thanë se kushtonin 3 mijë euro pasi sipërfaqja e tokës shkonte duke u zvogëluar kurse numri i njerëzve që vdisnin shtohej, edhe për shkak të pandemisë.
Si bre kështu?- mendonte Paloka me vete,- Po mua shteti kërkon të më marrë një mijë metër katror tokë për dy mijë euro dhe t’ia japë një të pasuri “me barkun shekulluer gjithmonë të pangishëm”, ndërsa dy metra katror tokë për varr më kushtokan tri mijë euro. Kishte rënë në hall. Nuk dinte si t’ia bënte.
Ndoshta duhej gjetur një mënyrë vdekjeje që nuk kushtonte fare pasi tani është bërë më e kushtueshme të vdesësh se të rrosh. Ndërkohë i kujtohej edhe ajo gota përgjysëm me ujë tek psikologia si dhe fjalët ngushëlluese të priftit dhe hoxhës. Po sikur ta shtynte vendimin për më vonë? Shpresa vdes e fundit.
*Post Tempora- (lat.) I mbetur pas kohe.