1 Prill, 2023

A ka projekt për të zëvëndësuar Erion Veliajn me Belinda Ballukun apo Arben Ahmetaj?!

 A ka projekt për të zëvëndësuar Erion Veliajn me Belinda Ballukun apo Arben Ahmetaj?!

Logjika brenda Partisë Socialiste ka provuar se nga kryeministër i qytetit (titull që përfton kryetari i bashkisë më të madhe për numër banorësh dhe buxhet) vendoset një bazë e fortë për kryeministër të Shqipërisë.

Për analistët, zvetënimi i figurës së Saimir Tahirit brenda PS-së, ka vështirësuar hierarkitë e garës.

Koha për një grua në krye të bashkisë – Belinda Balluku?!

Koha për një njeri të besuar si Arben Ahmetaj që udhëhoqi rindërtimin në rang kombëtar?!

Apo Rama do të dëshirojë një mandat të katërt që ndërlikohet prej konsumit politik.

Kjo është dilema që ngrin buzët e socialistëve. Kush do të jetë e ardhmja e kryeministrit të Tiranës, Erion Veliaj?

Me largimin e pazyrtarizuar por të paralajmëruar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas përfundimit të këtij mandati qeverisës nga “gjëmbat e trëndafilit” – referuar logos së PS-së – beteja do të parashtrohet në disa terrene për “numrin një të Tiranës”.

“Veliaj ka mundësinë më të madhe deri tani që të ndjekë këtë traditë. Problem i vetëm do jetë sa mirëkuptues do jetë fillimisht Rama, që të lerë staturën e Veliajt të ketë vendin e duhur te PS-së por mbi të gjitha të fillojë të bëhet e qartë se pas mandateve të suksesshme si kryetar bashkie, ai ka parametrat që kërkon puna e një kryeministri”, shprehet analisti Ben Andoni.

Por çfarë bilanci ka Veliaj si kryebashkiak?

Parqet, hapësirat publike të përbashkëta, hapësirat e gjelbërta, parkimet dhe ndërtimet e shumta me leje të Veliajt, e kanë shkatërruar Tiranën.

“Duhet thënë gjithashtu që prej vitesh tashmë, peizazhi i qytetit nuk merret më parasysh kur jepet nje leje e caktuar”, shprehet arkitiketi Ndricim Baliaj.

Veliaj ka qenë në qendër të kritikave pikërisht për çështjen e ndërtimeve të larta në kryeqytet.

Në vitin 2015, ai do të shprehej se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim gjatë dëgjesave të ndryshme me banorët e Tiranës.

“Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve evropiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”, do të përmbyllte deklaratën e tij Veliaj.

Kryebashkiaku e riafirmoi shkurt se nuk do të kishte ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë.

“Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale”.

Kjo deklaratë nuk gjeti më terren pas zgjedhjeve, kur Veliaj përkrahu nevojën e kullave të larta në qytet.

“Këto sipërfaqe shkojnë në ajër, të cilën e kemi, tokë nuk kemi”, do të ravijëzonte nga e para kryebashkiaku.

Pak ditë më parë, ishte “Bloomberg” që përshkruante se në qendër të Tiranës, “ndërtesat moderne të larta po zënë vendin e përzierjes aktuale të ndërtesave të ndërtuara në mënyrë joformale dhe atyre historike”.

Një shkrim i disa viteve më  parë  i “The Economist” do të ndizte për herë të parë një debat në qendër të Partisë Socialiste – me të njëjtët protagonistë.

Në artikull theksohej se Erion Veliaj, 37-vjeçari që drejton kryeqytetin e shqiptarëve, gjatë gjysmës së parë të mandatit përfundoi punët në qendër.

“Ai nuk mund të ndodhet në një post më të mirë, sepse tani çdokush mund të shohë frytet e punës së tij, ndërkohë që ai qëndron larg skandaleve që po dëmtojnë Ramën dhe qeverinë e tij”.

Por, Veliaj do të pohonte se, në mendjen e tij, ishte vetëm fitorja e mandatit të dytë si kryetar bashkie.

“The Economist” hipotetizonte për herë të parë atë që përflitej korridoreve politike – Veliaj mund të jetë kryetari i ri i PS-së.

Sipas analistit Andoni, duhet marrë parasysh se e ardhmja e PS-së nuk do të jetë kaq e këndshme dhe pa turbulenca si tani.

Kjo, sepse përballë do ketë premtimet e gjërave strategjike të Ramës dhe mbi të gjitha konsumin.

“Problem do jetë nëse në PS nuk nis një periudhë katarsisi dhe përplasjeje, që deri tani është hipotetike”, nënvizon analisti.

Egoja dhe e gjithë kurba e tij e mirëkuptojnë logjikën (profecinë), sipas Andonit, të simptomës kryebashkiaku-kryeministër.

Në këtë prizëm, Veliaj, parasheh një rrugëtim të ngjashëm si kryeministri Rama me një tog-mandatësh të përafërt.

“Veliaj përballjen e vërtetë do ta ketë me të ardhmen e tij dhe vizionin post-Rama, mënyrën sesa do të jetë në gjendje të sjellë ide shumë më novatore se paraardhësi i tij në Bashki dhe ku ta dish, po rrodhën gjërat si ai i pret, të jetë kryeministër i vendit”, përmbyll analizën e tij, Ben Andoni.

Kryebashkiaku apo numri një i bashkisë gjendet në një garë me njohjen se sa me kohën.

Për të, profecia nuk i përafron përmbushjes apo realizimit konkret. Ajo nuk gjendet më përballë tij. Posti i tij është profecia dhe Veliaj ka filluar ta ndjejë këtë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *