31 Janar, 2023

ANALIZA: Rusia është një superfuqi fasadë

 ANALIZA: Rusia është një superfuqi fasadë

Nga Paul Krugman, The New York Times

Kujdes, Vladimir Putin! Pranvera po vjen. Dhe kur të ndodhë kjo, do të humbni shumë nga çdo resurs që ju ka mbetur.

Përpara se Putini të sulmonte Ukrainën, do ta kisha përshkruar Federatën Ruse si një fuqi të përmasave të mesme, e cila e merr rëndësinë e saj, pjesërisht duke shfrytëzuar ndarjet perëndimore e korrupsionin dhe pjesërisht duke mbajtur një ushtri të fuqishme.

Megjithatë, që atëherë, vetëm dy gjëra janë bërë të qarta:

Së pari, Putini ka iluzionet e madhështisë.

Së dyti, Rusia është edhe më e dobët sesa e kanë kuptuar shumica e njerëzve, duke përfshirë edhe mua.

Ka qenë prej kohësh e qartë se Putini dëshiron dëshpërimisht të rivendosë statusin e Rusisë si Fuqi e Madhe.

Fjalimi i tij famëkeq “nuk ka gjë të tillë si Ukraina”, në të cilin ai fajësoi Leninin, si shkaktarin që i dha fqinjit të tij atë që Putin e konsideron një ndjenjë të rreme të identitetit kombëtar, e bëri të qartë se qëllimet e tij shkojnë përtej rikrijimit të Bashkimit Sovjetik – ai me sa duket dëshiron të rikrijojë Perandorinë Cariste.

Dhe ai, me sa duket, mendoi se mund të bënte një hap kaq të madh drejt këtij qëllimi, me një luftë të shkurtër fitimtare.

Deri më tani, nuk ka funksionuar siç e kishte planifikuar.

Rezistenca e Ukrainës ka qenë e ashpër, ndërsa ushtria ruse ka qenë më pak efektive sesa reklamohet.

Në ditët e para të pushtimit, kam qenë i mbushur me raportime se, rusët u penguan nga probleme të rënda logjistike – domethënë, pushtuesit e kishin të vështirë t’u siguronin forcave të tyre gjërat thelbësore të luftës moderne, mbi të gjitha karburantin.

Është e vërtetë që problemet e furnizimit është diçka e zakonshme në luftë; megjithatë, logjistika është diçka në të cilën kombet e përparuara supozohet të jenë vërtet të zota.

Por Rusia po duket gjithnjë e më pak si një komb i përparuar.

E vërteta është se unë u tregova bujar, kur e përshkrova Rusinë si një fuqi të mesme.

Britania dhe Franca janë fuqi të mesme. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i Rusisë është vetëm pak më shumë se gjysma e njërit prej tyre.

Duket e jashtëzakonshme që një shtet i tillë ekonomikisht, me PBB nën mesatare, të ndërtonte një ushtri të klasit botëror, shumë të sofistikuar – dhe ndoshta nuk mundet.

Kjo nuk do të thotë se forca që po shkatërron Ukrainën, nuk ka fuqi të jashtëzakonshme zjarri dhe s’mund të marrë Kievin.

Por nuk do të befasohesha nëse bilancet për luftën në Ukrainë do të tregonin shumë më shumë humbje në zemër të ushtrisë së Putinit nga sa do ta mendonte kushdo.

Dhe Rusia ka filluar të duket edhe më e dobët ekonomikisht, sesa para se të hynte në luftë.

Putini nuk është diktatori i parë brutal që e bën veten të jashtëligjshëm ndërkombëtarisht.

Megjithatë, me sa mund të them unë, ai është i pari që e bën këtë, ndërsa kryeson një ekonomi thellësisht të varur nga tregtia ndërkombëtare – dhe me një elitë politike të mësuar, pak a shumë fjalë për fjalë, të trajtojë demokracitë perëndimore si terrenin e tyre të lojërave.

Për Rusinë e Putinit, nuk është një tirani hermetike si Koreja e Veriut apo Bashkimi Sovjetik i vjetër. Standardi i saj i jetesës mbështetet nga importet e mëdha të mallrave të prodhuara, të paguara kryesisht nëpërmjet eksporteve të naftës dhe gazit natyror.

Kjo e lë ekonominë e Rusisë shumë të ndjeshme ndaj sanksioneve që mund të prishin këtë tregti, një realitet i reflektuar në rënien e mprehtë të vlerës së rublës të së hënës, pavarësisht një rritjeje të madhe të normave të interesit të brendshëm dhe përpjekjeve drakoniane për të kufizuar largimin e kapitalit.

Përpara pushtimit, ishte e zakonshme të flitej se si Putini kishte krijuar “kështjellën e Rusisë”, një ekonomi e imunizuar ndaj sanksioneve ekonomike, duke grumbulluar një arkë të madhe lufte me rezerva valutore.

Tani, megjithatë, një bisedë e tillë duket naive. Çfarë janë, në fund të fundit, rezervat valutore?

Ata nuk janë thasë me para. Në pjesën më të madhe ato përbëhen nga depozitat në bankat e huaja dhe zotërimet e borxhit të qeverive të tjera – domethënë, aktivet që mund të ngrihen nëse pjesa më e madhe e botës është e bashkuar kundër agresionit ushtarak të një qeverie mashtruese.

Vërtet, Rusia ka gjithashtu një sasi të konsiderueshme ari të mbajtur brenda vendit. Por sa i dobishëm është ky flori, si një mënyrë për të paguar gjërat që i duhen regjimit të Putinit? A mund të kryhet një biznes modern në shkallë të gjerë me shufra ari?

Më në fund, siç kam vënë në dukje më parë, oligarkët e Rusisë kanë ruajtur shumicën e aseteve të tyre jashtë shtetit, duke i bërë ato subjekt i ngrirjes ose sekuestrimit nëse qeveritë demokratike bien dakord.

Ju mund të thoni se Rusia nuk ka nevojë për ato asete, çka është e vërtetë.

Por nga gjithçka që Putini ka bërë në detyrë rezulton se ai e konsideron të nevojshme mbështetjen e oligarkëve, kështu që cenueshmëria e tyre është dobësia e tij.

Rastësisht, një enigmë rreth imazhit të fuqisë së Rusisë para-Ukrainase ishte se si një regjim kleptokratik arriti të kishte një ushtri efikase dhe efektive. Ndoshta jo?

Gjithsesi, Putini ka një as nën mëngë: politikat e pakontrolluara e kanë bërë Evropën thellësisht të varur nga gazi natyror rus, duke penguar potencialisht përgjigjen e Perëndimit ndaj agresionit të tij.

Por Evropa kryesisht djeg gaz për ngrohje; konsumi i gazit është 2.5 herë më i lartë në dimër sesa në verë.

Epo, dimri së shpejti do të përfundojë – dhe Bashkimi Evropian ka kohë të përgatitet për dimrin tjetër pa gazin rus.

Siç thashë, Putini mund të marrë Kievin. Por, edhe nëse e bën, ai do ta bëjë veten më të dobët, jo më të fortë!

Rusia tani qëndron e zbuluar si një superfuqi e Potemkinit (fasadës), me shumë më pak forcë reale nga sa duket.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *