28 Janar, 2023

Bullizmi: Pse shumica e njerëzve nuk bëjnë asgjë kur e shohin atë?

 Bullizmi: Pse shumica e njerëzve nuk bëjnë asgjë kur e shohin atë?

Nga Kara Ng & Karen Niven

“The Conversation”

Imagjinoni sikur jeni si çdo ditë në vendin tuaj të  punës dhe jeni dëshmitar kur një koleg ngacmon vazhdimisht një koleg tjetër. Çfarë do të bënit? Ndërsa shumë nga ne duan të mendojnë se do të ndërhynim për ta ndaluar atë, sondazhet tregojnë se shumica e punonjësve që janë dëshmitarë të situatave të bullizmit, ose të njohur më shumë si “spektatorë”, nuk reagojnë në mënyra që do ta ndihmonin viktimën.

Përkundrazi, deri në 60 për qind e punonjësve në disa vende raportojnë se nuk kanë bërë asgjë kur kanë qenë dëshmitarë të ngacmimit. Por pse ndodh kjo dhe çfarë pasojash ka? Studimet tona të fundit na japin disa të dhëna të rëndësishme.

Ngacmimi në vendin e punës ndodh kur një punonjës i nënshtrohet sjelljeve të përsëritura  ngacmuese, diskriminuese po që ndikojnë negativisht në punën e dikujt. Kjo mund të variojë nga aktet e dukshme të dhunës fizike dhe deri tek sjellje më të paqarta, si tallja, fyerja apo edhe përjashtimi social i dikujt.

Ngacmimi mund të ndikojë seriozisht mbi shëndetin mendor dhe fizik të viktimave, me raste ekstreme që çojnë në vetëlëndim apo vetëvrasje. Mesatarisht, ngacmimi në vendin e punës prek rreth 15 për qind të njerëzve, megjithëse disa sektorë, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi i lartë, raportojnë norma më të larta.

Ngacmimi në vendin e punës, është parë tradicionalisht si një çështje vetëm midis viktimës dhe dhunuesit, dhe trajtohet në përputhje me rrethanat. Por bullizmi ndodh para të tjerëve. Sondazhet tregojnë se deri në 83 për qind e punonjësve në disa organizata raportojnë se kanë qenë dëshmitarë të bullizmit në punë.

Kjo është një e dhënë shqetësuese. Pasi të shohësh ngacmimin e dikujt mund të dëmtojë edhe mirëqenie psiko-fizike të vetë atij që e sheh skenën, duke nxitur frikën se si mund të trajtohet ai vetë në të ardhmen. Por mënyra se si reagojnë “spektatorët” para një akti të tillë, mund të ndihmojë ose përkeqësojë situatën për viktimat.

Në studimin tonë të fundit, ne pyetëm punonjës në një universitet të madh në lidhje me përvojat e tyre të ngacmimit, si viktima apo si spektatorë. Ne zbuluam se viktimat e ngacmimit pësuan më pak dëme kur kishin spektatorë të rastësishëm që ndërhynin në mënyrë aktive.

Anasjelltas, viktimat e bullizmit me spektatorë të rastit që nuk bënë asgjë, përjetuan dëme më të mëdha. Ne mendojmë se kjo gjë ndodh për shkak se viktimat në këto situata, nuk përballen vetëm me bullizmin, por edhe duhet të kuptojnë pse nuk reaguan të tjerët, gjë që është stres më i shtuar.

Po ashtu ne besojmë se “spektatorët” janë një element kryesor që mund të ndihmojë në krijimin e një kulture kundër ngacmimit në vendin e punës. Studiuesit i kanë kategorizuan në 2 mënyra reagimet e të pranishmëve në momentin e ngacmimit të kolegut apo koleges në vendin e punës: aktivë përkundër pasivë, dhe konstruktivë përkundrejt destruktivë.

E para përshkruan se sa pro-aktive është përgjigja në trajtimin e situatës së ngacmimit, ndërsa e dyta tregon nëse përgjigja synon të përmirësojë apo përkeqësojë situatën për viktimat e ngacmimit.

Kjo ndarje na jep 4 lloje spektatorësh. Ka spektatorë aktivo-konstruktivë, të cilët kërkojnë  në mënyrë pro-aktive dhe të drejtpërdrejtë të përmirësojnë situatën e bullizmit. Për shembull, duke raportuar dhunuesin ose duke u përballur me të. Ka edhe spektatorë pasivo-konstruktivë që nuk e “zgjidhin” drejtpërdrejt ngacmimin, por e dëgjojnë ose solidarizohen me viktimën e kësaj sjellje.

Nga ana tjetër, spektatorët pasivo-destruktivë, zakonisht i shmangin aktet e ngacmimit dhe “nuk bëjnë asgjë”. Ndërsa kjo mund të duket si pozitive për disa, viktimat e bullizuara mund ta shohin pasivitetin si miratimin e veprimeve të dhunuesit.

Po pse kaq shumë njerëz nuk ndërhyjnë, kur dëshmojnë diçka që e dinë se është e gabuar ose e dëmshme? Teoria më e famshme për të shpjeguar këtë fenomen, e njohur si “Efekti i spektatorit”, u frymëzua nga vrasja e Kiti Xhenovezes.

Kiti ishte një grua e re në Nju Jorkun e viteve 1960, e cila u godit me thikë për vdekje shumë pranë shtëpisë së saj, ndërsa 38 banorë panë gjithçka nga dritaret e banesave të tyre. Fillimisht, u raportua se asnjë prej tyre nuk ndërhyri apo thirri policinë, duke shfaqur reagime pasivo-destruktive, edhe pse histori dhe vetë teoria janë sfiduar me kalimin e kohës.

Në një studim tjetër të kohëve të fundit, ne u përpoqëm të gërmojmë më thellë në proceset psikologjike që qëndrojnë në themelin e “sjelljes prej spektatori” të jo pak njerëzve.  Ngacmimi është shpesh subjektiv, dhe njerëzit e interpretojnë ndryshe të njëjtën situatë.

Që të ndodhin përgjigje aktivo-konstruktive, duhet që punonjësit të perceptojnë se incidenti është mjaft i rëndë për të motivuar ndërhyrjen. Më pas, punonjësit duhet të perceptojnë se viktima nuk e meriton atë që po i ndodh.

Marrëdhëniet e punës janë komplekse dhe në raste të caktuara, si p.sh. kur performanca në grup është shumë e rëndësishme, punonjësit mund të mos jenë dakord që të tjerët të bëjnë gabime apo t’i bezdisin, ndaj mund ta perceptojnë keqtrajtimin si të justifikuar.

Së fundmi, punonjësit duhet të perceptojnë se janë në gjendje të ndërhyjnë në mënyrë efektive. Ka shumë raste kur duan të veprojnë, por nuk ndihen të aftë ta bëjnë këtë, si në rastin kur dhunuesi është një nga eprorët, apo nëse kanë dështuar përpjekjet e mëparshme për të ndërhyrë.

Ndonëse nuk ka asnjë zgjidhje të vetme për të inkurajuar ndërhyrjen e “spektatorit”, ka gjëra që mund të provohen për të kuptuar më mirë situatën e një viktime të bulëzimit. Hulumtimet sugjerojnë se mund të jetë e dobishme marrja e një perspektive të ndryshme apo përpjekja për t’i parë gjërat nga një këndvështrim tjetër.

Eksperimentet kanë treguar se pjesëmarrësit të cilëve u kërkohet të marrin këndvështrimin e një dhunuesi, kanë më pak gjasa të pajtohen se ka ndodhur një sjellje e keqe, sesa pjesëmarrësit të cilëve u kërkohet të marrin këndvështrimin e viktimës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *