29 Nëntor, 2023

Aman Vladimir, shtype atë butonin e kuq!

 Aman Vladimir, shtype atë butonin e kuq!

Nga Bledi Lumani

Nëse dikush do të hyjë në faqen zyrtare të Facebook të kryeministrit shqiptar, pret që fjala vjen, të gjejë ndonjë shpjegim përse çmimi i karburantit në Shqipëri, është më i shtrenjti në Europë, madje edhe se në Ukrainën e rrënuar nga lufta.

Apo pse çmimet e gjithë zinxhirit ushqimor vazhdojnë të rriten e të rriten dhe çfarë plani ka Qeveria, për të ndihmuar ata që edhe pa rritjen e çmimeve, mezi mbyllnin muajin. Dhe nuk janë pak, por pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare.

Por jo, nëse hyni aty, do të mendoni se keni ngatëruar faqe dhe keni hyrë në kushedi se çfarë adrese, ndoshta të Ermal Mamaqit, se vështirë të besohet që një kryeministër të bëjë postime të tilla, që do të vinin në siklet edhe vetë Ilir Metën, i cili çuditërisht është treguar i matur këto kohë në rrjetet sociale. Po ai i shkreti ashtu e ka hallin, pasi kushedi, ndoshta shpreson që raketat ruse, të cilat i ndolli i pari nga televizioni i Doktorit, do ta shpëtojnë nga nga fundi dramatik tek “Mali me Gropa”, ndaj dhe rri e pret në heshtje çfarë do të ndodhë.

Se është karagjozllëk, p.sh, që një kryeministër të postojë një fotomontazh të një fëmije që i bën shurrën një tanku rus, në një kohë që ato tanke kanë marrë jetën e qindra fëmijëve tashmë.

Apo të një ish-Missi që paska hequr rrobat e plazhit dhe ka veshur rrobët e luftës, duke hedhur pushkën në krah, ndërkohë që në fakt, lufta e vërtetë ka një fytyrë të tmerrshme dhe lebetitëse, jo si kjo Missi e hedhur në rrjet për të marrë ca pëlqime në FB.

Por jo, në fakt është e vërtetë. Këto i gjeni as më shumë e as më pak, por në faqen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Tani pas kësaj, hyni pak në faqen e Emannuel Macron p.sh, se ndoshta po e paragjykojmë kot. E bëra unë. Ka veç deklarata serioze, siç është vetë situata në të cilën ndodhemi.

Epo mirë, se ndoshta Macron është pak si shumë “francez”, hyni në faqen e Boris Johnson, se ai është tip më i lirshëm dhe jo fort konservator. Asgjë, edhe ky veç deklarata serioze dhe lutje për ukrainasit.

Dhe si të mos mjaftonte kjo, në televizion u faneps live nga Ukraina, Blendi Fevziu, duke bërë shqiponjën me duar, me buzëqeshjen vesh më vesh, a thua kishte vajtur për turizëm atje, dhe jo për të raportuar për një luftë.

Prisja të thoshte “o sa mirë me qenë shqiptar, o hej”, pas shqiponjës me duar, por jo, thjesht tha “from Lviv ëith love” dhe filloi të tregojë historinë e qytetit ku ndodhej, për ta mbyllur me habinë e tij, se çuditërisht, aty nuk kishte asnjë lokal të hapur, madje as McDonald nuk shërbente më e as Apple nuk shiste produktet e veta.

Në atë moment, nuk e di pse doja të ulërija, aman Vladimir, shtype atë butonin e kuq, se do ishte shpëtim. Edhe pse kjo ka pak gjasë të ndodhë, ka shpresë! Fundja kot nuk thonë, që ajo vdes e fundit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *