2 Shkurt, 2023

Akti final i Planit Amerikan për klasën politike, për dy-tre muaj bie Rama

 Akti final i Planit Amerikan për klasën politike, për dy-tre muaj bie Rama

Nga Erl Kodra

Zhvillimet politike në vend duket se kanë hyrë në një fazë tejet interesante, ku do të vendoset përfundimisht mbi fatin e klasës politike aktuale, pas dominimit absolut 30-vjeçar të jetës politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Le të shohim në thellësi se cili do të jetë destinacioni i pashmangshëm i këtyre ngjarjeve, që me sa duket kanë hyrë në fazën finale të zhvillimit. Në mënyrë që të kuptohet më mirë përfundimi logjik, duhet bërë një vështrim i shpejtë i zhvillimeve në vend duke filluar me vitin 2013.

Fitorja e Edi Ramës dhe Ilir Metës në 2013-tën ishte e pritshme. Rotacioni politik në pamje të parë ishte rrjedhojë logjike dhe normale, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet demokratike. Në të vërtet, sapo kishte filluar dekada e tretë e tranzicionit politik në vend, tranzicion që me sa duket nuk po i vinte fundi. PD doli në opozitë, Sali Berisha dha dorëheqjen si lider i saj, ndërsa Lulzim Basha ishte pasuesi i tij në krye të partisë.

Dy ishin pritshmëritë kryesore në vitin e largët 2013 – nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtar pas rotacionit politik;

a) qeverisje ndryshe nga Edi Rama, dhe

b) reformim i opozitës shqiptare.

Për fat të keq nuk ndodhi asnjëra, sepse qeverisja e Edi Ramës ishte më e keqe se sa “qeverisja” e një pushtuesi, ndërsa opozita nuk u reformua asnjëherë, pavarësisht përpjekjeve dhe luftës së brendshme.

Megjithëse, Sali Berisha formalisht dha dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike, ai nuk u largua për asnjë ditë nga politika dhe jeta publike. Shpesh dëgjojmë nga analistë dhe gazetarë se ai ishte “i larguar”, por e vërteta është se nuk ka asgjë më politike dhe publike se sa mandati i deputetit, për më tepër për një lider si Sali Berisha.

Largim i vërtetë do të ishte nëse ai do të dorëzonte mandatin e deputetit pas humbjes së zgjedhjeve, nuk do të rizgjidhej më 2017 dhe 2021, dhe Partia Demokratike do të ndiqte rrugëtimin e saj politik në opozitë, pa hijen dhe peshën e rëndë të Sali Berishës deputet, që edhe kur merr frymë ai ndikon tek ndjekësit e tij. Në këtë kuptim nuk është fare e nevojshme të analizosh se sa është pesha e përgjegjësisë së tij në zhvillimet aktuale, sepse ai aty ka qenë gjatë gjithë kohës, i gatshëm të rikthehet, nëse do të cenohej sado pak egoja e tij, interesat dhe investimi.

Qeverisja e Ramës rezultoi në një katastrofë të vërtetë në të gjitha planet; ekonomike, politike dhe sociale. Ai filloi të bashkëpunonte hapur me krimin e organizuar duke i veshur kostum politik, t’i gradonte deputetë dhe t’i shpërblente me para publike; kanabizoi vendin dhe kriminalizoi Policinë e Shtetit, mbushi administratën publike me hajdutë, ndërsa Buxheti i Shtetit u kthye në një target grabitje nga qeverisja e tij. Edhe në Afrikë vështirë se mund të gjendet një kryeministër si Edi Rama – tashmë rekordet e tij janë të paarritshme.

Megjithatë, duket se Edi Rama kishte “fatin e kurvës” – fat që i erdhi nga opozita shqiptare, e cila ishte e paaftë të reformohej në kohë, të shkëputej nga e kaluara problematike dhe të rinovonte lidershipin e saj. Politikisht opozita kishte mbetur e njëjta – me po të njëjtat figura politike – që mezi prisnin të riktheheshin në pushtet për të vazhduar aty ku e kishin lënë në vitin 2013. Ata nuk mund të pranonin vjedhjet e Edi Ramës, madje vjedhjet ashiqare, jo se u dhimbsej vendi, por se ai po “vidhte gjënë e tyre”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e njohin me dhëmbë e dhëmballë gjithë klasën tonë politike. Ata e dinë fare mire se kush është hajduti, kush është “engjëlli” dhe djalli. Por sa kohë që ata janë në krye të vendit, ata janë të detyruar të punojnë me këta “engjëj” – përndryshe, me UFO-t nuk mund të bashkëpunojnë. Në këto rrethana, ata ndërmorën Reformën në Drejtësi më të paprecedentë në Europë dhe botë – që me sa duket – deri diku është kompromentuar rëndë nga Edi Rama, të cilit nuk do t’ia falin kurrë. Por kjo pjesë e skenarit është në zhvillim e sipër.

Për të kuptuar saktë se çfarë po ndodh, së pari duhet kuptuar detajet. Asgjë nuk ndryshon kur të gjithë janë të kënaqur, prandaj duhej përzier ujërat. Natyrshëm operacioni do të fillonte nga opozita – para se ajo të vinte në pushtet – përndryshe do të mbeteshim aty ku ishim në vitin 2013. Reforma në Drejtësi nuk po jepte rezultatet e pritura nga ndërhyrjet e politikës, sidomos të Edi Ramës. Paaftësia e shoqërisë për të prodhuar ndryshimin e elitave politike ishte çmerituese; dhe e vetmja mënyrë ishte ndërhyrja nga jashtë përmes instrumentave ekzekutivë të Departamentit të Shtetit. SHBA-të nuk e kishin luksin të linin vendin në duart e një klase politike të korruptuar, që rrezikonte seriozisht edhe interesat e saj gjeostrategjikë. Instrumenti ishte i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë; sanksionet nga Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit. Le të vuajnë paksa këta birbo që kanë 30 vite që drejtojnë vendin e tyre si pushtues.

Faktet tregojnë se goditjet janë të balancuara dhe të mirëmenduara. Goditja e Berishës u balancua shpejt me goditjet që po i vijnë Edi Ramës, duke ia burgosur Saimir Tahirin, Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon – dhe së shpejti edhe figura të tjera shumë pranë tij në Qeveri. Goditja e djalit të Aqif Rakipit – njeriut që bashkë me Tom Doshin i siguroi mazhorancën Edi Ramës është provë e qartë se dielli i tij po perëndon. Vaterlo-ja që e pret Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nuk është parë në historinë tonë politike, por as në rajon dhe Europë. Ky është një bast politik, që me siguri do ta fitojnë Shtetet e Bashkuara, dhe për këtë nuk mund të ketë dyshime.

Akti i fundit

Sulmet publike që Edi Rama ndërmori kundër SPAK janë një blof i pastër, në përpjekje për t’i paraprirë zhvillimeve të pashmangshme që do pasojnë në muajt në vijim. Në çdo rrethanë ai po thërret për mobilizim faktorët e tjerë, sepse e sheh që rreziku është afër tij. Ai tenton të shpërndajë “argumente” për sulme politike të SPAK-ut – një shërbim që në fakt po ua bën “armiqve” të tij politik, sepse pas dy tre muajsh ai do të gjendet në të njëjtat pozita, kur të bjerë qeveria e tij nga “sulmet politike” të SPAK-ut.

Çoroditja e politikës në përgjithësi – goditjet në Partinë Demokratike dhe në qeverisjen e Kryeministrit Rama – në të vërtetë po përgatisin vendin për një qeveri teknike, të mbështetur në Parlament nga një shumicë e detyruar PS-PD. Kjo do të krijojë kushtet ideale për operacione të gjera antikorrupsion dhe për pastrimin e politikës nga elitat e kriminalizuara. Një qeveri e tillë që do të çojë përpara disa reforma të domosdoshme, dhe do të përgatisë vendin për zgjedhje të vërteta politike.

Aktualisht po pritet vetëm zgjedhja e Presidentit të ri, gjë e cila do t’i hapte rrugën formalisht edhe fazës së fundit të projektit. Dhe ky plan nuk mund të dështojë – përndryshe – do të ishte dhe dështimi i projektit amerikan për Shqipërinë dhe shqiptarët. Klasa politike 30 vjeçare do të largohet me çdo kusht. Rezistenca e tyre është e kuptueshme, ashtu siç është edhe fundi i tyre.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *