Artur Zheji: Basha duhet t’i tregojë “dhëmbët” Berishës, ndryshe ia mori PD-në

Analisti Artur Zheji thotë se foltorja e Sali Berishës tashmë është një realitet politike, ndaj kërkon nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që të reagojë sa më parë.
Sipas tij, Sali Berisha kërkon që të heqë Lulzim Bashën nga një pushtet legal. Ai argumenton se Berisha nuk mund të shkarkojë dot Lulzim Bashën, por parashikon se nëse nuk ka një reagim të fortë nga ana e kryetarit të PD, ish-kryeministri mund të klonojë Partinë Demokratike.
Deklaratat e Bashës, i cili tha se ‘Berisha është tub oksigjeni për pushtetin e Ramës’, Zheji i konsideron si fraza te goditura, por me bazën duhet të flasë pa mesazhe te koduara.
Artur Zheji: Berisha është me i zgjuar se kaq, është kafshë politike. Ndërkohë që treste helmin e tij me sharje verbale, tani nuk i bën më. Tani bën strukturim, pra ato gjera që thoshte në mllef e sipër i bëri plan dhe projekt dhe filloi të ndërtonte një ortek. Filloi të ndërtonte një realitet paralel, që ishte foltorja.
Në fillim foltorja ishte në nivelet e qesharakes, tani nuk është më ky realitet, tani është një realitet politik dhe ndaj një realiteti politik, pavarësisht se është babai që po prin ushtrinë kundër tij, kundër të birit politik që është Lulzim Basha, pavarësisht se është themeluesi i PD dhe ka marrë kazmën dhe do ta çajë PD apo do ta përzërë nga një pushtet legal që ka Lulzim Basha, Lulzim Basha tani duhet të reagojë.
Mos reagimi është kompleks faji. Mesazhet që çon Basha, e para janë të rralla dhe e dyta janë të koduara. Baza nuk mund të kuptojë tubin e oksigjenit. Fraza është goditëse, e saktë, por është elitare. Baza do diçka me lëng, të fortë. Dëgjo ky njeri këtu ka marrë dhe po shkatërron, dot ë marrë PD sepse është e vetmja mënyrë që mund të zgjidhë problemin me amerikanët. Ne nesër nëse do kemi një zotëri si Berisha, PD mund të futet te lista gri të SHBA.
Ky është rreziku më i madh. Rreziku nuk është se ikën Lulzim Basha, punë e madhe fort. Berisha mund të emërojë një tjetër, një kryetar tjetër. Puna është pse po e heq Bashën? Po e heq si pro amerikan. Basha nëse do të rrijë në këtë lloj pasiviteti, në një deklaratë njëherë në javë, Berisha si një kafshë e fortë politike në kuptimin e mirë të fjalës do mbledhë votat dhe do bëjë një parti të dytë dhe do klonojë një parti politike. Drejt kësaj po shkohet.
Ai nuk mund të shkarkojë një kryetar që është zgjedhur me 85% të votave me një anëtar një votë, por mund ti shpëlajë trurin atyre dhe të thotë hajde ta hedhim dhe njëherë në votë.