Andi Bushati: Halli im është si të zhdukim gogolin Edi Rama, që kemi përballë

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka thënë se zgjidhja në Partinë Demokratike, mund të vijë nëse tërhiqet edhe Sali Berisha.
Bushati tha se Basha është sot “një kufomë politike”, për të cilin nuk ja vlen të flitet.
“Problemi është, Basha e ka në dorë të vetë të sillet si personazh qesharak. Ne nuk duhet ta marrim si faktor. Basha është kufomë politike sot.
Problemin PD e ka midis dy grupimeve. Një grupim që e ka mbështetur Bashën, por e ka kuptuar që nuk shkohet më pas Bashës dhe grupi Berisha. Këta të parët mund të jenë për unifikim të PD, por nuk janë me Saliun. Grupi Berisha thotë e vendos vota. Ne e dime që me votë e merr Berisha.
Si zgjidhet kjo?
Kemi dhe faktor të tretë. Në këto zgjedhje humbi Basha, humbi Berisha, humbi dhe Yuri Kim, e cila u investua kokë e këmbë për Bashën.
Si zgjidhet kriza? Berisha për përgjegjësitë që ka, duhet të pranojë tërheqje. Ne nuk kemi si e justifikojmë këtë. Ikën edhe Basha. Por, Berisha që është faktori më i fortë, merr garancinë që kjo parti nuk mund të vërë më birbo ambasadash si kryetar.
Unë kam hallin si përballohet gogoli që kemi përballë, nuk kam hallin e Partisë Demokratike“, tha Bushati.
“Një anomali”, e quan Andi Bushati faktin që Partia Demokratike e sheh si shpresë të vetme, rikthimin e Sali Berishës.
Bushati tha se Lulzim Basha është i mbaruar politikisht, madje shtoi se tashmë nuk i japin më financime, por fakti që Berisha mbetet shpresë e PD, e bën që ta shohë të ardhmen e kësaj partie me skepticizëm.
“Atij Bashës as financime nuk i japin më sepse nuk bën dot shantazh. Iku ai tani, mbaroi.
Unë jam totalisht skeptik për PD-në. Cfarë tregoi periudha nga 9 shtatori? Tregoi që militantët e PD, rikthyen sytë nga Berisha. Ai është personazh i padiskutueshëm i votuar brenda asaj partie. Një parti që detyrohet t’i kthehet një personazhi të viteve 90′ për shpëtimin e saj, ka një anomali.
Vetëm po pati një forcë mbi njerëzore të kapërcejë këtë anomali, mundet të ketë ndonjë shpresë.
Gara në një mekanizmë të tredhur, të thuash ka garë… Bëri garë Ramiz Alia në 30 mars dhe fitoi prap. Duhet të mësohen njerëzit me mekanizmin e garës, që të ketë garë.
Prandaj them, duhet rezolutë për të dënuar përjashtimin e Berishës. Krijimi i një komisioni që ta mbajë këtë parti në gjendje udhëheqje kolegjiale, pastaj të shohim hierarkinë. Po thamë që këtë e vendos shumica sot, do të ngelet një parti e vogël”, tha ndër të tjera Bushati.