Dasho Aliko i Lazaratit sulmon nipin e tij Roland Bejko: O vandal, thirri mendjen se po të përdor Basha

Dasho Aliko thotë se dera e selisë së partisë është shkatërruar nga mbështetës të Bashës.
Ai akuzon nipin e tij, Roland Bejkon dhe njerëz të tij, për këtë veprim.
Bejko, i dërguari i kryesisë së PD për Qarkun e Gjirokastrës, ka zhvilluar një takim me një pjesë të strukturave vendore të PD në Gjirokastër, takim ky i organizuar në ambientet e brendshme të selisë së demokratëve në Gjirokastër.
Aliko e ka akuzuar Bejkon edhe se ka dëmtuar rëndë materialet dhe logjistikën elektronike, përfshirë edhe databazën e të dhënave në sistemin informatik.
“Na njoftuan që një grup njerëzish i binin derës me shqelma. Ata ishin pjesa jonë, edhe ata.
Ne u bëjmë thirrje që të kthehen te shumica, te anëtarësia, sepse çdokush nga ne është bërë falë anëtarësisë dikushi.
Vandali Ronald Bejko t’i thërrasë mendjes, se po e përdor Basha”, tha Aliko.
Por pavarësisht akuzave, Aliko i bëri thirrje Bejkos dhe të tjerëve, që të rikthehen në PD.
“U bëj thirrje të heqin dorë nga vandalitetet. Ata janë pjesa jonë, ne jemi pjesë e tyre. Duhet të respektojnë anëtarësinë.
I kemi thërritur që të vijnë të bëhen pjesë e zgjedhjeve të PD. Ne duam që deputetin ta zgjedhë anëtarësia, jo ta emërojë kryetari.
E kemi ëndërruar gjithë jetën zgjedhjen me një anëtar, një votë”, shtoi Aliko.
Bejko i përgjigjet dajës Dasho Aliko
Drejtuesi politik i PD-së zyrtare për qarkun e Gjirokastrës, Roland Bejko i është përgjigjur akuzave të kreut aktual të PD në Gjirokastër Dasho Aliko, i cili denoncoi se dyert e selisë në këtë qytet janë shkelmuar.
Bejko thotë se mbledhja e zhvilluar sot në selinë e PD në Gjirokastër ka qenë e planifikuar nga strukturat dhe për cdo detaj teknik është proceduar sipas statutit. Bejko ka edhe një akuzë të fortë për Alikon, pasi ky i fundit e quajti vandal.
“Rrugës duke u kthyer nga Gjirokastra më njoftuan se disa ish drejtues lokale të PD atje qenkan ankuar se eshte hapur me forcë dera e selisë së demokrateve.
Dua t’i bej me dije opinionit publik se mbledhja e zhvilluar sot në selinë e PD në Gjirokastër ka qene e planifikuar nga strukturat dhe për cdo detaj teknik eshte proceduar sipas statutit. Është per të ardhur keq që ëndrrat me dyer të shqyera që shohin frymezuesit dhe zbatuesit e dhunes së 8 dhjetorit gjejne ende hapesirë në media.
Kushdo që ka pretendimin më të vogël per cdo akt dhune të ushtruar në selinë e PD në Gjirokastër duke më quajtur mua me të njëjtën fjalë “vandal”, siç na quanin sigurimsit e shtetit dhe komunistët në dhjetor 1990, eshte i lutur t’i drejtohet organeve kompetente.
Dega e PD në Gjirokastër, si cdo dege e demokratëve në mbarë Shqipërinë vijon normalisht punën në takimet me bazën” shkruan ai.