Besnik Mustafaj: Lëvizja e Berishës i bën mirë PD-së, ja pse jam kundër Bashës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj e sheh pozitive nismën e ish-Kryeministrit Sali Berisha për të rithemeluar partinë. Mustafaj thotë se kjo lëvizje po nxjerr Partinë Demokratike nga depresioni.
“Unë mendoj se nisma e Berishës po i bën shumë mirë Partisë Demokratike, po e nxjerr nga depresioni, po aktivizon masën e demokratëve, po i bën ata të vetëdijshëm dhe po u jep besim se mund ta bëjnë opozitën”, tha ai.
Mes Kuvendit të thirrur nga Lulzim Basha dhe referendumit, Mustafaj zgjedh këtë të fundit, për të votuar shkarkimin e kryetarit të partisë.
“Unë jam në mbështetje të kësaj lëvizje dhe nesër do shkoj në referendum të votoj. Unë e kam prapa karrierën politike, por jam demokrat dhe e kam jetën të lidhur me këtë parti.
E shoh me shqetësim se Basha po sillet në mënyrë anormale, po bën gjithçka për ta paraqitur veten si viktimë, po bën provokim sistematik. Rezultati do të jetë i dëmshëm për Bashën”, tha Mustafaj.