27 Mars, 2023

Dëshmi dhe dokumente: Vrasja e Vasil Shantos dhe trillimet pa turp të një përrallaxhiu qesharak, “profesor” nga Kosova

 Dëshmi dhe dokumente: Vrasja e Vasil Shantos dhe trillimet pa turp të një përrallaxhiu qesharak, “profesor” nga Kosova

Nga Shaqir Vukaj

Ditë e fundit po bëhet zhurmë e madhe rreth një projekti për restaurimin e shtëpisë e Xhafer Devës në qytetin e tij, në Mitrovicë. Duke qenë se ai ka qenë kolaboracionist, pra bashkëpunëtor i pushtuesve gjermanë, në Kosovë dhe tepër aktiv në Shqipëri (ministër i Brendshëm në Qeverinë kuislinge) për më tepër i përfshirë direkt në krime, siç ishte ai i 4 shkurtit 1944 në Tiranë, mendimet ndahen, disa thonë e shkruajnë se duhet të restaurohet shtëpia e tij, të tjerë thonë të kundërtën.

Për mendimin tim thelbi qëndron në faktin se, cili është qëllimi, që ajo shtëpi të kthehet në shtëpi muze e Xhafer Devës, apo të restaurohet si ndërtesë me vlera arkitektonike etj.

Fakti që Bashkimi Europian ndërpreu financimin për restaurimin e saj është shumë kuptimplotë dhe tepër domethënës. Ai sapo mori vesh se qëllimi i restaurimit të kësaj ndërtese është kthimi i saj në muze për jetën e veprimtarinë e Xhaver Devës, në mënyrë demonstrative njoftoi ndërprerjen e financimit, madje nëpërmjet ambasadorit gjerman në Prishtinë, iu kundërvu publikisht këtij veprimi të qeverisë kosovare.

Europa demokratike tregoi edhe një herë qartë e prerazi se është kundër rehabilitimit të bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, çka e ka dëshmuar që nga përfundimi i luftës e deri më sot në shumë vende të pushtuara nga nazistët gjermanë si në Francë, Holandë, Norvegji, Danimarkë, Luksemburg, Austri, Çeki etj.

Askund në këto vende, dhe në shumë vende të tjera nuk janë rehabilituar kuislingët apo siç i quajmë shqip, bashkëpunëtorët e nazifashizmit. Ky qëndrim i Bashkimit Europian njëkohësisht është një sinjal shumë i fortë, jo vetëm për Prishtinën por edhe për qeveritarë shqiptarë që këto vite kanë rivarrosur me nderime shtetërore, kanë dekoruar e u kanë bërë monumente e nderime bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi fashistë.

*****

Në kuadrin e diskutimeve që kanë plasur në Shqipëri rreth këtij problemi ndoqa një emision të Rudina Xhungës në Dritare TV, ku ishte ftuar historiani Marenglen Kasmi dhe një “Profesor i shkencave në Kosovë” (thuhej poshtë emrit të tij), një farë Nexhmedin Spahiu që nuk kuptohej në se ishte historian, publicist apo përrallaxhi, që në ndryshim me Marenglen Kasmin, fliste pa asnjë letër, dokument apo fakt, por më me “ka thënë gjyshja, më ka thanë filani, më ka thanë çuni i dajës, i hallës, një i njohur” etj.

Nga ato që tha ia në atë emision krijohej përshtypje sikur dëgjoje një njeri që nuk kishte as arsimin e mesëm, pa le me titullin Profesor.

Për shembull ai nuk kishte as idenë si e kanë trajtuar shtetet e tjera të ashtuquajturën “Shqipëri etnike” të krijuar nga nazifashistët, që realisht nuk e ka njohur asnjë shtet në botë, madje as aleatja e tyre, Japonia. Ai nuk e kishte as idenë se gjatë pushtimit italian, Shqipëria nuk ka pas përfaqësi diplomatike në vendet e tjera sepse përfaqësitë diplomatike italiane përfaqësonin edhe Shqipërinë.

Duke e dëgjuar mu kujtua se para do kohësh, një kosovar me mbiemër Spahiu fliste e shkruante për shpikjen e “Kombit kosovar” dhe “Gjuhës kosovare”. Nuk e di në se është i njëjti person.

Pak rendësi ka nëse ai, si i djathtë ekstremist, madje me pikëpamje e ide neonaziste, shprehte pikëpamjet e tij, jo vetëm rreth Xhafer Devës, duke e quajtur hero i Kosovës e i shqiptarizmës etj., por edhe për disa kosovarë të tjerë të njohur për krimet e tyre në Shqipëri si pjesëmarrës të operacioneve të regjimentit “Kosova”.

Këto janë pikëpamje te tij, por ajo që tërhiqte vëmendjen ishte fakti se ai pa pikë turpi trillonte, gënjente e shpifte duke u bërë qesharak para atyre që e shikonin dhe dëgjonin, aq sa edhe drejtuesja e emisionit u detyrua që disa herë t’i kundërvihej.

*****

Ajo që “mësuam” nga “Profesor” Spahiu për vrasjen e Vasil Shantos është e padëgjuar! ‘Profesori” duke dashur të heroizojë figurën e një krimineli si Bislim Bajgora, që në krye të regjimentit “Kosova” ka bërë krime të rënda në Shkodër shpik e trillon, sikur Bislim Bajgora mbasi ka arrestuar Vasil Shanton, e ka vrarë për t’u hakmarrë për vrasjen e Adem Boletinit.

Për krimet e regjimentit “Kosova” në Shkodër ka shumë dokumente e dëshmitarë dhe nuk do të zgjatem me shumë shembuj e dokumente të asaj kohe. Do të përmend vetëm një letër të komandës së Xhandarmerisë Shkodër, drejtuar Komandës së Përgjithshme të Xhandarmerisë, më dt. 6.1.1944, ku ndëmjet të tjerave thuhet:

“Këto ditë aktiviteti i Nacional Çlirimtares asht shumë i pakët , të gjitha organizatat e saj janë largue nga qyteti me ardhjen sidomos të regjimentit “Kosova”, të cilët në bashkëpunim me Ballin Kombëtar kanë përmiresue situatën. Vrasja e kriminelit Ndue Nuthi me shokë asht pritë mirë nga populli. Shtypja qe u asht ba partizanve nga regjimenti “Kosova” popullit i asht shtue dëshira. Por sjellja kërcënuese ndaj personave të ndershëm e len të merzitun popullin”

Më qartë nuk ka si thuhet për sjelljen e Bislim Bajgorës, aq sa edhe Komanda e Xhandarmerisë e Shkodrës ankohej për sjelljen e tij dhe bashkëpunëtore të tij.

“Profesori’ nga Kosova shpif e gënjen pa pikë turpi për vrasjen e Adem Boletinit, kur thotë se Vasil Shanto ka vrarë Adem Boletinin, shef i Xhandarmërisë Shkodër (!). Është e vërtetë se vrasja e Adem Boletinit është e lidhur me emrin e Komandantit të Xhandarmerisë Shkodër, por të Komandantit të vërtetë të saj në atë periudhë, që nuk ka qenë Adem Boletini, por majori Ndrec Prenga.

Ky ish oficer i kohës së periudhës së Zogut, mbas pushtimit të Shqipërisë u vu në shërbim të pushtuesve që ditët e para të mbërritjes së gjermanëve. Për gatishmërinë e treguar dhe provat e dhëna në shërbim të tyre e emëruan komandant të Xhandarmërisë Shkodër.

Që në fillim ai u tregua tepër i ashpër kundër kujtdo që shfaqte pakënaqësi apo çdo lloj kundërshtimi ndaj urdhrave e masave të pushtuesve gjermanë. Me urdhër të tij ishte ndaluar qarkullimi i qytetarëve me biçikleta, grumbullimi i më shumë se tre vetëve, ai kishte filluar vënien e shenjave në pasaportat e njerëzve të dyshuar, kishte urdhëruar që qytetarët të mos dilnin natën, makinat mund të lëviznin vetëm me leje të posaçme. Ai paralajmëronte me pushkatim këdo që mund të gjendej në një shtëpi e që nuk ishte banor i saj etj, duke vendosur kështu një gjendje shtetrrethimi.

Ai, si Komandant Xhandarmërie ishte aktiv dhe bashkëpunëtor tepër i zellshëm i pushtuesve gjermanë, ndërmjet tjerave duke i informuar dhe furnizuar me të dhëna nga më të ndryshmet, veçanërisht kundër lëvizjes Nacional Çlirimtare.

Në fund të vitit 1944, pushtuesit gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre, mbi bazën e disa të dhënave të bashkëpunëtoreve të tyre, ndërmorën disa aksione kundër partizanëve dhe përkrahësve të tyre. Kështu në këtë periudhë, batalioni partizan “Perlat Rexhepi” ishte rrethuar në Theth. Po ashtu gjermanët ndërmorën një aksion kundër çetës partizane në fshatin Vorfë. Ja si e përshkruan, në telegramin e tij të dt. 3.11.1944 Prefekti i Shkodrës këtë ngjarje:

“Kam nderin t’ju njoftojmë se në datën 3 të këtij muaji Komanda Gjermane, mbas informatave (nga Ndrec Prenga e ndonjë tjetër – shenim imi) që ka pas, ka dërgue në katundin Vorfë të Postribës afro 300 gjermanë dhe kanë rrethue shtëpinë e Qerim Baculit, ku thuhej se gjendeshin 10 partizanë, nji sasi tjetër prej 74 vetësh ndodhej nëpër katund.

Mbas një luftimi prej 2 orësh të gjithë ilegalt kanë perfitue ikjen, vetëm nji flitet se asht plagosë prej tyne. Në kët rast janë plagosë nji grue nga ai katund dhe nji ushtar gjerman. Ushtart gjerman kanë kapë e pushkatue për raprezalje Hasan Mehmetin, Lish Keqin, Mehmet Loshin e Zhon Lishin, të gjithë nga Vorfa. Përveç kësaj kanë djegë shtepinë e Qerim Baculit, të Arif Avdylit, Lish Keqit dhe të Haxhi Brahimit me të gjithë pasuninë që kanë pas”.

Ndërsa komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, Hysni Peja, me shkresën Res.dt.15.11.1944 njoftonte Ministrinë e Brendshme si më poshtë:

“Në operacionin e bamë prej ushtrisë gjermane në katundin Vorfë e Rrjoll të Qarkut të Shkodrës, si përkrahës të komunistave kanë pushkatue personat e poshtëshenuem: 1-Ali Keqi nga katundi Vorfë. 1-Ismail Alia Vorfë. 3-Mehmet Alia nga katundi Vorfë. 4- Hasan Ahmeti Vorfë. 5 Ndoc Gjoni Rrjoll. 6-Bajramn Cufi Rrjoll. 7- Të birin e Gjok Prek Keqit. 8- Të birin e Pjetër Gjokës. Kanë djegë disa shtëpia”.

Gjatë kësaj lufte kanë mbetur të vrarë, tre partizanë, Istref Shabani, Halit Bajraktari dhe një francez (emrin e të cilit nuk e kam gjetur) që ishte liruar gjatë një aksioni të partizanëve në një kamp përqendrimi.

Në këto kushte, kur veprimtaria e komandantit të Xhandarmerisë Ndrec Prenga kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare ishte bërë tepër e rrezikshme, Komiteti Qarkor i Partisë Komuniste Shkodër, vendosi të organizojë atentat kundër tij.

Sipas dëshmitarëve që i kanë lenë të shkruara kujtimet e tyre për këtë ngjarje dhe Historikut të Luftës Nacional Çlirimtare të Qarkut Shkodër, për organizmin e atentatit u ngarkuan Komandanti i njësiteve guerile, Hajrullah Kastrati dhe Komisari Daniel Matlija (të dy Dëshmorë të Atdheut). Për realizimin e atentatit, krahas tjerëve ka marrë pjesë edhe Asllan Lici.

Me gjithë kushtet e jashtëzakonshme, atentati u krye në qendër të qytetit, përbri Kafes së Madhe, siç njihet nga shkodranët. Bashkë me Ndrec Prengën u vra aksidentalisht edhe Adem Boletini, me të cilin Ndrec Prenga sapo ishte takuar. Në komunikatën që shpërndau Komiteti Qarkor i Partisë thuhej:

“Shkodër. Më 4 Nanduer. Dora e drejtësisë së popullit ekzekutoi mbramë veglën e poshtër të okupatorit, majorin Ndrec Prengën.
Ndrec Prenga, që e dinte mirë se do ti paguante të gjitha të zezat që i kishte punue popullit gjatë çdo okupacioni, kish shpallë si oficer fuqiplotë i xhandarmërisë shumë lloj ordinancash për të pengue Lëvizjen Nacional Çlirimtare dhe mbante mbas vetes me duzina besnikë që të mbrojshin lëkurën e tij. Por atyne që janë tregue me fakte mburojë e interesave të popullit nuk u shpëtohet dot”.

Siç del qartë nga komunikata, qëllimi ka qenë vetëm vrasja e Ndrec Prengës, dhe Adem Boletini është vrarë aksidentalisht. Madje mbas dy ditësh Komiteti Qarkor i Partisë ka dalë me një komunikatë tjetër ku kanë shpjeguar se vrasja e Adem Boletinit ka qenë e rastësishme, dhe se ai nuk ka qenë objektiv i atentatit.

Dua të shtoj se Adem Boletini ishte djali i Heroit të Popullit Isa Boletini. Ai për shumë vite, që në periudhën e ish mbretit Zog, kishte shërbye në Ushtrinë Shqiptare, dhe në këtë periudhë ishte oficer madhor në Garnizonin e Shkodrës.

Adem Boletini ishte njeri i respektuar, jo vetëm si djali i Isa Boletinit, por me sjelljen e tij kishte krijuar emër të mirë dhe respekt tek shumë shkodranë. Ai nuk njihej e nuk përmendej si bashkëpunëtor i zellshëm i pushtuesve, madje sipas kujtimeve të disa veteranëve ai në ndonjë rast kishte ndihmuar persona që njiheshin si aktivistë të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Krahas të tjerave, kjo ishte dhe arsyeja që Komiteti Qarkor kërkoi ndjesë për vrasjen e tij.

Është tepër kuptimplotë fakti, se megjithëse shumë herë është folur e shkruar për atentatin kundër Ndrec Prengës, asnjëherë nuk është përmendur emri i Adem Boletinit, përkundrazi është thënë e shkruar se ai është vrarë aksidentalisht dhe përsëritej fakti se, që në atë kohë ishte kërkuar ndjesë për vrasjen e tij.

Pavarësisht nga tallazet që ngriheshin herë pas here në kuadrin e “luftës së klasave”, ku në ndonjë rast e pësonin edhe djemtë e djemtë e tij, Isa dhe Enis Boletini, ata kanë qenë njerëz të nderuar e të respektuar, i pari në fushën e sportit (arbitër ndërkombëtar) dhe Enisi personalitet në fushën e mjekësisë.

*****

Do kthehem tek emri i Vasil Shantos për të cilin “Profesori” kosovar shpif e trillon se paska vrarë Adem Boletinin. Madje ky shpifës e gënjeshtar i pa turp, arrin deri aty sa ta quajë si hakmarrje të kosovarit Bislim Bajgora për vrasjen e patriotit të tij kosovar Adem Boletini.

Vrasja e Vasil Shantos nuk ka qenë e organizuar nga pushtuesit. Më dt.1 shkurt 1944, Vasil Shanto së bashku me tre shokë të tij, duke u kthyer nga Mali i Zi, në fshatin Gril (pak kilometra nga qyteti) rastësisht u ndodhën para një patrulle të Postëkomandës, dhe për të mos u përplasur me ta, futën në një fshat aty afër, një pjesë e mirë e të cilit ishte i lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare.

Në atë zonë (Shtoj i Ri dhe Shtoj i Vjetër) dy fise ishin në hasmëri. Kur Vasili me shokët u afruan tek një shtëpi, me të zotin e së cilës Vasili kishte lidhje, nga shtëpia afër që ishte në hasmëri, duke kujtuar se u janë afruar hasmit, i pritën me pushkë.

Pushkët sigurisht zgjuan fshatin, por alarmuan dhe Postëkomandën që ishte aty afër dhe Vasili me shokë u tërhoqën drejt liqenit të Shkodrës. Në ndjekje të tyre u vunë pjesëtarët e Postëkomandës që ndodhej aty afër, të Postëkomandës së Rusit dhe disa bashkëpunëtorë të pushtuesve.

Mbas një luftimi u vranë Vasil Shanto, Rifat Manjani dhe Reshit Rusi (që u plagos dhe vdiq mbas disa orësh) si dhe u kap i gjallë Naum Zafirovi. Kjo është e vërteta që din gjithë Shkodra dhe fshatrat për rreth.

Kuptohet se për pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre kjo ishte një fitore e madhe, që bëri bujë e u trumbetua me të gjitha mënyrat e mundshme. Por në dhjetëra e dhjetëra shkresa e njoftime për këtë ngjarje, askund nuk përmendet emri i Bislim Bajgorës dhe regjimentit “Kosova”.

Pa iu referuar shumë dokumenteve ku përsëriten shumë herë të njëjtat gjëra, do paraqes vetëm njoftimin e parë për këtë ngjarje. Kështu Komanda e Rrethit e Xhandarmerisë, me shkresën nr.154 dt.2.2.1944 njofton Prokurorinë e Shtetit si më poshtë:

“Më dt.1 të vazhduesit në ora 16 në katundin Gril, komanda e qendrës, patrulla e postkomandës Vrap në bashkëpunim me ata të Rusit të Madh, me ndihmën e popullit të katundit dhe të Shtoit të Ri dhe Shtoit të Vjetër, janë takue me një çetë prej katër personash të armatosun komunista ku mbas 20’ luftim që kanë ba kanë mbetë të vra nga ana e partizanëve ish kapiten Rifat Manjani i Zeqirit dhe i Nazes, lindur në Homesh, Zerqan i datëlindjes 1908, i dyti quhet Vasko e mbiemri nuk i dihet.

Janë kap të gjallë Reshit Rusi vjeç 25, lindë e banues në lagjen Dergut, tuj kenë i plagosun randë i cili vdiq në spital. Naum Zafiri, vjeç 30 ish-toger jugosllav. Nga ana e patrullës nuk ka ndonji dam”

Komandanti i Xhandarmerisë Kapiten (Shaban Elezi)

Mbas këtij njoftimi të parë, kanë vazhduar letra e shkresa pa fund, veçanërisht mbasi u mor vesh se ishte vrarë Vasil Shanto, një nder figurat më të rëndësishme të Luftës Nacional Çlirimtare. Kjo është e vërteta e atyre ngjarjeve.

Përpjekjet e disa ekstremistëve të djathtë si puna e të ashtuquajturit profesor Spahiu për të justifikuar bashkëpunimin dhe krimet kundër atyre që luftuan e dhanë jetën në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, gjoja si luftë kundër komunistëve, si Xhafer Deva, Bislim Bajgora e ndonjë tjetër, nëpërmjet shpifjeve e gënjeshtrave, jo vetëm përpiqen të kundërvënë shqiptarët e Kosovës me ne të Shqipërisë, (duke iu kundërvënë edhe Bashkimit Europian dhe SHBA) janë një sinjal e paralajmërim për shqiptarët, këndej e andej kufirit.

Duhet të jemi vigjilentë sepse teoritë e përçarjes dhe ato fashiste e neonaziste nuk janë shuar, por gëlojnë në mendje të prishura antishqiptare.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *