Arian Çani: Rama e Veliaj të heqin qafe, të zhdukin. Duka të ketë kujdes e të tërhiqet po e do jetën

“Lufta” kundër kreut të FSHF-së nuk është diçka e re. Por ndryshe nga betejat e deritanishme, kundërshtari përballë Armando Dukës është shumë më i rrezikshëm.
Kështu u shpreh analisti Arjan Çani, i cili e sheh kryebashkiakun e Tiranës si kamikazin e kryeministrit, sa herë ai e do të sigurt fitoren e një beteje.
Akoma më të vështirë për Dukën, sipas Çanit, këtë betejë e bën edhe fakti se Veliaj ka edhe drejtësinë me vete.
“Nuk është se ka nisur lufta tani. Thjesht ka hyrë në lojë kryetari i Bashkisë së Tiranës, që është ortaku i vetëm i Tiranës. Duka e ka betejën më të fortë se të gjitha betejat e tjera. Me Finon e kishte më të thjeshtë. Me hyrjen e Erion Velisë në skenë është më e vështirë.
Qëllimi i kësaj lufte nuk ka lidhje me pjesën tjetër. Futbolli është një biznes fitimprurës. Duka deri tani ka qenë njeri që ka luajtur fort. Ka pasur mbështetjen e UEFA-s dhe FIFA-s.
Erion Veliaj është peshk i madh. I ndarë nga Rama, ai nuk ka ndonjë vlerë, por bashkë me Ramën është i fuqishëm. Është një hambar i madh me para e përfitime. Kjo është një luftë që nuk më çudit aspak nëse përdoren edhe mjete më të rënda.
Do preferoja që të paktën FSHF të mos ishte pjesë e qeverisë.
Nuk ka lidhje me zgjedhjet në Bashkinë e Durrësit. Veliaj është përmbarues i Ramës. Ai e vë si kamikaz për të fituar betejat e veta. Këtë betejë e shoh në favor të Veliajt. Përveç shtetit, ai ka edhe drejtësinë me vete”, tha Çani, i cili këshilloi Dukën të tërhiqet, pasi mund ta heqin edhe qafe, pas tritolit që i vendosën.