4 Dhjetor, 2022

Bravo Sali Berisha, u ringjall nga të vdekurit dhe u rikthye si hero!

 Bravo Sali Berisha, u ringjall nga të vdekurit dhe u rikthye si hero!

Nga Kimete Berisha

Të jesh një herë ‘person non grata’ për Amerikën, nuk do të thotë se do të jesh përgjithmonë’i padëshiruar’.

Listës i bëhet update vazhdimisht, dikush hiqet nga lista, dikush i shtohet listës, sepse qëllimi i Amerikës nuk është t’i ndëshkojë njerëzit, por t’i nxis të përmirësohen.

Mënyra më e sigurt të hiqesh nga lista e sanksioneve amerikane (sipas amerikanëve) është të vdesësh, por ka edhe mënyra të tjera, më praktike se vdekja.

Mund të kërkosh përmes e-mailit të hiqesh nga lista e personave të padëshiruar.

Dhe, kurrë nuk i dihet, mund të ndodhesh aty ‘gabimisht’!

Ka shumë njerëz të pafajshëm që janë dënuar me vdekje nga drejtësia, dhe pas dekadave nga vdekja e tyre, është zbuluar pafajësia e tyre.

Kryesorja ti të ndjehesh i pafajshëm dhe të insistosh në pafajësi.

Sankisonet amerikane nganjëherë, duke dashur ta dobësojnë, e forcojnë personin e padëshiruar.

Paradoksale, po.

Sali Berisha ishe duke u harruar për së gjalli (dhe duke folur gjithë ditën e lume vet me vete në rrjete sociale, kur Amerika u kujtua ta ‘ringjall’ dhe ta motivojë të kthehet në skenë, si hero.

Sali Berisha ia pa hairin ndëshkimit amerikan. U motivua, u frymëzua, u mobilizua të kthehet në legjendë.

Fitorja nuk ka rëndësi. A ka fitore më të madhe se sa të mos dorëzohesh, të vazhdosh sikur nuk të ka ndodhur asgjë e keqe.

Sot, Sali Berisha ka fituar, sepse është dukur djali më i ri dhe më i pashëm në Shqipëri.

I ka motivuar të pamundurit dhe të dorëzuarit, të etiketuarit dhe të përjashtuarit, i ka motivuar ata që e kanë humbur shpresën dhe vullnetin, ka motivuar të gjithë ata që njoh.

Më ka motivuar edhe mua. Prej sot, sa herë që më merr malli të rrëzohem dhe të bie, do ta rikujtoj Sali Berishën dhe dashurinë e tij për vetveten.

Do ta dua veten me fanatizëm, të vazhdojë luftën time, vetëm, pak me hile, pak pa hile, pak me intriga, pak pa intriga, ama me rëndësi është të vendosësh vet se kur do të largohesh, dhe si do të largohesh nga politika dhe nga jeta.

E jo të të dëbojnë nga skena jote krijesat e t’ua, ata që i ke krijuar ti!

Abstenimi i Sali Berishës nga votimi për largimin e Bashës ishte një tjetër gjest klasi.

Thjesht, është fantastike se si politikani më i madh me moshë dje u duk më i riu, më i gjalli, më entuziasti, më shpresëdhënësi, më motivuesi!

S’ka rëndësi a është i pafajshëm a jo (ses’ka njeri pa faj)

S’ka rëndësi a është njeri i mirë dhe i drejtë (se s’ka njeri që është i mirë dhe i drejtë me krejt)

S’ka rëndësi a e ka shkarkuar Lulzim Bashën për hakmarrje (sepse, Homo homini lupus est)

Me rëndësi është që ka luftuar, nuk përton të luftojë për mbijetesë kur është më së ngushti, kur është në zorin më të madh.

P.S. Aq shume e do veten, sa në atë zavall shpirti, nuk e ka harruar krehërin në shtëpi.

Duke ecur shpejt drejt Kuvendit, e nxori krehërin nga xhepi dhe rregulloi frizurën, si student!.

Unë flokët deri në bel, kurrë krehër në çantë nuk më gjendet!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *