2 Shkurt, 2023

Big-u, mbrëmja ime e bukur

 Big-u, mbrëmja ime e bukur

Nga Edmond Arizaj

Gruaja më lajmëron që në mëngjes: Sot është Big-u. Unë e përkthej menjëherë mesazhin: S’ka darkë, ha jashtë.

Mund të shoh ndeshje, të rri me shokë, të bëj dhe ndonjë dorë letra, a ç’të ma japë truri, pa mesazhe që duan sqarime bashkëshortore, kur, ku, me kë, pse…

Kur të hyj në darkë në shtëpi, duhet të gjej çdo gjë vetë, me ndonjë ndihmë të vogël në formën e “më li rehat”. Dhe pa një pa dy, duhet të kënaqem me televizorin në dhomën e fëmijëve.

Nëse rastësisht më hahet ndonjë frut i thatë duhet të kaloj mespërmes ambientit që buçet nga zëri i Big-ut, ku luhen hallet e kombit, e përmbi zërin përmallues të Arbanës, fjalëve pa kryefjalë e kallëzues të Donaldit, emrin e Borës që zgjedhohet në çdo rasë e gjini, fjalëve lotuese të Beatrixit (ky emër se ç’më nxjerr mallin e Harry Poter me një personazh Belatrix Lestrange), a komenteve e duartrokitjeve të publikut, njësoj si në një garë me kuaj, më vjen piskama e zërit të gruas: Kalo shpejt ooo Mooo…

Nuk është koha për sherr, ndaj shpejtoj hapat. Nxitoj për në dhomën ku jam dënuar atë natë. Gjej ndonjë netflix, ose i rikthehem për të 100 herë ndonjë pjese të “Game of thrones”. Por nuk është e mundur të përqëndrohem.

Nga çdo anë, poshtë dyshemesë, lartë mbi tavan, jashtë dritares, anës murit, këlthasit Big-ët duke lëshuar ngado valët e tyre të kulturës, elokuencës, logjikës, mesazhit…Çfarë e rrezikon më shumë popullatën, llotot, apo Big-u? Kush e merr vesh. Të dyja kanë manipulim, ose të paktën dyshime për manipulim brenda.

Nuk janë lojëra të ndershme dmth. Këto mendoja teksa lexoja mekanikisht Tyrion Lanisterin teksa thoshte: Forca e mendjes varet nga leximi i librave, ashtu si varet forca e shpatës nga mprehja e tehut. Nejse, diku aty nga ora 1, sikur gjendja qetësohet. Dal lehtë lehtë nga dhoma, se ku i dihet mos ka lënë shtëpinë ndonjëra që preferonte gruaja, kur nis e dëgjoj analizën e analizës së Big-ut.

Në telefon tani. Gruaja me vjerrën, jo me mamanë time, me vjerrën time, dmth me të ëmën e saj. Me vjerrën e saj, dmth me mamanë time, do e diskutojë të nesërmen kur të zbardhë. Pa do ketë ndërhyrje edhe nga e kunata, nga e bija, e motra, 789 shoqet që janë të ndara për veprimet e pabesa dhe dashuritë e mundura e të pamundura të Donaldit. Sigurisht që debati do marrë zjarr në facebook, në kafe, në punë, në supermarket…Është hall i madh.

Madje tani që po shkruaj këto rradhë edhe mua më ka zënë meraku, mor po ky Donaldi si do bëjë? Do kthehet me të parën, do vazhdojë me të dytën, do i mbajë të dyja? Ndërsa një zë tjetër në vesh më ulërin me tallje: Hahahha, edhe flasin për të drejta të grave e vajzave, duke i trajtuar si numra Don Zhuanësh qoftë edhe për lojë.

Telenovelë e bukur. Çfarë ankthi! Një shqiptari e gjithë në tension, edhe pa mundësi vaksinimi si për Kovidin. Mor po nuk ka asnjë llaf të Fred Çakos. Psikologë jo e jo. Se dakort duam thashetheme, po pse zihemi me njëri tjetrin nuk e kuptoj. Pothuajse një popull i gjithë, që bën tifo e grindet se me kë do shtrihet në krevat Donaldi, është aksioma (pranim i teorisë pa vërtetim) për shprehjen e Ajnshtainit: Universi dhe budallallëku njerëzor janë të pafund, por për të parin kam ende dyshime.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *