10 Qershor, 2023

“Balkan Bordello” që shkaktoi kërcënim me vrasje, vjen në Tiranë

 “Balkan Bordello” që shkaktoi kërcënim me vrasje, vjen në Tiranë

“Balkan Bordello” që shkaktoi kërcënim me vrasje, kthehet si bashkëprodhim ndërkombëtar edhe në Tiranë.

Drama është vepër e autorit të njohur kosovar, Jeton Neziraj dhe me regji nga Blerta Neziraj.

Kjo dramë bëri bujë në vitin 2017, kur në konferencën për media të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku paralajmërohej premiera e shfaqjes “Balkan Bordello”, ai ishte kërcënuar me vdekje në ambientet e Teatrit.

Më datë 6 nëntor, kjo dramë do të vijë edhe për publikun shqiptar në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, “Balkan Bordello”, përmes humorit të zi prek indin e temparamentit ballkanas, gjurmon butësinë e shpirtit njerëzor dhe nxjerr në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes. Si pasojë e kësaj, personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit.

Sipas autorit Jeton Neziraj, “Balkan Bordello” është dramë për shoqëritë e traumatizuara, që hanë vetveten. Sipas tij, një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar.

Subjekti

Si një avatar i botës moderne, Agamemnoni kthehet triumfues nga fushëbeteja, pasi ka bërë shkrumb e hi qytetin armik. Por ethet e entuziazmit dhe fitoreve të palavdishme janë kafshë të gjakut, me gjak ushqehen e nga gjaku jetojnë. Kur kthehet në shtëpi, Agamemnonin e pushtetshëm e pret vdekja. E vret e shoqja, Klitemnestra, gruaja e shtypur që duke vrarë burrin dëshiron të gjejë lirinë.

Bashkë me Egjistin, një poet hipokrit, Klitemnestra dëshiron të nisë një jetë të re, pa frikë se do të dhunohet e poshtërohet nga burri. Por liria nuk mund të zë jetë në territoret ku dhuna ka qenë prezente për kaq kohë të gjatë. Tani, kur Agamemnoni nuk është më, rolin e tij prej dhunuesi e merr Klitemnestra – ajo bëhet Agamemnoni i munguar – dhe ajo që duhet të vuaj nga dhuna, shtypja e mosdurimi i saj, është Elektra, e bija. Prandaj, siç vrau të shoqin, Klitemnestra duhet të vritet, tash, nga i biri, Oresti, i cili nga Berlini ku po jetonte si refugjat, kthehet me të dashurin e tij koreograf, Piladin.

Shfaqja “Balkan Bordello” është një projekt teatror trans-atlantik i realizuar nga njëri prej teatrove më të njohura në botë, La MaMa nga Nju Jorku, dhe në bashkëpunim me Qendrën Multimedia nga Prishtina, teatrin “Atelje 212” nga Beogradi dhe fondacionin “My Balkans” nga Nju Jorku. Shfaqja do të ketë premierën botërore me 3 nëntor në Prishtinë, për të vazhduar pastaj turneun ballkanik edhe në Gjilan, Ferizaj, Tiranë, Beograd, e për të vazhduar pastaj në muajin prill të vitit të ardhshëm në Nju Jork, ku në teatrin La MaMa do të jepen 10 shfaqje për publikun. Shfaqja luhet në gjuhën angleze. Në Tiranë, për publikun shqiptar do të organizohen titra në gjuhën shqipe. Artistë nga 7 vende të botës kanë punuar në Nju Jork dhe në Prishtinë, për realizimin e këtij projekti ambicioz. Aktorët, që vijnë nga Nju Jorku, Prishtina e Beogradi, janë: Onni Johnson, Svetozar Cvetkovi, George Drance, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailovi, Matt Nasser, Verona Koxha.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *