3 Shkurt, 2023

Asgjë e re nga Serbia

 Asgjë e re nga Serbia

Nga Blendi Kajsiu

Votimi i Serbisë pro rezo lutës së OKB-së që dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia, ka prodhuar njëfarë entuziazmi dhe lehtësimi si te qeveria Rama, edhe te mediat pranë saj. Rama me gëzim deklaronte se vota e Serbisë kundër pushtimit rus unifikonte Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, analisti i njohur, Mero Baze, shpjegonte “dorëzimin” e Serbisë përballë presionit perëndimor.

Natyrisht që vota serbe pro rezolutës së OKB-së është pozitive për rajonin. Pa dyshim që duhet lavdëruar dënimi publik që Serbia i ka bërë pushtimit të Ukrainës. Ama, kjo nuk mjafton për të argumentuar se Serbia tashmë është rreshtuar me Perëndimin dhe kundër Rusisë.

Më shumë se me realitetin gjeopolitik të Serbisë ky konkluzion ka të bëjë me nxitimin e qeverisë Rama dhe të mediave pranë saj për të shpëtuar nismën e Ballkanit të Hapur, që pushtimi rus i Ukrainës e hodhi në koshin e plehrave. Entuziazmi qeveritar për votën serbe në OKB nuk mund të fsheh faktin se Serbia vazhdon të mbetet aleate strategjike e Rusisë së Putin në Ballkan si ekonomikisht dhe ushtarakisht.

Ndërkohë që votoi pro rezolutës së OKB-së, që ka thjesht vlerë simbolike, Serbia ka refuzuar sanksionet ndaj Rusisë, që kanë vlerë reale. Parë ajo nga njëra anë dënon pushtimin rus, por nga ana tjetër mbështet regjimin e Putin, duke mos pranuar të marrë pjesë në politikën e sanksioneve perëndimore.

Kemi të bëjmë me një qëndrim tipik të Serbisë, që vazhdimisht ka luajtur me dy porta, duke mbajtur një këmbë në Perëndim dhe tjetrën në Rusi. Janë të shumta arsyet e këtij qëndrimi serb, një pjesë edhe të kuptueshme, në raport me historinë, ekonominë dhe gjeopolitikën e këtij vendi. Ashtu sikurse është e qartë që kjo lojë e Serbisë po bëhet gjithnjë e më vështirë përballë unifikimit dhe armiqësimit të perëndimit me Rusinë e Putin.

Ama, votimi i Serbisë pro rezolutës së OKB-së nuk e ka ndryshuar pozicionin e saj aktual si aleate strategjike e Rusisë, pavarësisht entuziazmit pro-qeveritar që ngjyros Vuçiçin si perëndimor teksa denoncon Albin Kurtin si antiamerikan. Serbia vazhdon të jetë thellësisht e integruar ekonomikisht dhe ushtarakisht me Rusinë. Një votë në OKB nuk mund fshijë dhe as të fshehë lidhjen e saj të ngushtë me Rusinë në gjeopolitikën e Ballkanit.

Ndaj ideja se pas votimit në OKB Serbia është rreshtuar në krah të Perëndimit dhe NATO-s apo se papritmas jemi të unifikuar me të në qëndrimin tonë pro perëndimor, është në rastin më të mirë naivitet dhe në rastin më të keq propagandë. Qeveria Rama dhe mbështetësit e saj nuk kanë përse të shpikin një Serbi imagjinare për të shpëtuar një nismë si Ballkani i Hapur, që tashmë nuk ekziston.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *