29 Nëntor, 2023

Çfarë zarfi do sjellë zyrtari i lartë amerikan në Tiranë?

 Çfarë zarfi do sjellë zyrtari i lartë amerikan në Tiranë?

Nga Bedri Islami

Gabriel Eskobar, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, me 9 dhjetor pritet të jetë në Shqipëri, dhe në agjendën e tij janë planifikuar edhe takime me krerët e partive politike në vend. Ka disa momente të veçanta që e bëjnë të rëndësishme vizitën e paralajmëruar.

Së pari, ai do të jetë në Shqipëri në një kohë kur gjërat në Partinë Demokratike janë kapërthyer keqas dhe dy pjesët e saj, secila në vete, do të ketë Kuvendin e vet. Ish lideri i dikurshëm, i shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit , do të mbledhë Kuvendin e tij me 11 dhjetor dhe e quan këtë të vetmin kuvend legjitim; nga ana tjetër, lideri i tanishëm, Basha do të ketë Kuvendin e tij një javë më pas, të cilin, edhe ai, e quan të vetmin kuvend legjitim.

Së dyti, Departamenti amerikan i Thesarit do të vendosë një sërë sanksionesh javën e ardhshme, në të njëjtën kohë kur do të mbahet edhe Samiti i SHBA-së për Demokraci.
Pjesë e personave që do të sanksionohen do të jenë persona që dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion, abuzime të të drejtave të njeriut, që minojnë demokracinë, etj.

Pra, zona e Ballkanit Perëndimor mund të ndodhet përpara një cikloni politik, që mund të shkulë nga rrënjët personazhe të njohur nga bota e politikës, qeverisjes, financës, të cilat mund të sjellin lëvizje të reja dhe situata të pa menduara më parë.
Si duket, kjo është edhe qëllimi kryesor i vendosjes së sanksioneve që do të vendosen njëkohësisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Departamenti amerikan i Thesarit.

Së treti, në 30 vitet e jetës pluraliste në Shqipëri, pavarësisht se cilët kanë qeverisur, korrupsioni ka vazhduar të marrë përmasa të frikshme; në çfarë pak vite është krijuar një trupë politike thellësisht e korruptuar, e lidhur me politikën dhe me pushtetin, duke shkelur të drejtat e njeriut, minuar demokraci dhe mposhtur sistemin e drejtësisë.

Në 30 vite në shtetin shqiptar është rritur një oligarki e fuqishme financiare, bashkëpunuese e pushtetit, që ka përfituar mizorisht nga dueti politikë – oligarki financiare, sa që tani në shumë njerëz shpresa ka humbur.
Së katërti, disa muaj më parë, një figurë e rëndësishme politike në Shqipëri, që ka sunduar vendin, sidomos kur ka qenë në pushtet, Sali Berisha është shpallur familjarisht i padëshiruar në Shtetet e Bashkuara.

Shembulli i tij ka sjellë dëshminë se askush nuk është mbi ligjin dhe se asgjë nuk harrohet. Por, është një shembull që shumë lehtë mund të ndiqet.

Gabriel Eskobar, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor është njëra ndër figurat kyçe të përcjelljes së gjendjes, lëvizjeve politike, qëndrimeve dhe përcaktimeve drejt Departamentit të Shtetit. Zarfi që ai mund të sjellë me vete, qoftë edhe figurativisht si i tillë, është ndër goditjet më të ndjeshme që do i bëhet klasës politike të zvetënuar, të mësuar me pushtetin dhe alternimin e tij, një klasë politike që asnjëherë nuk është ndëshkuar dhe që kurrë nuk ka pësuar gjë nga fajet e saj.

Aty mund e do të jenë figurat që e kanë ndotur politikën në Shqipëri, kanë sunduar mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi vetë shtetin. Të tillë janë të shumtë në këto 30 vite, dhe asnjë zarf, sado i fryrë nuk mund t’i përmbajë të gjithë emrat e tyre.

Aferat ku ata kanë qenë e janë pjesë janë të mëdha, shumë të ndjeshme, dhe me pasoja të zgjatura në keq qeverisje. Emrat e tyre mund të jenë përfaqësuese të institucioneve më të larta, që nga institucioni i presidencës, në selinë kryeministrore, në dikastere, në drejtimin e njësive vendore.

Asgjë e askush nuk mund dhe nuk e ndjen veten të qetë, pasi shpallja “non grata” e tyre, sidomos nga Departamenti amerikan i Financave do të sjellë edhe pasoja të tjera, që lidhen me pasurinë dhe me ndëshkimin e tyre.

Jo më kot, figura të njohura të politikës kanë filluar të lëvizin ditët e fundit, duke e ndjerë rrezikun, duke u bërë pjesë e lëvizjes antiamerikane të Berishës, apo, nga ana tjetër, duke u shfaqur në një lëkurë qengji. Politikanë të frikësuar nga ndëshkimi po shfaqen ditët e fundit edhe më pro amerikanë se sa vetë Departamenti i Shtetit, ashtu si të tjerë fshihen pas „foltoreve“ si masë shpëtimi.

Aty mund e do të jenë figura të njohura nga bota e oligarkisë financiare, që e kanë ndërtuar perandorinë e tyre mafioze, duke e ngritur mbi krimin, dhe, në të njëjtën kohë duke e bërë atë pjesë të mbështetjes politike, nga e cila, më pas, kanë përfituar jashtëzakonisht. Në fakt, dueti politikë – afaristë të lidhur me krimin kanë sunduar në Shqipëri dhe vazhdojnë të jenë sundues.

Shembulli i një biznesmeni si Tom Doshi nuk do të jetë i vetmi dhe as më i rëndësishmi. Rreth e rrotull tij do të jenë edhe të tjerë, që futën njërën këmbë në politikë dhe tjetrën e lanë në botën e biznesit. Figura të tilla, përmes financimit të dyshimtë dhe të fshehtë, jo vetëm të politikës, herë pas here kanë qenë përcaktues në krijimin e klimës antidemokratike, dhunimin e të drejtave të njeriut, sidomos në fushata zgjedhore.

Aty mund e do të jenë figura nga bota e drejtësisë, që në 30 vite nuk bënë drejtësi, por ngritën perandorinë e tyre të krimit financiar.

Ka ndodhur jo rastësisht që në sipërinën e botës së drejtësisë të ngjiten shërbyes të verbër të politikës, që në të njëjtën kohë kanë përfituar prej saj. Ata kanë qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, e Gjykatës së Lartë, e Prokurorisë së Përgjithshme, emra të njohur për lidhjet e vazhdueshme me politikën, të cilët tanë nuk janë më pjesë e sistemit, si pasojë e Vetingut, por kjo nuk do thotë se ky ishte i vetmi ndëshkim i tyre.

Gabriel Eskobar do të jetë në Shqipëri dy ditë para Kuvendit të 11 dhjetorit, që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse revanshi i Sali Berishës kundër Departamentit të Shtetit. Që pas rënies së komunizmit kjo është lëvizja më e hapur kundër SHBA, e si duket, jo rastësisht drejtohet nga një ish komunist besnik e fanatik.

Ditët e fundit lëvizja e “foltoreve” e ka shpeshtuar qëndrimin e saj agresiv, ka rritur shkallën e ashpërsisë dhe paralajmërimet e saj për lëvizje të dhunshme janë gjithnjë e më të pranishme.

Kjo nuk përbën asnjë risi, por takimet e të dërguarit të posaçëm me kreun e opozitës, Basha, do të jetë një sinjal se Shtetet e Bashkuara, në çfarëdo rrethane nuk mbështetin lëvizje që minojnë demokracinë dhe futin dhunën si pjesë të politikës.

Zoti Eskobar po vjen. Nuk do të jetë një vizitë e zakonshme, rutinë. Sidomos në Shqipëri. Zarfi i tij do të hapet shumë shpejt dhe një pjesë e frymëmarrjes në këtë vend do të jetë më e lirë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *