Basha: Berisha e Meta, plehra që dolën hapur bashkë. Zgjodha t’i vija gjoksin sulmit të tyre për të marrë PD-në

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një takim me strukturat e Degës 14 të partisë në Tiranë, tha se politika e vjetër, për të cilën përmend emrat e “Berisha, Meta dhe Rama”, ka shkatërruar Kushtetutën në vitin 2008 me atë që ai e quajti “marrëveshjen e marrëveshjes”.
“Mekanizmi i politiës së vjetër, i asaj politike që kërkon sundim të përjetshëm që ka bërë dhe ndryshimet kushtetuese në 2008, marrëveshje, meqë akuzohem unë për marrëveshje, ajo është marrëveshja e marrëveshjeve, shkatërrimi i kushtetutës në 2008, për të përjetësuar sundimin e pushtetëtarëve, për të shkatërruar pavarësinë e institucioneve, për të zvogëluar përfaqësimin”.
Basha tha se Rama, Meta dhe Berisha, të cilët i quajti “mbetjet e tranzicionit 30-vjecar”, tashmë kanë dal hapur bashkë.
“Ju e dini që në 30 qershor 2019-të nuk pati një proces normal votimi. Pati votime si në komunizëm, një parti që vet votuan, vet numëruan dhe iu desh 2 muaj për të nxjerr rezultatin, imagjinoni.
Dhe prape iu dolën 4-5 me rekorde kriminale, që kanë ikur. Dhe tani për shkak të këtyre, gjetën sebep për procesin e 6 Marsit.
Shikoni si kanë dal hapur, hapur fare. Atë që ua kam thënë, sa muaj ka që ua kam thënë? Nuk bëhet fjalë për luftë, për parime, bëhet fjalë për hallin që i lidh bashkë.
Halli që i lidh bashkë këta 3, është që janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar. Halli që i lidh bashkë këta 3, është që shqiptarët e kanë kuptuar instrumentin e politikës së tyre të vjetër, që është premto, mos bëj, pastaj justifiko, gënje, e premto prapë. Ja, vijnë paketë. Paketë kanë ardhur të 3.
Një politikë me fytyrë njerëzore, do të thotë në radhë të parë ti japim fund politikës si biznes, si mundësi pasurimi përmes korrupsionit. Sepse është korrupsioni armiku i mirëqenies së shqiptarëve”, theksoi Basha.
Në fjalën e tij Basha tha sulmi barbar i Sali Berishës ndaj demokratëve dhe ndaj selisë blu u bë për t’ia dorëzuar partinë Ilir Metës.
Ai theksoi se nuk e llogarit sulmin e denigrimin i tij si kryetar nga ana e Berishës pasi ka zgjedhur vetë t’i vërë gjoksin situatës për të shmangur përçarjen mes demokratëve.
“Këto ditë, e sotmja, e gjithë beteja, edhe sulmi, denigrimi që u është bërë demokratëve të ndershëm, si shumë prej jush në këtë sallë, drejtuesve, të gjithëve, u bë për Metën.
S’po flas ndaj meje si kryetar i partisë, se vetë zgjodha t’i vija gjoksin kësaj, pikërisht që mos të futej përçarja përmes demokratëve apo deputetëve, zonjave, anëtarëve të kryesisë. E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në, LSI-së dhe Ilir Metës?
Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë, që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?” – tha Basha.