31 Janar, 2023

Dosja italiane: Kush është prokurori i SPAK që u ble nga bosi i drogës, 200 mijë euro për mbylljen e çështjes

 Dosja italiane: Kush është prokurori i SPAK që u ble nga bosi i drogës, 200 mijë euro për mbylljen e çështjes

Sytë e shpresës së shqiptarëve janë kthyer prej dy vitesh tek SPAK, si investimi më i madh i Perëndimit në Shqipëri, për goditjen e korrupsionit dhe krimit elitar, por disa prokurorë të SPAK-ut duket se janë vetë e pjesë e korrupsionit që duhet të rrëzojnë!

Një dosjen voluminoze të autoriteteve italiane, që ka parë dhe shfletuar ‘Prapaskena’, me të tjerësh, del në pah edhe emri i Ened Nakuçit, prokuror në SPAK, si hallkë e drejtësisë në Shqipëri e thyer nga bosët e drogës.

Bëhet fjalë për dosjen e operacionit të bujshëm ‘Shpirti’, i cili u finalizua në korrik të vitit 2021, me 38 urdhër-arreste, mes të cilëve prokurorë, zyrtarë të lartë policie, dy ish-shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si dhe persona të tjerë të implikuar në trafikun e madh të drogës, pastrimin e parave etj.

Dosja voluminoze është produkt i një investigimi disavjeçar të filluar nga Drejtoria Investigative Antimafia e Puljas në Itali, ndërsa më vonë në bashkëpunim edhe me SPAK, përmes hetimeve të skuadrave të përbashkëta hetimore.

Pjesë e dosjes janë edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë: Mariglen Shusha, Donial Drolli, Elton Hamza, Ferhat Ajdini dhe Fiqiret Seferi, të cilët zbërthyen fijet e funksionit të një prej grupeve më të fuqishme të drogës me në krye Ilirjan Duçkollarin (Lani).

Rrëfimi i të penduarit

Në 4 dhjetor 2019, Mariglen Shusha, i njohur me emrin ‘Francezi’, ka rrëfyer para hetuesve italianë dhe shqiptarë në Bari, aktivitetin kriminal të grupit, lidhjet, funksionimin dhe rolin e secilit anëtarë.

Sipas dosjes, prokurorët  shqiptarë që shkruan në Bari për të pyetur të penduarin ishin Vladimir Mara, Dritan Pemçi dhe Pranvera Pustina.

Mariglen Shusha ka rrëfyer se si policia, në një rast, në vitin 2015, u keqkuptua edhe kapi skafin me 808 kg drogë në Vlorë, i cili ishte i grupit të kryesuar nga Ilirjan Duçkollari, (Lani).

Lani ishte bosi i madh që kontrollonte tokën, detin dhe ajrin, për të mundësuar trafikun e drogës nga Vlora drejt Italisë. Kapja e drogës ‘tërboi’ Lanin pasi kjo mund t’i krijonte telashe të tjera dhe rrezik ekspozimi në qarqe që ishin jashtë influencave të tij.

Kapja e drogës së Lanit ishte keqkuptim ose intrigë, pasi droga ishte shoqëruar më parë deri tek skafi me dy makina policie, që do të thotë se bosti i drogës praktikisht ishte shef policie i Vorës.

Sipas të penduarit Mariglen Shusha, Duçkollari dyshonte se kapjen e drogës ia kishte bërë Gjergji Kohila dhe drejtori i Policisë së Vlorës në atë kohë, Jaeld Çela, i cili u arrestua, dënuan dhe sot është i lirë.

Dyshimet kishin një bazë, pasi vëllai i “Lanit”, Uran Duçkollari, kishte vrarë disa vite më parë një kushëririn e Jaeldit, në Romë të Italisë.

Por, Çela dhe Kohila i dërguan me shpejtësi njerëz Lanit duke e sqaruar se goditja e kësaj ngarkese me drogë nuk ishte bërë nga ata, por nga një oficer tjetër, me emrin Bashkim Imeraj.

Para, gjatë dhe kapjes së drogës, bosi i drogës Duçkollari informohej nga një punonjës policie në Vlorë me emrin, Henkeled Greku.

Duçkollari e kishte regjistruar skafin e drogës në emrin e Robert Myftarit, të cilin policia e shpalli në kërkim. Myftari ishte strehuar në Kukës.

Myftari, pasi qëndroi ca ditë i fshehur, u vetëdorëzua në polici, duke u pas u lirua më pas.

Bosi Duçkollari u angazhua për ta shpëtuar Myftarin, pasi Myftari mund të fliste dhe ta fundoste me rrëfimin e tij. Myftari dinte shumë detaje rreth aktivitetit kriminal të Duçkollarit dhe ky ishte koka.

Në skenë prokurori i SPAK Ened Nakuçi

Ened Nakuçi, prokuror i Krimeve të Rënda, ishte shefi i dosjes së kapjes së 808 kg drogë në Vlorë nga policia.

Ilirjan Duçkollari (Lani) zbarkon në Tiranë, bashkë me Mariglen Shushën, për t’i gjetur anën Ened Nakuçit për të liruar ushtarin e tij Robert Myftarit dhe mbyllur dosjen.

Ata takohen në Tiranë me një avokate, rreth 50-vjeçe, e cila kishte pohuar se do fliste dhe më pas do i kthente një përgjigje.

Pas këtij takimi, Ilirjani së bashku me Mariglen Shushën, janë larguar nga Tirana për në Fier, ku kanë takuar një prokuror tjetër të Fierit, Erind Rahovicën. Lani ka tentuar t’i japë 10 mijë euro Erind Rahovicës vetëm për t’i gjetur fijen lidhëse me Nakuçin.

Në këtë takim kam qenë vetë i pranishëm, ku “Lani” i ka prezantuar situatën që kishte me prokurorin, Ened Nakuçin. Pas bisedës me të (Lani) ka nxjerrë nga çanta shumën prej 10 mijë euro, që t’ia jepte prokurorit të Fierit, por ai nuk ka pranuar t’ia marrë. Erindi, i ka thënë se duhet të flisnin me një kushëririn e Enedit”,  tregon Shusha, por në Fier, Shusha dhe Lani, kanë takuar dhe një prokuror tjetër, me emrin Miri apo Sajmir, i gjatë dhe i dobët, por mbiemrin nuk ja mban mend.

Mariglen Shusha ka rrëfyer para tre prokurorëve të SPAK në Bari, se Lani, për të mbyllur dosjen e drogës, kishte folur dhe me prokuronin Maksim Sotën, Rezartin, Drejtorin e Hipotekës Vlorë dhe një avokat, Arian Isufaj nga Vlora. Maksim Sota u arrestuar dhe tashmë është dërguar për gjykim pikërisht për këtë dosje, por për implikime të tera.

200 mijë euro për mbylljen e dosjes

Bosi drogës po i vinte rreth prokurorit Ened Nakuçit. I lani

penduari Mariglen Shusha ka rrëfyer se bosi “Lani” i ka thënë se për të mbyllur dosjen kishte 150 deri në 200 mijë euro.

Në 25 nëntor 2016, prokurori i çështjes Ened Nakuçi, ka vendosur pushimi i hetimeve ndaj Robert Myftarit, i cili ishte arrestuar për 808 kg lëndë narkotike.

Pasi ka shpëtuar Myftarin, Ened Nakuçi, në 10 korrik 2017, ka vendosur të pezullojë veprimet hetimore të dosjes me Nr. 313 të vitit 2015, që bënte fjalë për trafikimin e 808 kg drogë.

Me shumë gjasa, Ened Nakuçi e ka justifikuar mbylljen e dosjes për ‘mungesë provash’.

Kjo dëshmi është administruar nga tre kolegë të Nakuçit në SPAK. Ata morën të pandehur prokurorin tjetër Maksim Sotën dhe shumë persona të tjerë, ndërsa kolegu i tyre Ened Nakuçi ‘vijon detyrën’ sot si prokuror i SPAK-ut.

Ened Nakuçi e kaloi Vetingun pa probleme në 7 qershor të vitit 2019, me trupë gjykuese të përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), në 4 mars 2019 ka dërguar një raport në Komisionin e Vetingut duke konkluduar se prokurori Ened Nakuçi ishte i përshtatshëm nga për të shërbyer në drejtësi sa i takon pastërtisë së figurës. KPK-ja nuk ka kryer verifikime të mëtejshme, siç ka operatuar në shumë raste të tjera, por është mjaftuar me raportin e DSIK. Më pas, Ened Nakuçi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *