3 Shkurt, 2023

Borxhi publik rikthehet si barrë në shpatullat e shqiptarëve

 Borxhi publik rikthehet si barrë në shpatullat e shqiptarëve

Kostja e borxhit publik të shqiptaëve pritet të arrijë në 65.1 miliardë lekë opse 3.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2024, për shkak se sasia e borxhit është shtuar ndërsa  struktura e borxhit është zhvendosur drejt instrumenteve më të kushtueshme si eurobondi.

Të dhënat e Ministrisë së Financave, të dorëzuara në Kuvendin e Shqipërisë si pjesë e projekt-buxhetit të vitit 2022, bëjnë të ditur se periudha gjatë së cilës borxhi publik u kushtoi shqiptarëve relativisht lirë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka mbaruar. Në vitin aktual, shqiptarët duhet të paguajnë 44 miliardë lekë (afro 370 milionë euro) interesa borxhi ndërsa në vitin 2024, pagesat e interesave do të arrijnë në 65 miliardë lekë (543 milionë euro). Për më shumë, treguesi më i rëndësishëm, interesat e borxhit si përqindje e PBB-së, pritet të përkeqësohet ndjeshëm. Këtë vit për interesa borxhi do të shkojnë 2.5% të PBB-së ndërsa në vitin 2024, ky tregues rritet në 3.1%. Kjo është edhe pika që ekonomistët i shqetëson për shkak se interesat e borxhit mund të jenë më të larta se sa ritmi i rritjes së ekonomisë.

Me pak fjalë, në rast se ekonomia shqiptare rritet me 3% në vitin 2024, atëhere shqiptarët punojnë për të paguar interesat e borxhit, një situatë e kundërt kjo me normalitetin, ku borxhi teorikisht duhet të ushqejë një normë më të lartë rritjeje ekonomike. Parashikimi i qeverisë është që në vitin 2024 rritja ekonomike do të jetë 3.9%, pra më e lartë se sa shuma e interesave të borxhit. Rreziqet janë gjithashtu të shtuara për shkak se niveli i borxhit është i lartë. Një rritje e mundshme e interesave të borxhit në tregun shqiptar sjell rritje domethënëse të shumës së parave që duhet të hiqen nga investimet për të shërbyer borxhin.

Ndërkohë, zhvendosja e një pjese jo të vogël të borxhit në valutë përmes eurobondeve e ekspozon vendin nga rreziku i kursit të këmbimit. Vite më parë, ndërsa Banka e Shqipërisë nën këshillën e FMN-së ndërmorri një nismë për përdorimin më të paktë të euros në ekonominë shqiptare, njohur si deeuroizimi, qeveria qendrore duket se eci në drejtim të kundërt, duke shtuar emetimet e obligacioneve në euro, diçka që ka në plan të vijojë ta bëjë.

Borxhi publik i shqiptarëve ishte 1.27 trilionë lekë në fund të qershorit 2021 (10.6 miliardë euro). Deri në fund të vitit ai pritet të arrijë në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky është niveli më i lartë i borxhit publik në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe një nga më të lartit në kontinentin Evropian. Mes vendeve të lindjes, Hungaria është më e afërta me Shqipërinë me borxh publik në masën 70% të PBB-së. Edhe mes vendeve të zhvilluara, janë të rralla vendet që kanë nivele të tilla të borxhit publik.

Një pjesë e shtimit të borxhit i detyrohet pandemisë së koronavirusit dhe tërmetit të vitit 2019, por kjo pjesë është në fakt më e vogla. Qeveria aktuale ka shtuar 3.2 miliardë euro borxhe përgjatë tetë viteve të fundit ndërsa është kritikuar se ka krijuar edhe miliarda euro borxhe të tjera të padeklaruara si të tilla përmes kontratave koncesionare.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *