5 Dhjetor, 2022

Arben Ahmetaj i bën bisht ‘njohjes’ me Mirel Mërtirin

 Arben Ahmetaj i bën bisht ‘njohjes’ me Mirel Mërtirin

Arben Ahmetaj u pyet nga kryetarja e komisionit hetimor Jorida Tabaku nëse i njihte tre emrat që qëndrojnë pas tre kontratave konçensionare të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallia.

“Zoton e njoh në distancë”- tha ai, ndërsa  shtoi se “nuk kam lidhje biznesi, pune, familjare apo krushqie me asnjërin prej tyre”, frazë të cilën e përsëriti sërish kur u pyet nga deputeti i PD-së Belind Këlliçi.

“A keni pasur ju një aksident me personin Mërtiri jashtë vendit?- e pyeti Këlliçi. “S’ke pse hyn në vdekjet e mia klinike apo komën, unë ju kthej të njëjtën përgjigje, kaq kisha”- tha Ahmetaj duke iu referuar këtij aksidenti.

Kur deputeti këmbënguli se pyetja nuk kishte lidhje me një gjendjen shëndetësore të tij, por me një moment që shpjegonte marrëdhënien e veçantë të ministrit të Financave me një person që ishte pronar përfitues i kontratave konçensionare, Ahmetaj e cilësoi pyetjet jashtë objektit të hetimit.

“Jua kam kthyer përgjigjen, është jashtë objektit, nuk kam lidhje gjaku, biznesi, punë apo ortakë”- tha ai duke shtuar se njihte shumë biznesmenë pasi kjo ishte pjesë e punës së tij.

Më tej ai iu përgjigj pyetjeve për rolin e tij në procedurat e dhënies me konçension të tre inceneratorëve, duke deklaruar fillimisht se si ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik kishte i papërfshirë në këto procedura. Më pas si ish-ministër i Financave ai iu përgjigj pyetjeve për mbështetjen që kishte dhënë kjo ministër për inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës.  Ai këmbënguli se inceneratori i Tiranës nuk kërkonte mbështetje buxhetore dhe i cilësoi transferat e buxhetit për bashkinë Tiranë si vullnet i qeverisë, jo si detyrim kontraktor.

Ahmetaj ripërsëriti disa herë pas çdo pyetje terminologjinë “mbështetje buxhetore” dhe “transfertë e pakushtëzuar” edhe pse deputetët e opozitës iu referuan kontratës konçensionare ku flitet për “pagesë të disponueshme”, që sipas tyre detyron qeverinë të paguajë konçensionarin.

Dëshmitë e zyrtarëve për procedurat konçensionare

Më herët në komision dëshmoi paraardhësi i Ahmetajt, ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili u përgjigj për disa shkresa që mbanin firmën e tij ku kundërshtohej konçensioni i Elbasanit.  Ai tha se shkresat ishin përgjigje të kërkesës së ish-ministrit të Mjedisti Lefter Koka për financimin e këtij projekti dhe e ka refuzuar fillimisht duke i kërkuar plotësimin e disa dokumenteve. Cani tha se ai si ministër e shikonte projektin nga këndvështrimi i kapaciteteve financiare. Ai nuk iu përgjigj pyetjes së deputetëve opozitarë nëse arsyeja e largimit të tij si ministër kishte ardhur pasi nuk kishte pranuar të firmoste kontratat e reja konçensionare pas atij të Elbasanit.

Në funksionin e Autoritetit Kontraktor të hënën dëshmoi edhe ministria e Instrafrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, e cila ia delegoi përgjegjësitë për ndjekjen dhe zbatimin e kontratave konçensionare Njësisë së Zbatimit të Projektit, një “nukël ndërinstitucionale”, siç e quajti ajo, dhe supervizorit të punimeve. “Nuk e shoh në fushën time të përgjegjësisë, NJZP nuk është në varësi të Autoritetit Kontraktor”- tha ajo e pyetur për zbatimin e këtyre kontratave.  Balluku pranoi se nuk është amenduar kontrata e Tiranës edhe pse kompanisë konçensionare i janë bashkangjitur dy të ardhura të paparashikuara, depozitimi i mbetjeve të Bashkisë Durrës dhe depozitimi i dherave dhe inerteve nga kompanitë e ndërtimit.

Ndërkohë kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako, nuk arriti të bindte komisionin për bazën ligjore të vendimmarrjes së saj për të depozituar mbetjet e qytetit në landfillin e Sharrës. Fillimisht ajo tha se i kishte depozituar pa pagesa për një periudhë kohe, por nuk referoi dot asnjë dokument marrëveshje me kompaninë konçensionare për këtë, duke e kthyer dëshminë e saj në retorikë politike.  Sako u largua nga komisioni në mënyrë të njëanshme pa mbaruar dëshminë pasi u përfshi në debat me deputetët e opozitës.

Në komision dëshmoi dhe kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili mbrojti vendimin e kësaj bashkie për ndryshimin e vendit ku do të ndërtohej incenerarori. Ai tha se në të tre rastet e ndryshimit të tokës vendimi ishte marrë nga këshilli bashkiak bazuar mbi arsyetimet e konçensionarit dhe të një grupi pune të bashkisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *