5 Dhjetor, 2022

Anëtarësimi në BE do t’i kushtonte shqiptarëve shumë

 Anëtarësimi në BE do t’i kushtonte shqiptarëve shumë

Një studim i kryer nga Qendra Shqiptare për Konkurrencën dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), mbi projektin “Mbështetje për Negociatat e Anëtarësimit në kapitujt ekonomik te Legjislacionit Evropian“, i financuar nga Qeveria Gjermane, dhe zbatuar nga GIZ ka nxjerrë në pah qëndrimet e kompanive shqiptare mbi integrimin e vendit.

188 kompani janë pyetur, mbi pritshmëritë e integrimit, kostot dhe përfitimet që do të kenë në aktivitetin e tyre.

47% e bizneseve të pyetura thonë se kostoja kryesore e kompanisë së tyre në rast anëtarësimi në BE do të jetë përshtatja me rregulloret dhe standardet e BE. Ndjekur nga presioni dhe konkurrenca e produkteve evropiane me 28%, më pas është sfida në investime në teknologji të reja me 16% dhe 9% e kompanive kanë si kosto rritjen e shpenzimeve.

Në rast se anëtarësohemi në BE, 45% e bizneseve thonë se përfitimet afatgjata do i tejkalojnë kostot, ndërsa 17% shprehen skeptik, dhe pohojnë se kostot do jenë mbi përfitimet. Nga ana tjetër 43% e ndërmarrjeve janë skeptike nëse do mund ti përballonin kostot që do u krijoheshin pa mbështetje, ndërkohë që 19 % janë të bindur që nuk mund ti përballojnë të vetëm kostot e reja. Sipas studimit vetëm 38 % e kompanive mund të përballojnë kostot.

Sa i takon sektorëve më të favorshëm për të përfituar, perceptimi i kompanive të pyetura është që nga anëtarësimi në BE sektori që do të përfitoj më shumë është turizmi 33%, ndjekur nga bujqësia mendojnë 31% e kompanive të pyetura, më pas 28% janë për prodhimin industrial dhe vetëm 8% janë për shërbimet.

Sipas kompanive të pyetura përfitimi më i madh i tyre do të jetë sa i takon mbrojtjes dhe sigurisë ligjore, këtë e mendojnë 34% e kompanive. Më pas 31% e kompanive thonë se do të ketë rritje të xhiros dhe të eksporteve, 24% shprehen se do të ketë rritje të cilësisë së produktit dhe 11% e kompanive shprehen se do të ketë ulje të kostove të prodhimit.

Por kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?

48% e kompanive të pyetura mendojnë se Shqipëria do të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030, më pas janë 25% kompanive që thonë pas viti 2040 dhe 27% pohojnë pas vitit 2040. Si pengesën kryesore për anëtarësimin e vendit, bizneset shohin institucionet e dobëta të Shqipërisë. Janë 34% e të pyeturve që ndajnë këtë mendim, ndjekur nga kultura politike me 32%, ekonomia dhe standardet e dobëta 30% e të pyeturve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *