27 Janar, 2023

Çfarë e shtyu Ilir Metën, të “tradhtojë” Sali Berishën?

 Çfarë e shtyu Ilir Metën, të “tradhtojë” Sali Berishën?

Kryetari i PD-së, Sali Berisha nuk është marrë me  Bajram Begajn si individ, por me detyrën që përfaqëson dhe  procedurën që duhet të ndiqet në rastin e tij, që sipas Berishës, është antikushtetuese.

Në argumentin që sjell Berisha, ish-kryeministri sqaron se Begaj është një ushtarak aktiv dhe për pasojë nuk mund të marrë një detyrë tjetër shtetërore në bazë të Kushtetutës që do të thotë edhe detyrën e Presidentit.

“Një akt antikushtetues dhe precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë!

Të dashur miq, propozimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare për postin e Presidentit të Republikës është një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit me pasoja shumë të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

 Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 167 përcakton:

“Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.”

Ky nen pra u ndalon rreptësisht ushtarakëve aktiv të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera. Ndaj dhe ky emërim është antikushtetues dhe i rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare”, shkruan Berisha në Facebook.

“Kjo shkelje e rëndë e Kushtetutës zhyt vendin në një krizë të rëndë kushtetuese.

Kjo së pari se Kushtetuta në përcaktimin e saj është e qarte si kristal dhe është taksative në nenin e saj se ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet dhe zgjidhet në detyra të tjera jashtë Ushtrisë.

Ai që beson se mund të shesë gjeneral Bajram Begajn si ushtarak jo aktiv ai tallet me Kushtetutën, Ushtrinë dhe shoqërinë shqiptare.

Gjeneral Begaj, i cili edhe në këtë moment është shefi i shtabit të përgjithshëm pra aktiv, po jep dorëheqjen apo po shkarkohet me dekret pra po largohet nga Ushtria si ushtarak aktiv pikërisht për tu emëruar në një detyrë që Kushtetuta nuk e lejon”, vijon Berisha.

Kryetari i PD-së nënvizon ndër radhë se rasti “Begaj” mund të shërbejë si precedent i rrezikshëm edhe për ushtarakë të tjerë për tu katapultuar në detyra të tjera shtetërore.

Për këtë arsye ai i bën thirrje Presidentit Ilir Meta të mos e dekretojë shkarkimin e tij nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm

“I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mbrojë Kushtetutën dhe të mos lejojë këtë dhunim flagrant e tejet të rrezikshëm të saj”, shkruan Berisha.

Por Ilir Meta nuk e dëgjoi aleatin e tij Sali Berisha.

Ai firmosi që nga Stambolli shkarkimin nga detyra të Begajt, duke i hapur rrugën për zgjedhjen president.

Nuk dihet nëse ky është një sinjal i Metës, për bashkëpunim me Ramën, apo ishte thjesht një gjest për të mos hapur një tjetër betejë me socialistët.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *