27 Nëntor, 2022

Burgu do ishte një nder i madh për Berishën dhe Metën

 Burgu do ishte një nder i madh për Berishën dhe Metën

Nga Mero Baze

Drejtësia nuk ja doli dot të vinte në vend nderin e saj për 21 Janarin. Njeriu simbol i asaj tragjedie për më shumë se dhjet vjet, është përpjekur t’i ikë drejtësisë, dhe sot e kësaj dite ende nuk është pyetur pse vrau katër qytetarë të pafajshëm, të paarmatosur dhe të parrezikshëm në mes të bulevardit.

Ai ka shkuar në Prokurori të japë sqarime pse ka sulmuar zyrat e PD më 8 janar, por ende nuk ka shkuar para ndonjë prokurori pse ka vrarë katër qytetarë më 21 janar 2011. Ende nuk ka shkuar të dëshmojë pse tentoi të fshehë vrasjet dhe të shpallë opozitën si vrasëse të protestuesve.

Ende nuk ka dhënë shpjegime, pse premtoi se do vinte në dispozicion kamerat e Kryeministrisë dhe serverin e tyre dhe e zhduku dhe fizikisht. Ende nuk ka dhënë shpjegime, pse terrorizoi Prokurorinë që të mos merrte në pyetje gjashtë gardistët që u identifikuan si autorë të zjarrit.

Ende nuk ka dhënë shpjegime, pse e shpiku skenarin e grushtit të shtetit, duke futur në listë presidentin, kryeprokuroren dhe katër gazetarë. Ende nuk ka dhënë shpjegime pse krekosej me vrasjet dhe premtonte se mund të vriste dhe 3 mijë të tjerë nëse kalonin gardhin e Kryeministrisë.

Ende nuk ka dhënë shpjegime pse refuzoi ekspertizën amerikane për ngjarjen dhe pse prishi provat në oborrin e Kryeministrisë. Ende nuk ka dhënë shpjegime mbi të gjitha, pse nuk e la drejtësinë të hetonte dhe ndëshkonte qoftë dhe vrasësit e thjeshtë.

Do të mjaftonte vetëm 21 Janari, që Sali Berisha jo vetëm të largohej nga politika dhe t’i dorëzohej drejtësisë, por as mos të guxonte të dilte vetë nga burgu dhe nëse e falnin. Por ai e sfidoi drejtësinë, politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare, duke bërë të kundërtën, duke penguar drejtësinë, duke e përdorur 21 Janarin si një test për besnikëri ndaj tij brenda partisë dhe më tej akoma, për të dekurajuar protestat në të ardhmen.

Por pas dhjetë vitesh, në vend që drejtësia të marrë “hak” për 21 Janarin, ka ndodhur e kundërta. 21 Janari po merr hak ndaj vrasësve.

21 janari i 2022 i gjen dy personazhet kritik të 21 janarit 2011 më të poshtëruar se kurrë. Ilir Meta , njeriu që ndolli furtunën e zemërimit më 21 janar dhe që përfundoi me katër të vrarë e 36 të plagosur, sot është një i ndëshkuar nga zoti. Siç mund ta shikoni në ato që flet me zë dhe figure, është thjeshtë një njeri që “i kanë ikur pëllumbat”.

Ai është një president i shkarkuar, një politikan i frikësuar nga haluçinacionet dhe makthet e jetës së tij politike, një njeri në konflikt verbal dhe institucional me SHBA dhe gjithë liderët perëndimorë, i izoluar dhe bojkotuar nga çdokush që shkel në këtë vend, që tani si axhendë ditore ka të recitojë ndonjë vjershë në Instagram.

Dhe po ta kishim dënuar, dhe po ta kishim gjykuar, dhe po ta kishim hetuar apo sekuestruar pasurinë, do ishte version më i lehtë ndëshkimi, pasi do ruante një lloj profili kundërshtari. Dënim më të madh se ky që i ka dhënë 21 janari i 2011 duke e çmendur, praktikisht nuk mund t’i jepnim.

Personazhi tjetër, ai më i rëndësishmi, që në fakt mendoi se duke u krekosur me vrasjet e 21 janarit, do të imponohej përjetësisht në këtë vend si njeri me të cilin nuk përballet dot askush, përfshi drejtësia, është dhe më keq.

Fillimisht ai ka marrë një ndëshkim të përjetshëm, së bashku me familjen e tij, duke u damkosur si minues i demokracisë, të akuzuar për korrupsion domethënës familjarisht dhe shantazhues të drejtësisë. Ky është epitafi që ai do të ketë në varrin e historisë, për të cilin, ndryshe nga të vdekshmit e tjerë, këtij ju dha dënimi ta shikojë i gjallë si do quhet i vdekur.

Më tej akoma, ndëshkimi ndaj tij u thellua, kur pa se jo vetëm që nuk trembte dot kundërshtarët si vrasës, por as të vetët brenda partisë. Përjashtimi i tij nga Partia Demokratike nga njerëz që ai besonte se i kishte bërë palë në krimet e tij, është nga ato drama që kanë shembur perandori e jo më një ngrehinë karakatinë siç ishte partia private e tij.

Lulzim Basha mund të mos bëjë më asgjë në këtë jetë, mund dhe të shkëlqejë apo të humbasë, por ai ka hyrë në histori ndërkohë, me këtë nder  që i ka bërë shoqërisë shqiptare, duke ja hequr stolin mbi të cilin krekosej një vrasës haluçinant i Shqipërisë për tridhjetë vjet.

Të shikosh sot Sali Berishën me vare e qysqi në duar, të kërkojë t’i hapin portën e partisë në emër të së cilës ka bërë gjithë këto krime, të shikosh sa i frikësuar ndjehet që nuk është më sigla e PD ajo që i jep imunitet, e kupton se këtij nejriu asgjë s’do ti bënte burgosja për vrasjet e 21 Janarit, se sa i ka bërë kjo telendisje dhe degradim personaliteti që po i ndodh.

Askush nuk ka shpresuar ta shikojë Sali Berishën në ditë më të keqe se sa kaq. Burgu do ishte një nder i madh për të, pasi do ishte heroi i një pjesë trushpëlarë. Tani ai në fakt është bërë figurë qesharake kombëtare dhe një dordolec për trushpëlarët e vet, që nuk tremb dot as pastruesen e PD.

Dhe ky është një ndëshkim që e ka nga 21 Janari. Sali Berisha dhe Ilir Meta tentuan që pas 21 janarit 2011, për të shpëtuar veten, pushtetin dhe familjet e tyre, të ndryshonin Shqipërinë, të ndryshonin drejtësinë dhe të kishin gjithçka nën kontroll. Makthi i krimit i shtyu të bëheshin këta që janë sot, viktima të poshtëruara të 21 Janarit. Të vdekur dhe të pakallur.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *