Agron Gjekmarkaj: Berisha s’është i pavdekshëm, s’ka më punë me PD-në

Deputeti Agron Gjekmarkaj, tha për Report TV se në PD nuk duhet të ketë tabu kur ka kriza. Por sipas tij, në rastin e konflikti të Berishës me SHBA-të, nuk ka logjikë që të ndërhyjë Partia Demokratike.
Gjekmarkaj u shpreh në emisionin ‘Kontrast’ se ndryshe nga kolegu i tij Mark Marku, ai nuk e ka menduar largimin si deputet i PD pavarësisht se si u zhvilluan ngjarjet.
“Lulzim Basha duhet ta hapë partinë, por kurrësesi në shenjën e këtij konflikti. Nëse Berisha ndodh se krijon një parti të re, është e drejta e tij ta bëjë.
Parti të re, sepse me Partinë Demokratike nuk ka ndonjë lidhje” – tha Gjekmarkaj sa i takon Kuvendit demokrat që ka paralajmëruar Sali Berisha.
Ai shtoi se lideri historik i PD, i shpallur tashmë non-grata, ka deklarata non-sense.
“Ai shprehet se do të kemi relata të shkëlqyera me SHBA. Por SHBA thotë se nuk duam të kemi marrëdhënie me ty.
Qoftë dhe deklaratë e sinqertë, Amerika s’ia merr për bazë dhe thotë jo, ju duhet të keni një pozicion tjetër” – tha Gjekmarkaj.
Ai tha se Sali Berisha duhet të tërhiqej vetë dhe ta vijonte betejën me SHBA-të pa e përfshirë PD-në.
Deklarata erdhi referuar organizimeve të ‘Foltoreve’ që Berisha po i zhvillon në bashkëpunim me deputetë apo forume të PD-së.
“Sali Berisha duhej të tërhiqej dhe ta vijonte vetë betejën me SHBA-të, siç edhe tha. Jo të përfshinte Partinë Demokratike.
Vjen një moment që cikli mbyllet, nuk ka të pavdekshëm në kohë politike. Është ajo që tha Basha se koha e tij ka mbaruar.
I ka mbajtur demokratët 13 vite në pushtet, por njëkohësisht ka konsumuar fatalitet e tija politike” – tha deputeti Gjekmarkaj.