Dosja e inceneratorëve, SPAK arreston ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka

Policia ka arrestuar ish-deputetin e LSI-së e PS, njëkohësisht ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka pas hetimeve nga SPAK për dosjen e inceneratorëve të denoncuar nga LSI. Ndaj tij rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion.
Sipas burimeve jo zyrtare, mësohet se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë në lidhje me këtë çështje, por identiteti i tyre nuk dihet ende.
Arrestimi i Kokës është bërë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila ka autorizuar prangosjen e Kokës pas vendimit nga Gjykata e Posaçme.
Në padinë e LSI, në tetor 2021, shkruhej se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka (ministër nga radhët e LSI), ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, kanë kryer dy vepra penale, atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.
Në SPAK ka pasur disa denoncime nga opozita për këtë çështje, ndërsa në 21 tetor të këtij viti, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dorëzoi në SPAK kallëzimin për dosjen e inceneratorëve të Fierit.
Karriera politike e Lefter Kokës
Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit në periudhë 2013-2017, ndërsa për periudhën 2017-2021, ka qenë deputet i PS-së.
Lefter Koka ka lindur në Durrës në vitin 1964. Karriera e tij politika ka nisur në vitin 2003, ku u zgjodh kreu i Bashkisë së Durrësit, duke e mbajtur këtë post për një mandat të plotë. Në këtë kohë ai ka mbajtur dhe detyrën e anëtarit të Këshillit të Qarkut të Durrësit.
Më pas karriera e tij vijon në politikën kombëtare, ku zgjidhet deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2009, nën silgën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vitin 2013 u zgjodh sërish deputet duke përfaqësuar sërish këtë parti në qarkun e Durrësit.
Gjatë viteve 2013-2017, Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit. Në vitin 2017 Koka u rizgjodh sërish deputet në qarkun e Durrës, nën siglën e LSI.
Ndërsa në vitin 2021, ai kandidoi me Partinë Socialiste ku arriti të merrte mandatin, por nuk e ushtroi këtë detyrë pasi dha dorëheqjen ende pa u betuar në Kuvend.
Në jetëshkrimin e tij të depozituar në Kuvend gjatë kohës që ka qenë deputet, Koka ka deklaruar se ka kryer Fakultetin Ndërkombëtar të Shkencave Juridike nё Strugё dhe është njohës shumë i mirë i gjuhës italiane dhe asaj angleze