A po tërhiqen arabët nga projekti gjigand 2 miliard euro për portin e Durrësit?

Qeveria nuk e përjashton mundësinë që miliarderi arab, Mohamed Alabbar të tërhiqet nga projekti 2 miliardë eurosh për ndërtimin e portit turistik të Durrësit dhe t’ja kalojë atë një kompanie tjetër.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u pyet këtë të mërkurë në lidhje me lajmin se kompania “Symphony Invest Limited” ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve aplikimin për shitjen e plotë të aksioneve te një kompani tjetër, që mbetet ende misterioze.
“E para, kompania statusin e investitorit e ka marrë nga AIDA dhe pyetjen duhet ta merrni nga kjo kompani. Por, nesër ka një seancë të kërkuar nga deputeti Xhaferi. Fantazmë, apo jo është diçka që e thotë opozita . Duhet të thelloheni në dokumente. Lëvizjet mes kompanive janë normale për sa kohë ato kanë akte ligjore. Besoj se do merrni përgjigjet”, tha ministrja Balluku.
Kompania “Symphony Invest Limited” është e regjistruar në ishujt Cajman, njohur si parajsa fiskale me pronësi të miliarderit arab, Mohamed Alabbar.
Ky i fundit ishte vetë në Shqipëri para vitit të ri gjatë prezantimit të projektit dhe nisjes së punës për portin e ri të Durrësit.
Projekti parashikon mes të tjerave edhe ngritjen e strukturave mikpritëse, si hotele dhe rezidenca në një territor prej 80 hektarësh, pronë shtetërore që do t’i kalojnë privatit.
Kompania menaxhuese e këtyre pronave është “Symphony Real Estate Development”.
Ndërkohë, porti i ri i mallrave do të transferohet në Porto Romano, që menaxhohet nga privati.