3 Dhjetor, 2022

“Bota Serbe”: ç’është dhe pse tani?

 “Bota Serbe”: ç’është dhe pse tani?

Beogradi beson se rrethanat ndërkombëtare kanë krijuar një shans historik për realizimin e projektit “Bota Serbe”.

“Nuk është çudi sepse pothuajse çdo ditë, zëra si Aleksandar Vulin deklarojnë se bashkimi ka filluar dhe është i pandalshëm. Dhe jo vetëm ai, por edhe një pjesë e madhe e komunitetit akademik beson se ka ardhur koha”, tha Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Serbi.

“‘Bota serbe’ nuk është çështje personale e Dodikut apo e Vuçiçit. Është një projekt shtetëror që ka kontraktorë të ndryshëm në faza të ndryshme. Qeveria aktuale i ka radikalizuar aktivitetet e saj në rajon, në radhë të parë ndaj Bosnjës dhe Malit të Zi, sepse beson se kjo është një kohë e mirë. Mendoj se vlerësimet e tyre bazohen në faktin se Perëndimi është në rënie, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, se po humbet rolin e tij dominues dhe se BE-ja nuk ka qenë asnjëherë e rëndësishme për atë që po ndodh në rajon”.

Sipas saj, Vuçiç ka manipuluar me shumë mjeshtëri dhe se brenda mundësive të dhëna ka arritur të mashtrojë BE-në, e cila toleroi gjithçka, përfshirë edhe rehabilitimin e kriminelëve të luftës që me prezencë të rregullt në hapësirën publike dhe mediatike.

“Prej shumë kohësh, qeveria në Serbi, përmes zëdhënësve të saj, si historiani Aleksandar Rakoviç, po avokon gjithnjë e më hapur krijimin e një ‘Bote Serbe’, duke specifikuar se do të realizohet kur Republika Srpska dhe Mali i Zi t’i bashkohen Serbisë”.

E pyetur nëse ky është një tregues se konflikti aktual verbal ndërmjet Serbisë dhe fqinjëve të saj do të kthehet në një konflikt të armatosur, Biserko u përgjigj se toksiciteti i diskursit në Serbi dhe Republika Srpska të kujton periudhën e paraluftës kur shoqëria përgatitej për atë që do të pasonte.

Për Biserkon, situata është shumë më e ndërlikuar nga sa duket sepse ka nga ata brenda BE-së që mbështesin Milorad Dodik, në radhë të parë Hungaria, por dhe Polonia nuk është larg një qëndrimi të tillë.

“Brenda pjesës perëndimore të BE-së ka qendra shumë të forta (lëvizje të djathta) që kanë qëndruar pas ‘gjërave serbe’. Bëhet fjalë për racizmin kulturor, i cili nis nga fakti se muslimanët janë një forcë shqetësuese për Evropën, e cila shkatërron vlerat e krishtera”, shpjegon Biserko.

“E gjithë bota është në një lloj tranzicioni, rendi ndërkombëtar që ka qenë në skenë që nga viti 1945 po i afrohet fundit dhe po zhvillohet një riorganizim që do ta konceptojë botën në përputhje me balancën aktuale të fuqisë dhe sfidat e reja që janë të shumta”, përfundoi Biserko.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *