30 Nëntor, 2022

“Bëhuni njerëz, vritni një çifut”, Gjykata e Durrësit shpall të pafajshëm mësuesin, u arrestua për postimet në Facebook

 “Bëhuni njerëz, vritni një çifut”, Gjykata e Durrësit shpall të pafajshëm mësuesin, u arrestua për postimet në Facebook

Një ish-mësues fizkulture nga fshati Xhafzotaj i Shijakut, emigrant në Itali, po kthehej në shtëpi në 19 qershor 2020, kur u ndalua nga policia në pikën kuftiare të Hanit të Hotit.

Pas pyetjeve formale për të konfirmuar identitetin, policia e ka pyetur nëse përdorte rrjetet sociale, nëse kishte profil në Facebook e Instagram dhe nëse profili në Facebook me emrin Bardhi ishte i tij.

Në procesverbalin e marrjes në pyetjet të cituar në vendimin e Gjykatës së Durrësit të 11 qershorit  2021, Eduart G. citohet të pranojë se “ka patur llogari të hapur në Facebook me emrin Eduart G. dhe Bardhi G., llogari të cilat i përdorte vetë”.

Ai thotë se kishte kohë që nuk i përdorte profilet dhe se po ashtu nuk u mbante mend as fjalëkalimet. 41-vjeçari ka sqaruar edhe se Bardhi ishte emri me të cilin e thërrisnin të afërmit.

Ish-mësuesi i fizkulturës e ka kuptuar se përse po pyetej, kur policia i ka treguar pesë postimet e tij në profilin me emrin Bardhi, të shkruara midis 12 dhjetorit 2017 dhe 12 janarit 2018.

Në postime, shpërndarje të publikimeve nga faqe të ndryshme në lidhje me konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, Eduart G. kishte shtuar edhe një fjali të vetën me thirrjen për të vrarë hebrenj.

“Bëhuni njerëz, vritni një çifut”, thuhej në njërin status të shpërndarë dy herë. Tre postimet e tjera janë po ashtu thirrje lakonike për të vrarë, “për të shpëtuar shpirtin” apo “shpëtuar njerëzimin”.

Në janar 2020 Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit e ka proceduar mësuesin e fizkulturës për “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitje të urrejtjes e grindjeve”.

Përballë policisë Eduarti ka pretenduar fillimisht se nuk i kujtoheshin postimet, pasi kishte kaluar shumë kohë. Më pas ka deklaruar se “nuk ka patur si qëllim që të bëj nxitje urrejtje kundër një komuniteti hebre, por kundër individëve të veçantë që kanë kryer ato krime”.

Bazuar mbi këto statuse Prokuroria e Durrësit ngriti ndaj tij akuzën e “Nxitjes së urrejtjes e grindjeve”. Eduart G. u arrestua më qershor 2020 dhe pas 12 muaj hetimesh dhe procedurash gjyqësore prokuroria e Durrësit kërkoi në gjykatë në qershor të vitit që shkoi dënimin e tij me 3 vjet burg.

Por gjyqtarja e cila shqyrtoi çështjen, Eda Kaja e shpalli atë të pafajshëm në qershor të vitit që shkoi.

Në arsyetimin e pafajësisë gjyqtarja Kaja shprehet se në statuset në Facebook të shkruara prej 41-vjeçarit mungon “elementi i dashjes”.

“Nuk u provua absolutisht elementi i dashjes, por siç rezulton nga provat e administruara dhe përmbajtja e shkrimeve te publikuara nga ai çmohet se nuk ekzistojnë elementet e figurës së veprës penale”, shkruan Kaja.

Prokuroria nuk ka rënë dakord me arsyetim e Kajës dhe e ka apeluar çështjen, por shqyrtimi në apel nuk ka filluar ende.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *